Shqipëria vijon betejën me flakët e zjarrit. Delvina është e rrethuar nga zjarri edhe sot, pas luftës së mbrëmshme me flakët e llahtarshme. Zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë. Energjia elektrike është ndërprerë.
Banorët e lagjes Kasapaj në Delvinë janë evakuuar plotësisht. Zjarri rrezikoi edhe sot puset e gazit në këtë lagje, por efektivët e ushtrisë po e mbajnë nën kontroll situatën. Forcat zjarrfikëse e kanë përqëndruar punën në Kasapaj për të zbrapsur flakët.
Rreth orës 15:00, në Delvinë ndërhyri nga ajri një avion Canadair i dërguar nga Italia.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes thotë se efektivët e Forcave të Armatosura kanë arritur me sukses të ndalojnë avancimin e flakëve drejt banesave në Delvinë.
Situatë emergjente është edhe në Gramsh, veçanërisht në fshatin Nartë të njësisë administrative Skënderbegas. Aty veprojnë 3 helikopterë për shuarjen e flakëve. Mbrojtja ka kërkuar evakuim të banorëve nga fshatin Nartë.
Momentalisht situata është shumë e vështirë në fshatin Menkollar ku janë 3 zjarrëfikse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrëfikësve, vullnetare banore të shumtë të zonës dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.
Ndërkohë është riaktivizuar zjarri edhe pranë fshatit Ërmenj dhe Koshnicë. Në teqen e Dushkut ku vazhdon të digjen sipërfaqe të madhe në pyje e kullota.
Sipas të dhënave nga kryetari i njësisë administrative Skënderbegas, rezulton që në fshatrat e Gramshit të jenë djegur 39 banesa.
Ministria e Mbrojtjes bëri edhe bilancin e zjarreve në vend deri në orët e pasdites, ku konfirmoi 37 vatra zjarri aktive, ku më problematiket mbeten ato në zonat e Gramshit dhe Delvinës, ku punohet me intensitet të lartë me forca nga toka dhe ajri, duke përfshirë ushtrinë, helikopterët dhe avionët vendas dhe të huaj, Canadair apo të Mekanizmit Europian. Në orët e mbrëmjes, kryeministri rama njoftoi se ishin vetëm 34 vatra zjarri aktive, kurse 13 të tjera ishin shuar dhe mbaheshin të izoluara.
Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë ka nisur procesin e inventarizimit të dëmeve në kafshë dhe pemëtari, teksa Shërbimi Veterinar Gramsh-Elbasan po bën edhe groposjen apo asgjesimin e kafshëve të ngordhura nga zjarri, për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve.
Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, ndodhet në Gramsh për të ndjekur nga afër situatën e rëndë të shkaktuar nga zjarret. Ai sjell edhe detajet më të fundit nga fshati Harunas i Gramshit.
Vatra e zjarrit në Kuç të Vlorës
Zjarret e jugut po mbajnë në alarm Shqipërinë, teksa pas Delvinës, Finiqit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, vatrat e zjarrit shfaqen edhe në territorin e Vlorës.
Raportohet nga gazetari Armand Xhelili se dy vatra të reja zjarri janë shfaqur mbrëmjen e sotme në fshatin Kuç.
Përmasat e zjarrit duken të frikshme nga pamjet e siguruara, teksa 2 mjete zjërrfikëse dhe 30
forca vullnetare ndodhen në terren, në luftë me flakët, për të mos lejuar zgjerimin e vatrës dhe prekjen e shtëpive, gjësë së gjallë dhe banorëve.
Shuhet dhe vihet nën kontroll zjarri i rrezikshëm që kërcënonte Lazaratin dhe qytetin e Gjirokastrës.
Vatra që po zgjerohej nga Delvina për në drejtim të qytetit të gurtë mësohet se është fikur plotësisht nga forcat operacionale në terren dhe ato nga ajri.
Gazetari i Report Tv, Pirro Nase, informon se flakët që po shkonin drejt Lazaratit janë fikur plotësisht falë ndërhyrjes së MZSH Gjirokastër, të ndihmuar edhe nga disa banorë të fshatit.
Flakë, tym, blozë dhe situatë apokaliptike.
Këto janë pamjet e realizuara me dron që vijnë nga zona e thellë e Gramshit, në vatrat e zjarreve që shkrumbuan gjithçka dhe po vijojnë në fshatrat Skënderbegas, Harunas dhe Nartë.
Report Tv sjell ekskluzivisht këto pamje nga lart nëpërmjet gazetarit Sokol Dema që ishte në terren duke ndjekur situatën hap pas hapi ditën e sotme, ku dallojnë qartë drama që kanë përjetuar fermerët dhe bujqërit e këtyre zonave, por edhe shkalla e dëmeve dhe ankthi i përjetuar.
Nga ajri helikopterë me kova të mëdha uji të varura në litar që nxitojnë drejt vatrave ku ka tym dhe flakë, banorë me lopata e degë pemësh që përpiqen me mjete rrethanore të parandalojnë zjarrin të dëmtojë pronat e tyre.
Njolla të errëta të gjurmëve të flakëve nga pyjet në fshat, shtëpi të rrafshuara nga zjarri dhe deri tek dëmet në kosheret e bletëve. Në atë turbullirë të shkaktuar nga vatrat e zjarrit, mund të ndjesh edhe aromën e mishit të djegur të kafshëve që e pësuan nga këto zjarre.
Ankthi për banorët e këtyre zonave nuk ka mbaruar ende, teksa dallojnë qartë djegiet e shtëpive në Skënderbegas dhe Harunas, dy nga fshatrat më të prekur nga zjarret. Por dëme ka edhe në Nart ku flakët vijojnë dhe Emergjencat janë në aksion nga ajri dhe toka.
Bilanci i plotë i dëmeve nuk është bërë ende, por teksa flakët përpijnë në rrugën e tyre gjithçka gjejnë para në zonën e Gramshit, nga lart me dron mund të dallosh ‘damkën’ e zezë që kanë lënë flakët, një katastrofë e vërtetë natyrore dhe deri njerëzore.
Greqia i shpreh ngushëllime dhe mbështetje Shqipërisë për situatën e krijuar nga zjarret ditët e fundit, të cilën po e përjeton aktualisht edhe vetë vendi fqinj.
