Zjarri në landfillin e Elbasanit vijon edhe në orët e mbrëmjes, ku flakët dhe tymi i dendur janë përhapur me shpejtësi. Në një intervistë për Report TV, Arben Cara, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, thotë se gadishmëria për shuarjen e flakëve janë 12 automjete zjarrfikëse, 60 forca operacionale dhe 2 automjete nga Forcat e Armatosura.
Cara bën me dije se në landfill është edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit për të ndjekur nga afër situatën.
"Ashtu siç dhe ju e shikoni live, zjarri është akoma aktiv, edhe pse prej orës 17:00 vijojmë të punojmë intensivisht, me rreth 12 automjete zjarrfikëse, rreth 60 forca operacionale të Shërbimit Zjarrfikës, por edhe të ndihmuara nga forcat e ushtrisë me dy automjete dhe përfaqësues nga Mbrojtja Civile. Fikja është e vështirë. Jemi në terren duke menaxhuar situatën. Kemi arritur ta lokalizojmë vatrën e zjarrit dhe kemi arritur ta kemi nën kontroll, por siç edhe shikohet, masivi i madh i mbetjeve e bën pak të vështirë fikjen e zjarrit, edhe pse fiket në pak sekonda, riaktivizohet sërish, për shkak të procesit teknologjik që vetë këto mbetje kanë në brendësi të tyre. Patjetër që kanë ardhur forca zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Berati dhe bashkitë e tjera të qarkut të Elbasanit. Nga ana tjetër, edhe kryetari i Bashkisë është në vendin e ngjarjes bashkë me ta, kemi kërkuar të na sjellë mjete nga disa firma ndërtuese dhe po punojmë intensivisht për mbledhur inerte që të izolojmë vatrën e zjarrit. Era mund ta përhapë, por zjarrfikësit janë aty me mjete rrethanore, por i kemi lokalizuar në kohë që mos të ketë rrezikshmëri nga banesat përreth. - tha Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, Arben Cara.
Lajmi kryesor:
Vijon zjarri në landfillin e mbetjeve në Elbasan, tymi i dendur mbulon zonën! 60 zjarrfikës në terren, Cara: Fikja e vështirë (VIDEO)
H.K/ReportTv.al