Kronikë

Zjarri në landfillin e Elbasanit drejt shuarjes së plotë, s’ka më prezencë të resë së tymit toksik në ditën e shtatë! Situata drejt normalizimit

7 Korrik, 12:18| Përditesimi: 7 Korrik, 16:36

  • Share

ELBASAN- Situata në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan paraqitet më e qetë këtë të hënë, në ditën e shtatë të përpjekjeve për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.

Nuk ka prezencë të tymit në zonë, ndërsa disa mjete zjarrfikëse dhe ekskavatorë për te hedhur dhera si dhe për të shmangur riaktivizimin e flakëve.

Burime zyrtare bëjnë me dije se vatra është izoluar ditën e djeshme nga forcat operacionale dhe puna për shuarjen përfundimtare po vijon. Sipas autoriteteve, 95% e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga avuj dhe gazra të mbetura nga materialet e djegura dhe uji i përdorur për fikje.

Ndërkohë, Report TV ka kryer një vëzhgim në disa lagje të qytetit për të parë nëse grumbullimi i mbetjeve urbane ka vijuar. Nga konstatimi në terren, rezulton se pastrimi i kontejnerëve nuk ka ndalur, pavarësisht se landfilli u dogj.

 

Ora 16:11
Zjarret në Leshnicë riaktivizohen përsëri, flakët afrohen në lagjen Kociati, forcat zjarrfikëse në terren

1751898914_aaaa.JPG

Zjarri në zonën e Leshnicës, në bashkinë Finiq, është riaktivizuar sërish këtë pasdite, duke u përhapur me shpejtësi drejt lagjes Kociati. Ky është dita e gjashtë që flakët përfshijnë territorin e Finiqit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe duke rrezikuar banesat e zonës.

Pasditen e djeshme, dy avionë zjarrfikës të ardhur nga Greqia ndërhynë nga ajri duke hedhur ujë mbi vatrat e zjarrit. Gjithashtu, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë kontribuoi në përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Aktualisht në terren ndodhen dy mjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë të angazhuar në operacionin e fikjes së zjarrit. Megjithatë, terreni i thepisur malor dhe era po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen efektive.

Ora 13:42
Zjarret në vend, Mbrojtja: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra, 6 ende aktive

1751888683_zjarrindukat.JPG

Foto: Zjarri në Dukat

Minstria e Mbrojtjes ka bërë raportin në lidhje me situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku bën me dije se janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 vatra janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e: Finiqit, Vlorës, Elbasanit, Poliçanit, Beratit, Hasit, Bulqizës, Malësisë së Madhe, Lezhës, Kolonjës, Korçës, Tiranës, Kavajës e Fierit. 

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

- Në vendgrumbullimin e mbetjeve, në bashkinë Elbasan, ku edhe sot vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës, pas izolimit të saj nga forcat operacionale, ditën e djeshme.

- Puna vijon në vatrën e zjarrit midis fshatit Grazhdan, njësia administrative Livadhja dhe fshatit Malçan, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Gjatë natës forcat e MZSH Finiq dhe efektivët e Forcave të Armatosura qëndruan në monitorimin për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm. Ditën e sotme zjarri vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshinicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar.

- Zjarri, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë vazhdon të jetë aktiv në tri vatra të shpërndara. Terreni e vështirëson ndërhyrjen, por zjarri nuk paraqet rrezikshmëri për zonën.

-  Aktive mbetet vatra në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, bashkia Poliçan. Gjatë natës vatra e zjarrit u mbajt në monitorim nga MZSH Poliçan dhe ditën e sotme kafilluar puna për shuarjen e plotë të vatrës së fundit aktive me 10 efektivë dhe 5 forca bashkiake. Sipas një informacioni paraprak nga shërbimi pyjor deri ditën e djeshme janë përshkuar rreth 50 ha.

- Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta vatra e zjarrit është transferuar duke shtrirë në territor drejt “Malit të Bardhë”. Ditën e sotme në terren ndodhen1 automjet zjarrfikës me 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.

- Në vendin e quajtur“Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe pati një riaktivizim të vatrës së zjarrit . Ditën e sotme në terren ndodhen 6 efektivë nga MZSH, 5 forca bashkiake, 5 forca nga shërbimi pyjor dhe 8 forca vullnetare.

Si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre e barishte janë djegur rreth 65 hektarë me bimësi.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale si dhe 8 automjete të rënda. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” pothuajse në të gjitha qarqet.

Në qarkun Durrës pritet nivel rrezik “I MODERUAR” dhe lokalisht rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Durrës (Jug).

I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.

Në këtë situatë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale.

Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos digjni mbeturina, shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe njoftoni në kohë autoritetet vendore.

A.Q/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?