Ambasada e Greqisë në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në rrjetin social në Facebook, teksa shprehu solidaritet dhe bashkëpunim, theksoi se po monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend.
Nënvizohet se në kuadrin e kapaciteteve dhe mundësive, vendi fqinj ‘kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh’.
Postimi i plotë i Ambasadës së Greqisë:
“Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta vendit mik dhe fqinj, Shqipërisë, dhe monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend.
Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh”.
Bashkia e Kolonjës ka bërë me dije se vatra e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjes dhe në afërsi me kufirin grek, është nën kontroll.
Në njoftim thuhet gjithashtu se në ndihmë të zjarrfikësve kanë ardhur edhe efektivë ushtarakë të xhenjos, të cilët ndërhynë për demontimin e municionave të konstatuara në zonë.
Njoftimi i plotë:
Situata e vatrës së zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjes në territorin e bashkise Kolonjë dhe në afërsi me kufirin grek, është mbajtur që në orët e para të mëngjesit e gjatë gjithë ditës së sotme në kontroll e monitorim, duke punuar për të parandaluar përhapjen e perimetrit të zjarrit brenda kurorës zonë e mbrojtur, nga ekipi i MZSH Kolonjë, punonjësit e drejtorisë rajonale të Agjencisë së Zonave te Mbrojtura e vullnetarë të zonës, mbështetur nga efektivë ushtarakë të xhenjos, të cilët ndërhynë për demontimin e municionave të konstatuara në zonë.
Shërbimi i bashkisë Kolonjë ka punuar gjithashtu edhe me skrep për të hapur rrugë pyjore, në mënyrë që mjetet zjarrëfikëse të afrohen sa më pranë sipërfaqes së prekur, e cila ndodhet në një distancë rreth dy orë larg në një terren jo të lehtë për t'u përshkruar.
Shtabi i emergjencave civile vendore po planifikon dhe organizon për vijimin e ndërhyrjes nesër që herët në mëngjes, duke komunikuar e koordinuar veprimet edhe me strukturat e palës greke.
Falenderim e mirënjohje për punën e palodhur të gjitha forcave!
Zjarri në Delvinë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke djegur shtëpi, sipëfarqe me bimësi dhe gjithashtu edhe kafshë.
Në këto foto të shpërndara nga LSA duken qartësisht sesi zjarri ka ‘pushtuar’ dhe ka marrë përpara çdo gjë.
Nga një anë shihen zjarrfikësit që luftojnë me flakët, e nga ana tjetër shihen banorët të shkatërruar për këtë gjendje katastrofike.
Shërbimi Veterinar i Elbasanit dhe Bashkia e Gramshit kanë nisur punën në terren për evidentimin e kafshëve të ngordhura dhe procesin e groposjes së tyre, me qëllim që të mos përhapen sëmundjet tek banorët.
Të pranishëm në këtë operacion ishin drejtues vendorë, përfshi edhe kryebashkiaku i Gramshit, Besjan Ajazi.
Zyrtarët konfirmuan se po bëhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i kafshëve, “në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare të mbrojtjes së mjedisit”.
“Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur”, informon DSHV Elbasan.
Njoftimi zyrtar i DRVMB:
“Drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan, z. Spiro Hunçi , së bashku me stafin veterinar të Zyrës Vendore të Veterinarisë Gramsh, nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit veterinar z. Fatmir Ozuni , ndodhen sot në Njësinë Administrative Skënderbegas, ku po zhvillohet procesi i evidentimit dhe inventarizimit të kafshëve të ngordhura, djegura apo asfiksuar si pasojë e zjarrit.
Në këtë veprimtari po merr pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besian Ajazi, së bashku me strukturat vendore të emergjencave dhe banorët e zonës.
Po kryhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i trupave të kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare dhe mbrojtjes së mjedisit.
Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur”.
Miri dhe Bledi janë banorë të Gramshit, që prej ditës së djeshme (12 gusht) kanë marr autobotin e tyre dhe gjithë kohës kanë qenë në dispozicion të zjarrfikëseve për t'i furnizuar me ujë.
Ata shprehen për Report Tv se herë pas here kanë ndërhyrë edhe vetë për të fikur flakët.
“Kemi ardhur që dje pasdite. Mbushim zjarrfikëset me ujë. Sot kemi bërë tre rrugë. Situata është pak e vështirë. Secili duhet të kontribuojë sadopak”, thanë ata për Report Tv.
Pamje nga një stan i djegur
Në operacion për situatën kritike të zjarreve në vend jo vetëm zjarrfikësit, strukturat vendore dhe Emergjencat e Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë.
Institucioni ka nisur punën për evidentimin e dëmeve në bujqësi dhe blegtori tek fermerët dhe bujqit në zonat e prekura.
“Në të gjithë vendin në terren kanë dalë edhe ekipet e Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe të Agjencisë Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, për të vlerësuar dëmet e bëra në bujqësi dhe blegtori.
Në të gjitha zonat ku ka rënë zjarri por që tashmë flakët janë shuar, ekipet e ministrisë do të bëjnë një inventar mbi humbjet jo vetëm tek bagëtitë, por edhe tek të mbjellat apo pemëtari të qytetarëve të dëmtuar”, njofton Ministria e Bujqësisë.
Deri më tani nuk ka një bilanc për dëmin që i është shkaktuar banorëve të prekur nga zjarret, por me qindra hektarë ullishte e pemë të tjera janë shkrumbuar, e po ashtu disa stane janë djegur nga zjarret, rasti i fundit është ai në Gramsh, por edhe në Tepelenë.
Flakët e zjarrit që nisën nga Bashkia e Delvinës kanë pushtuar malin e Sopotit dhe tashmë kanë hyrë në territorin e Bashkisë Gjirokastër.
Zjarri i favorizuar nga era dhe thatësira, kërcënon edhe qytetin e Gjirokastrës dhe fshatin Lazarat.
Forcat zjarrfikëse së bashku me banorë të Lazaratit po punojnë për neutralizimin e zjarrit.
Forcat e ushtrisë duke luftuar me zjarret
Ministria e Mbrojtjes bëri bilancin e zjarreve gjatë ditës së sotme, ku janë regjistruar deri tani 37 vatra zjarri dhe që janë aktive në vend.
