Prej 3 ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Pishë-Poro të Vlorës, ku për shkak të shtrirjes së gjerë të zonës dhe pyllit me pisha, ka qenë e vështirë fikja e flakëve.
Por burime për gazetarin e Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili, kanë thënë se zjarri është vënë nën kontroll 3 herë nga strukturat në terren dhe është riaktivizuar sërish nga dora e njeriut.
Sipas të njëjtave burime, policia ka konstatuar disa raste gjatë filmimeve me dron, ku duken persona që ndezin zjarrin në brendësi të pyllit.
Konkretisht, rastet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (28 gusht), në orën 00:00 dhe në 04:30.
Në këto dy raste të ndryshme të ndezjes së zjarrit në këtë zonë janë konstatuar disa persona.
Disa të dyshuar janë shoqëruar mbrëmë nga policia, teksa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarr.
Aktualisht, zjarri në zonën e Pishë-Poros në fshatin Delisuf të Vlorës po djeg trungje pemësh brenda vatrës aktive.
Lajmi kryesor:
Situata e zjarreve, 14 vatra në 24 orë, 2 janë ende aktive në Vlorë dhe Korçë, 3 nën monitorim!
V.GJ /ReportTv.al
