Kronikë

Zjarri në Dukat, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së, aktivizon Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Ministri Vengu: Temperatura të larta ditët në vijim

21 Korrik, 17:32| Përditesimi: 21 Korrik, 17:41

  • Share

 

Për shkak të situatës problematike të zjarrit në Dukat të Vlorës, Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuan ndihmën e BE-së.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pasi vizitoi në Spitalin e Vlorës tre zjarrfikësit që pësuan lëndime, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë.

Avionët zjarrfikës të BE-së në ndihmë të Shqipërisë pritet të mbërrijnë gjatë orëve në vijim.

Ministri ka paralajmëruar gjithashtu se temperaturat e larta do të arrijnë kulmin të enjten dhe të premten.

“Janë ditë që do të vijojnë të jenë të vështira përsa i përket luftës kundër zjarreve, sidomos në zonat malore dhe pyjore. Kemi mobilizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile në mënyrë që në ditët në vijim dhe orët në vijim të kemi mbështetje dhe nga vendet partnere. Do jenë ditë me temperatura shumë të larta, me maksimumin të enjten dhe të premten, sipas parashikimeve të meteorologjisë ushtarake, ndaj në mbarë territorin jemi në gatishmëri të plotë. Do vijojmë në orët e mbrëmjes të bëjmë një raport situates përsa i përket dislokimit të të gjitha forcave këto ditët ku parashikohet piku i temperaturave të larta, të jemi në gatishmëri maksimale”, u shpreh ministri Vengu.

Zjarri në Dukat të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Vatra, që u riaktivizua 2 ditë më parë, u shfaq fillimisht para rreth 10 ditësh dhe për shkak të terrenit të vështirë malorë, ndërhyrja e zjarrfikësve mbetet sfidë.

Për këtë arsye, është aktivizuar disa herë nga ajri helikopteri i ushtrisë.


Lajmi kryesor:

Mali i Dukatit në Vlorë nën pushtetin e flakëve, Shqipëria aktivizon Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile! Në ndihmë 4 avionë ‘Canadair’ nga Greqia dhe Italia! Lëndohen 3 zjarrfikës


V.GJ /I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?