Grupet operacionale po vijojnë të punojnë nga toka dhe ajri me mjete, forca, avionë dhe helikopterë, për të shuar flakët në të gjithë territorin, që deri tani kanë shkaktuar 1 viktimë, dhjetëra të lënduar e shtëpi të djegura, si bagëti të ngordhura e sipërfaqe të tëra me tokë, bimësi, pyje e pemëtari të shkrumbuara.
Situata më kritike vlerësohet në Bashkinë e Delvinës, rrethinat dhe fshatrat e saj. Situata e zjarrit është problematike, pasi ka depërtuar në lagjen Kasapaj, në banesa. Në operacion po marrin pjesë edhe 2 helikopterë çek dhe sllovak në ndihmë të forcave tokësore.
Në bashkinë Finiq, vazhdon aktive vatra e shfaqur në Dhivër, e cila aktualisht është në Syrin e Kaltër, Pecë, Sirakat, Kardhikaq, në drejtim të bashkisë Delvinë, në kodrat që rrethojnë qytetin nga fshati Vllahat në drejtim të fshatit Kakodhiq. Njëkohësisht vatra ka kapur pllajën e faqes se malit të Gjerë dhe Sopotit. Për ditën e sotme po të operohet me kapacitet e bashkisë.
Zona e dytë nevralgjike e prekur rëndë nga zjarret është Gramshi. Vazhdon zjarri në fshatin Kullollas, Njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ku situata është rënduar me përfshirjen edhe të fshatrave përreth Harunas. Ministria informon se zjarri është duke shkuar drejt fshatit Nartë, ku është dhënë njoftimi për evakuim. Pati një rritje të intensitetit të zjarrit. Të gjitha kapacitetet e qarkut janë të përqendruara në Gramsh.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Situata e zjarreve në rang vendi. Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive në zonat:
Qarku Vlorë.
Në bashkinë Delvinë, situata e zjarrit është problematike, pasi zjarri ka depërtuar në lagjen Kasapaj, në banesa. Në operacion po marrin pjesë edhe 2 helikopterë çek dhe sllovak në ndihmë të forcave tokësore.
Në bashkinë Finiq, vazhdon aktive vatra e shfaqur në Dhivër, e cila aktualisht është në Syrin e Kaltër, Pecë, Sirakat, Kardhikaq, në drejtim të bashkisë Delvinë, në kodrat që rrethojnë qytetin nga fshati Vllahat në drejtim të fshatit Kakodhiq. Njëkohësisht vatra ka kapur pllajën e faqes se malit të Gjerë dhe Sopotit. Për ditën e sotme po të operohet me kapacitet e bashkisë.
Në fshatin Bistricë, njësia administrative Mesopotam, bashkia Finiq. Zjarri zhvillohet në lartësi të malit. Nuk ka rrezik për banesat, po mbahet në kontroll.
Në fshatin Tremul, njësia administrative Aliko, bashkia Finiq, ku situata është e rënduar pasi rrezikohen banesat. Në terren ndodhen 1 automjet zjarrfikës me 3 efektiv të MZSH Finiq dhe 1 automjet 3 efektiv MZSH Sarandë.
Në Malin e Sopotit, bashkia Delvinë është aktivizuar një vatër zjarri, e cila po i afrohet territorit të bashkisë Gjirokastër. Në terren ndodhen forca nga MZSH Gjirokastër.
Qarku Dibër
Vatra e zjarrit në Ternovë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë ndihmuar nga era ka marrë përmasa. Në terren janë duke operuar forca nga MZSH, forcat e pyjores dhe punonjës të bashkisë si dhe forca të kompanive private të minierës, për shkak të terrenit e kanë të vështirë vënien në kontroll të zjarrit i cili favorizohet nga era pranë Liqenit të Zi. Në terren ndodhen 30 forca nga FA dhe 50 forca nga bashkia
Në Malin me Gropa në Bizë të Martaneshit, Bashkia Bulqizë, njësia administrative Martanesh, zjarri vijon aktiv. I prekur dhe fshati Val, por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet për izolimin përfundimtar.
Në lagjen Miravec, fshati Sohodoll, njësia administrative Kastriot, bashkia Dibër, është shfaqur një vatër e re zjarri në sipërfaqee shkurre, ferra dhe hamullore, por pa rrezik për banesa. Në terren janë 4 forca MZSH, 1 mjet zjarrëfikes.
Qarku Berat
Në fshatin Rehovë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan. Vazhdon të mbetet aktive vatra e zjarrit në “Rezervatin e Menaxhuar Balloll”, zonë e mbrojtur. Një pjesë e zjarrit po kalon në faqen perëndimore të Malit Selenicë, duke vendosur në rrezik disa banesa, fshati Çorogjaf, Lagje Selenicë. Në terren janë aktualisht 1 mjet zjarrfikës dhe 6 forca të FA, 1 mjet dhe 4 forca MZSH Dimal.
Në fshatin Vokopolë, njësia administrative Tërpan, bashkia Poliçan, si pasojë e një shkëndije nga shkëputja e linjës së tensionit është aktivizuar një vatër zjarri, e cila në pak kohë ka marrë përmasa. Në vendngjarje u angazhuan forca dhe mjete nga MZSH dhe bashkia. Si pasojë e zjarrit u dogjën 6 banesa, nga të cilat 3 të pabanuara. Vatra e zjarrit është me intensitet të ulët dhe po mbahet në monitorim.
Në fshatin Mbrakull, njësia administrative bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, në vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në terren ka ende forca operacionale.
Në fshatin Velçan, njësia administrative Sinjë, bashkia Berat. Vatra e zjarrit është riaktivizuar. Në vendngjarje po punojnë 3 automjete me 20 efektivë të MZSH si dhe 25 forca bashkiake. Ka përhapje të zjarrit dhe kërkohet mbështetje nga ajri.
Në fshatin Orizaj, njësia administrative Qendër Skrapar, bashkia Skrapar. Në terren po punojnë 6 forca zjarrfikëse dhe 2 mjete MZSH, 5 punonjës të Shërbimit Pyjor të bashkisë Skrapar, 5 forca vullnetare. Vatra është në Monitorim. Janë djegur rreth 100 ha me shkurre, ullinj dhe pemë frutore.
Në fshatin Çiflig, njësia administrative Poshnje, bashkia Kuçovë. Në vendngjarje po shkojnë 8 efektivë të MZSH me 1 mjet.
