Vllaznia ka ndarë rrugët me Darko Dodev. Sulmuesi 25-vjeçar dhe klubi shkodran kanë vendosur me mirëkuptim që të ndërpresin marrëveshjen, me maqedonasin që u bashkua me kuqeblutë vetëm në korrikun e këtij viti.
Performanca e tij jo në nivelin e duhur, me nëntë ndeshje dhe asnjë gol në Superligë, ka shtyrë palët që të shkojnë drejt "divorcit". Edhe me Qatip Osmanin në stol, Dodev nuk kishte hapësirat që priste, teksa ai nuk u ambientua me futbollin në Shqipëri.
"KF Vllaznia njofton mbylljen e bashkëpunimit me futbollistin Darko Dodev. Sulmuesi 25 vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve. KF Vllaznia e falënderon Darko Dodev për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe me skuadrën kuqeblu", njofton Vllaznia.
Kështu, nga Vllaznia largohet një tjetër emër i afruar për të shënuar, por që nuk i mbushi pritshmëritë e drejtuesve.