Zjarret 'pushtojnë' vendin muaj përpara sezonit, numërohen 60 vatra, 10 vetëm në Tiranë! Drejtor i Zjarrfikësve: Të gjitha të qëllimshme, hera e parë që shoh kaq vatra në këtë periudhë

26 Mars 2022, 12:19| Përditesimi: 26 Mars 2022, 14:04

  • Share

Sezoni i zjarreve duket se këtë vit ka nisur më herët, duke i gjetur forcat zjarrfikëse të papërgatitura. Zjarrfikësit e Tiranës luftojnë me orë të tëra me flakët në zonën e Brarit, në lartësi që e vështirëson ndjeshëm punën e tyre. Në këtë periudhë të vitit zjarrfikësit zakonisht përqendrohen në përgatitje për verën, por si asnjëherë më parë luftojnë me flakët maleve.

 “Faktikisht tani është koha dhe periudha kur shërbimi zjarrfikës bën trajnime për të përballuar situatën e zjarreve në stinën e verës, por këto ditë po na ndodh krejt e kundërta, është e pazakontë. Ka një numër shumë të madh të shfaqjes së vatrave të zjarrit, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin. Nga statistikat, ka pasur mbi 60 vatra zjarri dhe nuk është se janë vatra zjarri me përmasa të vogla që eliminohen shpejt, por ka pasur edhe përhapje të zjarreve në dëm të pemëve frutore”, thotë Shkëlqim Goxhaj, drejtor i ZjarrfikësveTiranë.

Flakët kanë përfshirë zona të larta, tek të cilat është e pamundur ndërhyrja me zjarrfikëse. Efektivët janë fokusuar në mbrojtjen e perimetrit.

“Për sa i përket Tiranës, ka pasur mbi 10 shfaqje të vatrave të zjarrit. Shërbimi Zjarrfikës së Tiranës i ka kapacitetet, por kemi pasur edhe zjarre në terrene të vështira, ku për shërbimin është e pamundur ndonjëherë për të ndërhyrë, siç kemi zjarrin në zonën e Brarit, i cili është në lartësi maksimale të malit atje”, vijon Goxhaj.

Për kreun e forcave zjarrfikëse në Tiranë, është hera e parë që përballet me zjarre në këtë periudhë të vitit, dhe për këtë, ai fajëson vetëm njerëzit.

“Është thatësia e çuditshme në këtë periudhë, por zjarret 100% i shkakton faktori njeri. Pra, qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm, nuk duhet të përdorin zjarrin për eliminimin e mbeturinave bujqësore. Tani nuk është edhe periudha që ka gjëra të tilla, kështu që mendoj që në këtë rast janë zjarre me qëllim. Është hera e parë në kaq vite shërbim që shikoj zjarre në këtë periudhë dhe jam i bindur që janë zjarre me qëllim”, thotë Goxhaj.

Bashkë me Policinë e Shtetit ka nisur puna për evidentimin e personave të dyshuar për zjarrvënie.

“Ne po punojmë me grupet hetimore të Policisë së Shtetit dhe patjetër që do të vëmë persona para drejtësisë, sepse nuk ka mundësi që në këto temperatura të ulëta të kemi këtë numër të lartë të shfaqjes së vatrave të zjarrit”, përfundon Goxhaj.

Vatra të fuqishme zjarresh janë konstatuar në të gjithë vendin këto ditë marsi. Qindra hektarë janë shkrumbuar në Gramsh, Vlorë, Berat, Elbasan, Kukës dhe Tiranë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Eva: 27/03/2022 06:51

    Vetë i venë zjarret fshatarët. Mbizotërojnë njerëz të aftë veç për shkatërrim.

    Përgjigju
  • Fshati: 26/03/2022 14:57

    E kane fajin njerezit per zjarret, per spitalet, per drejtesine, per tokat, per ndertimet pa leje, per emigrimin. Faleminderit qe nuk na bejne pergjegjes per vilat te gjiri i Lalzit, per femijet e politikaneve, per pushimet e tyre.

    Përgjigju
  • Yyyy: 26/03/2022 14:26

    O zot cfare populli me bisht qe jemi,shkaterrojme gjithcka.Zot na ruaj nga te keqinjte dhe injoranter

    Përgjigju
  • Lano: 26/03/2022 13:49

    Kshu esht kur nuk u denua asnje nga zjarrvenesit e vjetshem. Futini 7-10 vite burg edhe te ja ven zjarrin po deshen

    Përgjigju
  • Xhixhi: 26/03/2022 13:39

    Vendosni kamera dhe futini ne burg fajtoret. Ne disa raste jane vete zjarrefikesit qe e vene zjarrin vete.

    Përgjigju
    • deni: 27/03/2022 07:33

      O te keqen e emrit!! Po zjarrfiksit pune vetes se tyre do i hapin, apo paguhen ata te gjoret.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?