Në fshatin Goraj, njësia administrative Perondi, bashkia Kuçovë është shfaqur një vatër zjarri në një sipërfaqe me ullishte, e cila ka marrë përmasa. Në terren kanë shkuar 1 mjet zjarrfikës me 8 forca operacionale.
Qarku Tiranë
Në fshatin Spanesh, Kazie dhe Spille, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Zjarri është vënë nën kontroll. Vatra nuk paraqet rrezik për përhapje.
Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, njësia administrative Zall-Herr, zjarri i nisur në datën 10.8.2025 po zhvillohet në territorin e këtyre fshatrave Ferraj dhe Zall Herr. Terreni kodrinor e bënë të vështirë ndërhyrjen e forcave dhe mjeteve nga toka. Në terren ndodhen 20 forca zjarrfikëse me 4 mjete MZSH të bashkisë Tiranë dhe Kavajë, 11 forca AdZM, 5 forca APR si dhe forca të policisë së Shtetit.
Në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, zona e Arbanës, njësia administrative Vaqarr. Vatra është aktive në kodrat e Vaqarrit dhe Pezës. Nuk ka rrezik për banesa dhe po vazhdon monitorimi nga terreni.
Vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri vazhdon të përhapet në fshatin Durishtë. Në terren ndodhen 12 forca zjarrfikëse me 3 mjete MZSH, 5 fora APR si dhe prezencë e Policisë së Shtetit.
Në Kodër Selitë, njësia administrative nr. 5, është aktivizuar një vatër zjarri dhe është nën kontroll.
Qarku Gjirokastër
Në drejtim të fshatit Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan, vatra e cila erdhi nga bashkia e Finiqit u hap në dy fronte në majën e Leftokaresë: në fshatrat Lugar e Frashtan, vatra u vu nën kontroll, ndërsa po punohet për fikjen e vatrës në drejtim të fshatit Dhuvjan.
Në fshatin Hormovë, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë .Nga puna e forcave në terren është shmangur rreziku për banesat. Kane ndërhyrë 4 zjarrfikës, 8 forca bashkiake nga bashkia Gjirokastër dhe 2 mjete. Vijon puna për shuarjen përfundimtare.
Ne fshatin Koshtan njësia administrative Qesarat, bashkia Memaliaj. Është shmangur rreziku për banesat dhe situata është ne monitorim me 4 mjete zjarrfikës dhe 1 mjet fouristradë.
Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Kodër. Janë djegur dy stalla bagëtish, 1 lopë, 2 viça dhe 1 kal. Zjarri vazhdon të jetë aktiv, por e ka ulur disi intensitetin. Në terren operuan forca dhe mjete nga i gjithë qarku Gjirokastër, me 6 automjete zjarrfikëse me 23 efektivë, 20 forca policore, 20 forca bashkiake, 15 forca vullnetare dhe 20 forca nga FA. Sot vijon puna me forca në terren të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.
Në fshatin Lazarat, bashkia Gjirokastër është shfaqur një vatër zjarri e ardhur nga Delvina.
Në bashkinë Dropull, fshati Goranxi mbi Manastirin e Shën Mërisë është shfaqur një vatër zjarri, e cila për momentin është normalizuar. Zjarri vazhdon matanë antenave të Sopotit në drejtim të Delvinës dhe Gjirokastrës.
Qarku Elbasan
Vazhdon zjarri në fshatin Kullollas, Njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, ku situata është rënduar me përfshirjen edhe të fshatrave përreth Harunas. Zjarri është duke shkuar drejt fshatit Nartë, ku është dhënë njoftimi për evakuim. Pati një rritje të intensitetit të zjarrit. Të gjitha kapacitetet e qarkut janë të përqendruara në Gramsh. Janë duke operuar dy helikopterë EBA. Në terren ndodhen 2 mjete zjarrfikëse në zonën e Nartës dhe mbi fshatin Skënderbegas ndodhen 3 mjete zjarrfikëse.
Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, vijon të jetë aktiv zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiakë e banorë të zonës.
Në fshatin Garunjë, njësia administrative Pajovë, bashkia Peqin është aktivizuar një vatër zjarri.
Në fshatin Polis Gurëshpat, njësia administrative Polis, bashkia Librazhd është shfaqur një vatër e re zjarri. Në terren kanë shkuar 1 mjet zjarrfikës me 4 forca operacionale.
Qarku Shkodër
Në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, bashkia Fushë Arrëz. Zjarri është në sipërfaqe pyjore dhe me shtrirje të madhe. Forca në operacion: 65 efektive FA, 2 mjete ZF, 16 efektiv zjarrfikës dhe 2 mjete nga bashkia Fushë Arrëz. 77 forca të bashkisë dhe pyjore. 16 forca policore. Situata sot është më e qetë dhe banesat janë jashtë rrezikut.
Në bashkinë Puke është raportuar zjarr në sipërfaqe pyjore, Mesul. Vatra e zjarrit është nën kontroll dhe mbahet në monitorim.
Në fshatin Shegan, njësia administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe. Terreni vështirëson punën e forcave.
Në njësinë administrative Postribë situata është nën kontroll.
Qarku Kukës
Në bashkinë Kukës vatra e zjarrit në zonë pyjore Parku Natyror i Monellës në vendin e quajtur Maja e Zezë, është izoluar.
Qarku Korçë
Në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë. Vatra e zjarrit ngelet problematike për shkak të pranisë së municioneve, të cilët shpërthejnë herë par here. Në terren për vlerësimin e situatës në lidhje me municionet luftarake ndodhen ekipe xheniere nga FA. Situata po vijon të monitorohet.
Qarku Lezhë
Në fshatin Blinisht dhe Kotërr, njësia administrative Blinisht afër kishës së fshatit janë shfaqur dy vatra zjarri".
Një nga banesat e djegura në Delvinë
Zjarret në Delvinë vijojnë të përpijnë sipërfaqe të tëra me pyje dhe jo vetëm. Situata apokaliptike ka bërë pjesë të bilancit të saj dramatik edhe shtëpi të djegura, përfshi edhe një kishë.
Gazetari i Report Tv, Limos Didani, informon se nga bilanci paraprak i dëmeve në territorin e bashkisë së Delvinës, ka 3 banesa të djegura në qytetin e Delvinës, 2 banesa të djegura në fshatin Kakodhiq, kisha si dhe 1 banesë në fshatin Lefterhor.
