Zjarrfikës duke punuar për të shuar flakët

Zjarret/ 11 vatra zjarri aktive në vend! Vijojnë të jenë aktive flakët në Parkun kombëtar të Prespës në Malin e Thatë

12 Gusht, 10:44| Përditesimi: 12 Gusht, 11:10

  • Share

Tirane- Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në 24 orët e fundit janë shënuar 47 vatra zjarri,  nga të cilat është bërë e mundur shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.

Vatrat aktive 
 -Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
-Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.
-Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.
-Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.
-Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.
-Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.

“Nën bashkërendimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat tona të Armatosura kanë përforcuar përpjekjet e ekipeve të pushtetit vendor, dhe kanë izoluar vatra të rrezikshme në terrene të vështira’ shkruan ministria e Mbrojtjes.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?