Ministria e Mbrojtjes në lidhje me situatën e zjarreve në vend ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 37 vatra, ku 4 prej tyre janë ende aktive dhe 2 të tjera janë në monitorim.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Selenicë, Sarandë, Himarë, Vau i Dejës, Korçë, Lezhë, Durrës, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Kamëz, Cerrik, Belsh, Roskovec, Lushnje, Skrapar, Poliçan, Përmet e Memaliaj.
“Aktualisht mbeten aktive vatrat:
Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat zjarrfikëse me 8 efektivë nga MZSH Bulqizë, 4 forca të Shërbimit Pyjor dhe 6 forca vullnetare.
Dibër - Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e plotë të tij. Në terren ndodhen 6 efektivë të MZSH Dibër , 6 efektivë të AdZM nga Librazhdi dhe Elbasani, 4 forca bashkiake, 11 forca vullnetaredhe 30 efektivë nga Forcat e Armatosura.
Qarku Tiranë. Në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me dushqe. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë me 1 automjet zjarrfikës me 4 efektivë, të cilët punuan për tij deri në orët e vona por pa mundur ta shuajnë plotësisht. Ditën e sotme në terren ndodhet 1 automjet zjarrfikes me 4 efektivë. Vatra e zjarrit është nën kontroll.
Në fshatin Rrostej, njësia administrative Sinaballaj, bashkia Rrogozhinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje shkuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë me 1 automjet zjarrfikës me 9 efektivë, të cilët punuan deri në orët e vona, por pa mundur ta shuajnë plotësisht edhe për shkak të terrenit të vështirë. Ditën e sotme në terren ndodhet 1 automjet zjarrfikes me 4 efektive. Vatra e zjarrit është nën kontroll”, njofton Mbrojtja.
Ndërkohë nën monitorim janë vatrat në vendgrumbullimin e mbeturinave në Piskovë, Përmet dhe zjarri i rënë në Dukat.
“Në monitorim:
Qarku Gjirokastër. Në fshatin Piskovë, njësia Qendër Piskovë, bashkia Përmet, ku zjarri ka rënë në vendgrumbullimin e mbeturinave. Ditën e sotme është vetëm një vatër e vogël në qëndër të vendgrumbullimit, e cila digjet në brendësi dhe nuk ka rrezik për përhapje të mëtejshme.
Qarku Vlorë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe. Ditën e sotme siuata në Sotiran po monitorohet pasi ka prani të tymit”, njofton MM.
Nga zjarret e rëna në të gjithë vendin deri tani janë janë djegur rreth 52 hektarë bimësi.
“Në një rast, zjarri ranë një banesë në Tiranë dhe në dy magazina në Kamëz dhe në Roskovec. Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 52 hektarë bimësi.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 547 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 52 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, sot priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Elbasan dhe Vlorë, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje.
Sa i përket zjarreve, pritet nivel “I LARTË” rreziku në qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, nivel rreziku “I MODERUAR” në qarqet Lezhë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel rreziku “I ULËT” në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve”, përfundon njoftimi.
Komente