Zjarrfikësit, ushtria dhe emergjencat vijojnë operacionin e tyre nga toka dhe ajri për shuarjen e flakëve masive, për të mos lejuar daljen e situatës jashtë kontrollit.
Pas situatës mjaft të rënduar në Delvinë, sot ka ndërhyrë për herë të parë avioni ‘Canadair’ nga italia.
Flakët në këtë zonë po përhapen me shpejtësi edhe drejt lagjes Papuçi, drejt fshatit Rusan në periferi në jug të qytetit dhe drejt malit të Sopotit në veri.
Gramshi ndodhet ende në një situatë të rënduar sa i përket zjarreve.
Report Tv ka shkuar në fshatin Skënderbegas ku gjithçka që ka mbetur është tymi, shtëpi dhe kasolle të djegura së bashku me bagëti.
Ndërkohë banorët janë larguar për të shmangur rreziqet e mundshme.
Filip Xuxi, nënkryetari i Bashkisë së Delvinës ka përfunduar në spital pas përballjes me flakët në terren.
Xuxi ka shfaqur vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit të rënduar në zonë që çlirohet nga zjarret e fuqishme.
Nënkryetari i Bashkisë Delvinës shihet i ulur në një karrige në rrota teksa po transportohet në spitalin e qytetit për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Zjarri në Delvinë është përhapur edhe në zonën e Kakodhiqit dhe Lefterhorit.
Si pasojë e flakëve të përhapura me shpejtësi janë djegur disa banesa dhe kishën në Lefterhor.
Flakët e zjarrit në Delvinë janë drejtuar sërish drejt depozitave të gazit në lagjen “Kasapaj”. Aty është situata më e rëndë, ku janë përqëndruar forcat më të mëdha zjarrfikëse.
Pamjet që përcjellin nga Delvina korrensponentët tanë tregojnë më së miri situatën e rënduar në lagjen “Kasapaj”, ku ndodhen depozitat e gazit.
Banorët e kësaj lagjeje janë evakuuar më herët nga forcat e policisë.
Depozitat e gazit rrezikoheshin edhe mbrëmjen e së martës nga flakët, por situata u menaxhuar nga zjarrfikësit.
Por sot duket se zjarri po i rrezikon sërish.
Adriatik Lapaj u angazhua në fikjen e zjarreve në Delvinë së bashku me persona të tjerë, duke ndihmuar banorët e zonës.
Me bidona me ujë e tubo me pompa, Lapaj dhe të tjerët ndihmuan në fikjen e zjarreve.
Adriatik Lapaj ka kërkuar që të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në Delvinë për shkak të situatës së rënduar nga zjarret.
“Sot herët organizuam një pjesë të ekipit në qytetet afër Delvinës për t'i shkuar në ndihmë banorëve.
Mbushëm me ujë dhjetëra bidona, morëm tubo të gjata, pompa me karburant dhe shkuam.
Në hyrje të Delvinës dukej qartë se kishte me dhjetëra vatra të shpërndara përreth qytetit. Në pjesën jugore lokalizuam një vatër që rrezikonte një platacion ullinjsh 30-40 vjeçar dhe disa banesa.
Me kalimin e minutave u bashkuan banorë që dukshëm ishin të rraskapitur nga lufta 2 ditore me flakët.
Diku me bidona, diku me degë pemësh, diku me tubot me pompa arritëm ta mbanim zjarrin nën kontroll deri sa erdhi zjarrëfiksja që u njoftua paralelisht nga ekipi.
Ju lutem mos vini zjarre! Ju lutem ndihmoni sa mundeni!
Qeveria, nevojitet të dërgojë forca ajrore më shumë! Të kërkojë ndihmë nga vendet fqinje.
Është nevojë urgjente të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore!
Ndërkohë është çnjerëzore që po has në terren forca zjarrëfikëse që kanë 6 ditë pa u ndërruar. Të kequshqyer dhe të dehidratuar. (pasi kanë luftuar dhe me flakët në Sy të Kaltër)”, ka thënë Adriatik Lapaj.
Ish-fusha e grumbullimit të mbetjeve urbane në Lushnje është përfshirë nga flakët e zjarrit.
Situata i ka dalë nga kontrolli një fermeri që po digjte mbeturina në tokën bujqësore dhe zjarr është përhapur me shpejtësi nga era e fortë.
Përmasat e zjarrit u rritën frikshëm duke mbuluar të gjithë ish-fushën e mbetjeve urbane të qytetit e cila është ngjitur me banesat në lagjen 18 tetori.
Tymi mbuloi gjithë zonën përreth, ndërkohë që 4 ekipet e zjarrfikësve të Bashkisë Lushnje si dhe efektivë të Policisë së Shtetit të ndihmuar edhe nga banorët me mjete rrethanore nuk kanë lejuar flakët të përfshijnë banesat.
Momentalisht zjarrfikësit e kanë vënë nën kontroll zonën e përfshirë nga flakët dhe nuk ka rrezik për banesat. Uniformat blu kanë identifikuar autorin e zjarrvënies dhe janë në kërkim të tij.
Pavarësisht izolimit të flakëve, ish-fusha e mbetjeve vazhdon të jetë nën monitorimin e zjarrfikësve.
Një vatër zjarri është shfaqur në malin e Sopotit të Bashkisë Delvinë.
Gazetari i Report Tv, Piro Nase, raporton se zjarri po i afrohet kufirit me territorin e Bashkisë Gjirokastër.
Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër ka vlerësuar situatën dhe ka marrë masa parandaluese për izolimin e flakëve me synim që të mos rrezikohen zonat e banuara.
Për ndërhyrje janë nisur në terren grupi i zjarrfikësve nga Bashkia e Gjirokastrës.
Sipas Drejtorisë së Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës, vatra e zjarrit e rënë në zonën pyjore të Parkut Natyror të Monellës, në fshatin Shëmri, Njësia Administrative Malzi, është shuar plotësisht.
Me izolimin dhe shuarjen e plotë të kësaj vatre, qarku i Kukësit ka dalë nga harta e zjarreve aktive, bën të ditur Prefektura e Kukësit.
Për monitorimin deri në shuarjen e plotë, gjatë ditës së sotme u angazhuan pesë punonjës të Zonave të Mbrojtura Kukës.
