Juventusi ka konfirmuar zyrtarisht blerjen e sulmuesit portugez Francisco Conceiçao nga Porto, pas një sezoni të suksesshëm të kaluar në formë huazimi te bardhezinjtë. Lojtari 22-vjeçar është blerë përfundimisht për shumën e 30.4 milionë eurove, plus 1.6 milionë euro bonuse, duke e tejkaluar klauzolën e lirimit për të rinegociuar kushtet dhe për të ndarë pagesën në katër këste.
Conceiçao ka firmosur një kontratë afatgjatë pesë vjeçare, që do ta mbajë në Torino deri më 30 qershor 2030. Në një mesazh për fansat në rrjetin social “X”, ai u shpreh: “Përshëndetje bardhezinj, jam i kënaqur që qëndroj këtu. Mezi pres të filloj sezonin e ri”.
Në sezonin 2024-25, Conceiçao befasoi stafin teknik dhe tifozët e ‘Zonjës’ me paraqitjet e tij, duke regjistruar 40 ndeshje, 7 gola dhe 6 asistime në të gjitha kompeticionet.
Komente
