Kronikë

Zjarret në Korçë/ Prefektura: 171 forca në terren! Aktive vatrat në Dishnicë, Strelcë dhe Parkun Kombëtar të Prespës

27 Korrik, 09:34| Përditesimi: 27 Korrik, 09:49

  • Share

 

Prefektura e Qarkut Korçë ka njoftuar se vijojnë operacionet për shuarjen dhe monitorimin e vatrave të zjarrit në qark, me një angazhim të gjerë të forcave.

Sipas informacionit zyrtar të datës 27 korrik 2025, ora 08:30, në terren janë angazhuar rreth 171 forca njerëzore, ndër to efektivë të shërbimit zjarrfikës, strukturave pyjore, njësive administrative dhe repartit ushtarak 1033 Drenovë.

Në operacion po përdoren gjithashtu 7 mjete zjarrfikëse të tipeve të ndryshme dhe 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete shuarjeje, për të mundësuar ndërhyrjen në zonat me akses të vështirë.

Për orientimin dhe mbikëqyrjen e situatës nga ajri, janë vënë në përdorim dronë të cilët ndihmojnë në koordinimin e operacioneve. Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër gjendjen dhe të ndërhyjnë për neutralizimin e çdo vatre aktive.

Situata në terren:

1. Fshati Dishnicë, Nj.Adm. Bulgarec, Bashkia Korçë

Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes.

Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.

2. Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec

Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.

3. Fshati Strelcë, Nj.Adm. Gorë, Bashkia Maliq

Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.

Mbetemi ne kontakt.


Lajmi kryesor:

Shqipëria nën ‘pushtetin’ e flakëve! Stabilizohet situata në Borsh, u evakuuan 40 banorë e turistë! Në ndihmë një avion nga Italia (VIDEO+FOTO)


K.M/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?