Në Bashkitë Has dhe Tropojë aktualisht nuk ka situata zjarresh.
Lidhur me situatën e rëndë nga zjarret ka reaguar edhe Instituti për Bashkitë e vendit, duke kërkuar mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Në një reagim zyrtar, Instituti thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara.
“Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.”, thuhet në reagim, ndërsa apelon edhe banorët për të respektuar urdhrat e evakuimit.
Njoftimi i plotë:
Instituti për Bashkitë Shqiptare ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga zjarret masive që kanë prekur disa zona të vendit dhe shpreh sa vijon:
1. Së pari, shprehim solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët dhe komunitetet e prekura nga flakët. Mendimet dhe mbështetja jonë janë me trupat zjarrfikës por jo vetëm që po përballen me rrezik për jetën e tyre.
2. Falënderojmë qytetarët dhe vullnetarët për angazhimin dhe bashkëpunimin e treguar me forcat e specializuara në përpjekjet për përballimin e situatës.
3. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarëve të Bashkive dhe Drejtorit të Emergjencave Civile, për masat e evakuimit të mundshëm.
4. Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.
5. Në këtë moment, të gjitha energjitë dhe burimet duhet të përqendrohen në operacionet për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
6. Pasi të dilet nga faza emergjente, kërkojmë një vlerësim të plotë e real të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre.
Instituti për Bashkitë Shqiptare mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë në çdo hap të përballimit dhe rikuperimit nga kjo situatë.
Delvina vijon të jetë në situatë emergjente për shkak të zjarreve. Deputeti i zgjedhur i PS në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ndodhet në terren ku po ndjek situatën në Delvinë.
Në një intervistë për Report Tv, Ardit Bido u shpreh se po shqyrtojnë mundësinë për evakuime të banorëve nga lagje të tjera të qytetit.
Sipas tij, era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve.
Bido theksoi se zjarri ka rrethuar qytetin dhe prioritet për momentin është izolimi i flakëve dhe shpëtimi i jetës së njerëzve.
“Situata është e vështirë, ka zjarre në disa lagje të qytetit. Janë 2 helikopterë që po operojnë, janë 1 zjarrfikëse nga Bashkia Delvinë dhe bashkitë përreth. Shpresoj që të mundet që të qetësohet situata në orët në vijim sepse era është e disfavorshme duke e sjellë zjarrin më afër shtëpive.
Ka pasur evakuime në Kasapaj, po shqyrtojmë nëse është e nevojshme edhe evakuimi në lagjen Murkus. Janë forcat e policisë që shkojnë shtëpi më shtëpi që të evakuojnë qytetarët.
Qytetarët janë bashkëpunues. Delvina ka rreth 4 mijë banorë, një qytet që ka histori dhe trashëgimi të rëndësishme. Dua të falenderoj zjarrfikësit, Bashkinë e Delvinës, kryetarin e Bashkisë që ka qenë në krye të operacionit, ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu që ka qenë në krye të operacionit, Forcat e Armatosura, personelin e spitalit.
Është një rrethim i zjarrit, ka dhe në periferi të fshatrave. Zjarri ka rrethuar në të gjitha anët qytetin, nuk luhet me zjarrin”, deklaroi Ardit Bido.
Situata në fshatin Nartë të Gramshit vijon të mbetet kritike. Një banor i zonës thotë për Report Tv se deri më tani kanë izoluar vetëm një vatër zjarri, teksa thekson se ka edhe tre shtëpi.
“Situata është e vështirë. Vetëm një vatër kemi izoluar. Kam tre shtëpi këtu. Kemi edhe gjë të gjalla, i kemi çuar buzë lumit", tha banori.
Mirgen Çela është një banor i Gramshit, i angazhuar si vullnetar për të ndihmuar në situatën e zjarreve që ka përfshirë disa fshatra të këtij qyteti.
Për Report Tv ai ka thënë se sot situata është e vështirë në fshatin Nartë, ku flakët janë përhapur në të gjithë fshatin.
Zjarri po përparon drejt banesave, ndërsa banorët e zonës janë evakuuar.
Mirgeni ishte aktiv edhe ditën e djeshme, kur shpërtheu situata alarmante në fshatrat e Gramshit. Ai ndihmoi disa familje një ditë më parë duke i larguar nga zona e rrezikut. Fatkeqësisht, ai humbi edhe shtëpinë e tij, që u përpi nga flakët e zjarrit.
Banorët e Delvinës kaluan një natë të vështirë mbrëmjen e së martës, ku qyteti ishte i rrethuar nga flakët.
Sot, disa prej tyre kanë folur për mikrofonin e Report Tv, duke treguar situatën e vështirë me të cilën u përballën.
Banorët thonë se zjarri u afrua shumë pranë banesave të tyre, pasi flakët zbritën nga pylli.
Të gjithë ata thonë i kanë shuar vetë flakët që u afruan pranë banesave, pasi zjarrfikëset nuk shkuan për shkak se ishin përqëndruar në zonën e puseve të naftës.
“Na u afrua zjarri mbi shtëpi. Erdhi policia, na tërhoqi na solli këtu, na largoi nga vdekja. Megjithatë, zjarri është nën kontroll, po vazhdon akoma”, thotë një banor.
“100 rrënjë ullinj shekullorë u dogjën, asnjë njeri nuk erdhi, s’na e varën fare këtë radhë. Mbrëmë ishte panik. Nuk ishte parë ndonjëherë si kjo”, shprehet një tjetër.
“Mbrëmë ishte një natë shumë e vështirë për lagjen tonë. U dogj një pyll aq i bukur këtu lart. Zjarri arriti deri poshtë. U dogjën edhe 2-3 shtëpi këtu. Asnjë zjarrfikëse, sado që bëmë disa kërkesa, nuk erdhi. Vetëm njerëzit me tubo dhe me kova uji. Të gjitha zjarrfikëset që kishin ardhur që thonë, ishin përqëndruar lart te gazi. Këtu nuk erdhi asnjë”, thotë një i tretë.
Ka nisur evakuimi i njerëzve dhe gjësë së gjallë në fshatin Nartë të Gramshit. Zjarri është përhapur në luginë nga krahu i Harunasit dhe po afrohet në krahun e sipër të fshatit Nartë.
