Kronikë

Denoncimi i Report Tv për orët shtesë të zjarrfikësve të Vlorës/ Dje e mohoi, Leli e pranon sot: Paratë nuk i kanë marrë për arsye të kufizimeve ligjore, do paguhen për të gjitha

7 Gusht 2021, 11:39| Përditesimi: 7 Gusht 2021, 13:57

  • Share

Një ditë më parë e mohoi, ndërsa sot, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka konfirmuar lajmi e 'Report Tv, duke pranuar se zjarrfikësit në Vlorë, prej dy muajsh nuk kanë marrë paratë që i takojnë për orët shtesë të punës.

Sipas Lelit, kufizimet ligjore janë bërë pengesë që zjarrfikësit, të cilët janë heronjtë e këtyre ditëve të vështira ku ndodhet vendi me flakët, të bëhen pengesë që ata të mos shpërblehen për mundin dhe sakrificën e tyre.

Sipas Lelit, atyre i paguhen 40 orë shtesë në muaj jashtë orarit, ndërsa pjesën tjetër të orëve po shtesë që kanë punuar, i marrin një herë në 3 muaj në vazhdim, ose jepet leje e zakonshme, ditë pushimi, në zgjedhje të punonjësit si i e kërkon ai. Leli thekson se zjarrfikësit e Vlorës kanë orët shtesë të korrikut dhe gushtin pa marrë, ku kanë punuar me turne 24 orë.

"Zjarrfikësit janë paguar të gjithë për orët e punës së zakonshme, për orët shtesë dhe do paguhen për të gjitha orët shtesë që kanë ngelur pa paguar për arsye të kufizimeve ligjore që ka për pagesën e tyre. Punonjësit e zjarrfikëses do paguhen për çdo orë punë", tha Leli.

Report Tv denoncoi një ditë më parë faktin se 35 zjarrfikësit e Vlorës, të cilët po përballen me flakët, prej dy muajsh nuk paguhen për orët shtesë. Rezulton se ‘heronjtë e zjarrit’, nuk janë paguar për 178 orë gatishmëri, në luftën kundër flakëve që kanë djegur me qindra hektarë tokë, por edhe banesa e stane.

Në një prononcim për Report Tv, ditën e djeshme, Leli mohoi lajmin, duke pretenduar se 'pagesat për orët shtesë kanë kaluar në llogaritë e zjarrfikësve që më datë 4 gusht'.  Por burime për Report Tv nga zjarrfikësit e Vlorës rikonfirmuan se asnjë qindarkë nuk ka kaluar për ta, gjë që u pranua sot edhe nga vetë Leli.

Bashkia e Vlorës ka një fond prej 35.3 milionë lekësh për Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me synim që të përmirësohet siguria publike nëpërmjet sigurimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit.

Ndërsa bazuar në buxhetin e vitit 2021 të kësaj bashkie, fondi i pagave për personelin ezjarrfikësit ku përfshihen komisar zjarrfikës, kryeinspektor zjarrfikës, krye-zjarrfikës, zjarrfikës, asistent zjarrfikës është mbi 33 milionë lekë. Nga fond 5.5 milionë lekë është i përcaktuar për orët shtesë dhe qëndrimin në gatishmëri, ndërsa paga mujore e një zjarrfikësi në Vlorë është 46 mijë lekë.

E megjithatë, prej 2 muajsh, asnjë lek nuk ka shkuar për zjarrfikësit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?