Dhjetë vatra zjarri vijojn të mbeten aktive, ndërsa 34 vatra të cilat ishin shfaqur në zona të ndryshme të vendit u shuan dhe janë vënë nën kontroll. Ky është bilanci i raportuar sot nga Ministria e Mbrojtjes.
Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.
Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë.
Forca Ajrore me efektivët dhe mjetet janë në gatishmëri të plotë.
Ministria e Mbrojtjes u kërkon autoriteteve lojale të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret.
Sipas Sistemit Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, EFFI, nga data 1 janar 2024 dhe deri në 15 Gusht, janë djegur gjithsej 29143 hektarë me pyje.
Vijon zjarri i rënë në Malin e Thatë territori bashkisë Pustec dhe Pogradec, por intensiteti i tij gjatë ditës së sotme duket se ka rënë.
Nga fotot e siguruara nga Report Tv, shihet se zjarri ka djegur sipërfaqe të mëdha toke.
Aktualisht situata nga zjarri paraqitet është me e qetë, ndërsa përmirësim ka edhe në drejtim të Pogradecit mbi fshatin Bratomirë, njësia administrative Çërravë, ku vatra e zjarrit është fikur.
Me rritjen e temperaturave dhe fillimin e erës situata vështirësohet dhe del jashtë kontrollit për shkak dhe të terrenit të vështirë.
Për të neutralizuar zjarrin është kërkuar ndërhyrja nga ajri, por nisur nga situata e ngarkuar me zjarre në shkallë vendi, deri më tani nuk është mundësuar.
Policia ka proceduar penalisht dy piromanë pasi, ndezën zjarre në Mallakastër e Bulqizë për të pastruar sipërfaqe kullosore dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe me ullishte dhe bimësi.
Policia e Mallakastrës ka proceduar një 34- vjeçar me inicialet S. L, pasi ndezi zjarr në pyllin e fshatit Çërrilë, ku si pasojë e erës zjarri është përhapur dhe ka djegur pemë dhe ullishte.
Sipas policisë, forcat zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e vatrave të mbetura të zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ndërsa, edhe një 60-vjeçar me inicialet S.S, është proceduar penalisht nga policia e Bulqizës, pasi ndezi zjarr për të pastruar një sipërfaqe kullosore dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjë një sipërfaqe e madhe me bimësi.
"Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, identifikuan dhe proceduan penalisht shtetasin S.S., 60 vjeç, banues në fshatin Erebarë, Dibër", njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.