Në zonë janë vendosur dy mjete zjarrfikëse për të parandaluar përhapjen, 1 autobot uji si dhe mjete të ushtrisë e ambulanca. Tre mjete zjarrfikëse janë mbi fshatin Skënderbegas dhe për momentin nuk mund të zbresin për shkak se rruga është e bllokuar.
Një e moshuar në Delvinë, ku situata nga zjarret paraqitet akoma kritike, foli për Report TV.
Ajo përshkroi situatën e rëndë gjatë natës ku flakët morën përmasa të mëdha, ndërsa thotë se flakët iu afruan banesës, por arritën ta shpëtonin duke shuar flakët. Por, dëme ka pasur në banesa të tjera, thotë ajo.
“Situata ka qenë shumë shumë keq. Flakët erdhën në shtëpi. Na ndihmoi lagjia dhe e shuam. Këtu e kemi kaluar natën, mund të kenë mbi 200 veta. Ka qenë ‘97-ta, mund të ketë edhe granata. Nuk u larguam, jemi përpjekur me mish e shpirt për të shuar flakët. Ja u dogj shtëpia. Mua më ndihmuan të tjerët që e shova. Të gjitha forcat kanë qenë këtu. U dogj shtëpia e stani. Nuk mund të them se nuk kanë qenë. Me një tubë ujë nuk mundemi dot. Sot ku janë aeroplanët që erdhën, pse u larguan. A e shove zjarrin? A ke ardhur për të ndihmuar, më ndihmo. Më zien zemra, ne e dimë se si jetojmë. “, u shpreh banorja.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim në Nartë të Gramshit dhe në Delvinë për shkak të situatës së rëndë me zjarret.
Ministria e Mbrojtjes thotë se zjarret po përhapen me shpejtësi.
“THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
64 vatra zjarri janë shfaqur në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 24 janë aktive.
Këto janë të dhënat nga Ministria e Mbrojtjes. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.
Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Situata në vatrat më problematike:
Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
Sa i përket parashikimit të motit dhe rrezikshmërisë për zjarre, Ministria e Mbrojtjes thotë se sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.
Prefekti i qarkut të Elbasanit, Ilir Bejtja thotë për Report TV se situata nga zjarret në Gramsh vijon kritike. Ai tha se më me rrezik është në në Menkollarë, ku zjarri rrezikon të përhapet drejt Nartës, fshatit më të madh të Gramshit. Prefekti tha se aktualisht në terren po operojnë dy helikopterë, ndërsa është nisur edhe një tjetër.
“Situata është e rëndë, kemi shumë forca në terren. Kemi një riaktivizim të zjarrit në Skënderbegas në një lagje pranë shkollës së mesme, po ndërhyhet me shumë forca dhe mjete nga ajri për të ndaluar përparimin e flakëve drejt Nartës. Po punohet edhe në Ermenj pasi rrezikohet që flakët të shkojnë në territorin e prefekturës Korçë. Kemi nisur edhe një helikopter të tretë, dy janë në terren.”, tha ai.
Ai tha se janë 39 banesa të djegura në disa fshatra nga zjarret e djeshme.
Situata vazhdon të jetë alarmante nga zjarret në Gramsh. Sipas raportimeve, aktualisht situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku prezente janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrëfikësve, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës si dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.
Në fshatin Skënderbegas ka riaktivizim të flakëve dhe po digjet një lagje në afërsi të gjimnazit të fshatit. Ndërkohë, ka edhe një aktivizim të shpejtë të vatrës së zjarrit pranë fshatit Ermenj dhe Koshnicë, në të cilin zjarri është afruar shumë. Përparimi i flakëve në këtë drejtim mund të kalojnë drejt prefekturës së Korçës. Në operacion është nisur një operacion i tretë.
Kritike është situata edhe pranë fshatrave pranë fshatrave Ermenj dhe Koshnicë, me flakët që rrezikojnë t'i afrohen kufirit të Prefekturës Korçë. Në zonë është nisur një helikopter i tretë. Edhe në teqen e Dushkut vazhdojnë të digjen sipërfaqe të mëdha me pyje dhe kullota, ndërsa mbi fshatin Kodovjat, afër Posnovisht, situata është më e qetë por mbetet nën monitorim të rreptë nga forcat në terren.
Aktualisht janë të angazhuara 6 mjete zjarrfikëse dhe rreth 55 trupa të ushtrisë, ndërsa priten përforcime nga bashkitë fqinje. Të gjitha strukturat vendore janë në terren, bashkë me shumë banorë e vullnetarë nga i gjithë rrethi.
Zenelaj 3
Skënder 8
Shimer 3
Harunas 5
Kullollas 15
Zjarri që ra në fshatin Koshtan të Memaliajt është shuar nga forcat zjarrfikëse, banorët dhe punonjësit e policisë dhe bashkisë. Raportohet për tre shtëpi të djegura dhe dëme të mëdha në ullishte e pemëtari.
Edhe vatra në fshatin Hormovë është shuar dhe po mbahet nën monitorim. Ka dëme të shumta në pemëtari.
Këto pamje vijnë nga Delvina pas një nate dramatike, ku zjarri masiv rrethoi qytetin dhe vuri në rrezik jetën e banorëve. Pas orësh të tëra përpjekjesh për të vënë flakët nën kontroll, disa nga zjarrfikësit dhe efektivët e ushtrisë janë fotografuar mëngjesin e sotëm duke pushuar të shtrirë në tokë, të rraskapitur nga lodhja.
Vazhdon edhe zjarri në zonën e minuar 'Piramida 12' në kufi me Greqinë, pranë Parkut Natyror të Gërmenjes në bashkinë Kolonjë.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se nga mbrëmë nuk ka përhapje të flakëve por mbetet aktiv dhe me risk, pasi era e favorizon. Në terren ndodhen aktualisht duke punuar rreth 40 forca zjarrfikëse.
Shërbimi i Bashkisë ka nisur skrep për të hapur rrugë, në mënyrë që të afrohen sa më shumë me mjete zjarrfikëse në sipërfaqen e prekur. Por, autoritetet thonë se, duke qenë se është zonë kufitare, ka shumë mina dhe dëgjohen herë pas here shpërthime, ndaj paraqet rrezikshmeri për efektivet e nuk mund të afrohen shumë në perimetrin e zjarrit.
Njëkohësisht, grupi xhenjos që ka mbërritur mbrëmë nga Tirana, po shkojnë në vëndngjarje për të bërë bërë demontimin e disa minave të konstatuara në territor.
Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, thotë se situata e zjarrit në Delvinë është përballuar me sukses nga forcat emergjente, pa asnjë viktimë dhe asnjë të lënduar.
Në një prononcim për gazetarin e Report Tv nga Delvina, Armand Xhelili, prefekti Nesturi u shpreh se u dogjën 4 banesa, prej të cilave 1 e banuar dhe 3 të pabanuara.
“Situata ka qenë e vështirë, realisht ka pasur ndihmë nga të gjitha bashkitë e qarkut, por dhe nga prefektura të tjera, kanë ardhur dhe nga Fieri e nga Gjirokastra, dhe së bashku edhe me ndihmën që kemi pasur nga zjarrfikëse të ushtrisë dhe zjarri i ndihmuar dhe nga era ka pasur një intensitet goxha të lartë dhe është përballuar si nga zjarrfikësit dhe forcat ushtarake në terren. E rëndësishme është që u shpëtuan shtëpitë, vetë Delvina është shumë e përhapur, pra nuk kemi një qendër, edhe shpërndarja e forcave bëri të vështirë përballimin e zjarrit. Gjithsesi ne mund të themi sot që realisht vetëm një shtëpi është djegur e banuar dhe 3 të tjera që kanë qenë të pabanuara. Gjithsesi duhet thënë që nuk kemi as humbje jetësh, as dëme të tjera të cilat mund të ishin shumë të mëdha pasi zjarri tentoi të futej në shumë drejtime të ndryshme dhe kjo bëri që në çastet e para të ishte valë paniku te banorët, por që u bë e mundur jo vetëm duke i evakuuar ata, dhe mundimin më të lehtë të gjithë forcave për të shpëtuar qytetin dhe pasurinë e banorëve”.
Sot zjarri në Delvinë është përhapur në rrethinat e qytetit për shkak të erës, ndërsa nuk ka rrezik zona te puset e naftës dhe te spitali.
“Patëm një situatë në zonën rreth puseve të naftës, gjë që e cila u përballua me sukses. Sot mund të themi që nuk kemi rrezik të madh dhe në depozitën e gazit që ndodhet sipër, ajo u menaxhua më me lehtësi. Sot mund të themi që janë jashtë rrezikut. Gjithsesi kemi në riaktivizim shumë të madh të erës dhe kjo ka bërë që në rrethinat e qytetit zjarri të riaktivizohet, kemi një kalim të zjarrit pikërisht në lagjen matanë, por që me ndërhyrjen dhe të helikopterëve themi që do ta vëmë në kontroll për të mos u përhapur më tutje. Ka në mobilizim goxha të plotë dhe organizim goxha të mirë. Përsa i përket forcave në terren, kemi bërë riorganizim dhe shpërndarje goxha të mirë.
Tashmë spitali është funksional, edhe pacientët janë rikthyer në orët e para të mëngjesit dhe funksionon normalisht. Jemi në kushtet ku është e menaxhueshme, vetëm që duhet ende një betejë e fundit për të përballuar këtë situatë”.
Sipas prefektit, në Delvinë po ndihmojnë nga ajri 2 helikopterë dhe pritet ndihmë tjetër përmes Mekanizimit Europian të Mbrojtjes Civile.
“Janë dy helikopterë që operojnë dhe pritet edhe nga Mekanizmi i Emergjencave Europiane. Deri tani po menaxhojmë mirë. Shpresojmë që dhe kushtet e motit mos të agravojnë më shumë”.
Në zonën e mbrojtur të Rezervatit të Ballollit, flakët e zjarrit kanë marrë përmasa në zonën e pyllit. Në vendngjarje kanë shkuar një zjarrfikëse nga Poliçani, në zjarrfikëse nga Dimali dhe 6 punonjës të Zonave të Mbrojtura të Beratit, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve vendore, situata konsiderohet e rëndë.
Ndërsa në zonat e banuara të Poliçanit situata është e qetë dhe po mbahet në monitorim.
Situata problematike është edhe në fshatin Velçan të Beratit, ku zjarri ka marrë përmasa në sipërfaqe me shkurre. Po operojnë 20 forca zjarrfikëse dhe 3 mjete zjarrfikëse nga Berati si dhe 25 forca nga Bashkia.
Në Skrapar, vatra e zjarrit në Orizaj, zhvillohet me intensitet të ulet në sipërfaqe me shkurre. Janë në vendngjarje 6 zjarrfikëse dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Skrapari, 5 forca vullnetare të fshatit, 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.
Në Bashkinë Dimal dhe Kuçovë situata është e qetë.
Në qarkun Dibër janë aktive dy vatra zjarri, njëra në Tërnovë afër Liqenit të Zi dhe tjetra në Val të Martaneshit. Flakët deri më tani nuk përbëjnë rrezik për banorët pasi janë larg fshatrave.
Përhapja e zjarrit është e madhe dhe janë dëmtuar disa hektarë pyje. Ndërkohë në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Deri në mëngjesin e sotëm, në qarkun e Kukësit është raportuar vetëm një vatër zjarri, e cila ndodhet në zonën pyjore të Majës së Zezë, në fshatin Shëmri, Njësia Administrative Malzi.
Zjarri është izoluar plotësisht dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat e bashkisë për të siguruar shuarjen e tij të plotë.
Situata paraqitet kritike në Delvinë. Tymi ka pushtuar zonën për shkak të flakëve masive ndërsa ka edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Gazetari Armand Xhelili raporton se pritet të ndërhyhet nga ajri.
Reuters sjell fotot nga zjarri masiv që përfshiu ditën e djeshme Delvinën.
Fotografi Florion Goga ka kapur imazhe tronditëse që tregojnë një peizazh të shkrumbuar nga flakët, ndërsa banorët, të tronditur, ndjekin me dhimbje pasojat e mëdha të katastrofës natyrore.
Zjarri, i nxitur nga era e fortë, u përhap me shpejtësi, duke detyruar autoritetet të evakuojnë spitalin e Delvinës dhe disa banorë të zonës. Flakët rrezikuan gjithashtu puset e naftës në zonë.
Komente

Paguajne patronazhistat me vendos zjarre me hap toka per investime
PërgjigjuJU THOTE GJE PAKETA E MALEVE
Përgjigju