Si pasojë e flakëve, megjithë angazhimin e dhjetëra forcave e mjeteve, rreziku ende vazhdon të jetë i lartë në zonën e Shëngjinit.
Për të ndjekur nga afër operacionin për izolimin e zjarrit, ka mbërritur në vendngjarje edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Ministri Balla falënderoi gjithë Forcat Zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura Forcën Ajrore për përfshirjen në operacion.
"Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të mirë-administrojmë forcat sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira", deklaroi Balla.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara ka deklaruar se është punuar gjatë gjithë natës për të neutralizuar vatrën e zjarrit në Shëngjin.
"Jemi dislokuar këtu në zonën e Shëngjinit për të shuar vatrën e zjarrit ku kemi angazhuar dhe disa bashki duke filluar nga Tirana, Kamza, Fieri, Berati, Lushnja, Mirdita, Vau Dejës, Shkodra, pra më shumë se 20 automjete zjarrfikëse dhe më shumë se 80 forca operacinale të MZSH mbështetur nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, 2 automjete të zjarrfikëseve të ushtrisë, por dhe forca të tjera nga organizata të tjera ligjzbatuese ku kanë punuar përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit për të lokalizuar vatrën e zjarrit këtu në zonën e Shëngjinit.
Siç edhe ju e shikoni vatra është akoma aktive, por një pjesë e mirë e vatrës së zjarrit është lokalizuar nga forcat operacinale ku kanë punuar përgjatë gjithë natës e theksoj me një intensitet shumë të lartë gjë e cila mbetet për tu vlerësuar dhe për t’i përshëndetur të gjithë zjarrfikësit dhe forcat operacinale të cilat morën pjesë në këtë operacion.
Sot aktualisht po mbështetemi dhe nga helikopteri që po na e lehtëson deri diku punën, mendojmë që gjatë ditës do e vendosim nën kontroll dhe do e mbyllim përfundimisht vatrën e zjarrit", informoi Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara.
Lajmi kryesor:
Zjarret në Shëngjin/ Ndërpritet ndërhyrja nga ajri! Përveç dy avionëve Canadair, kërkohen edhe helikopterët e KFOR (VIDEO + FOTO)
Xh.K/ReportTv.al