TIRANË - Klubi i Futbollit Tirana ia ka besuar ‘çelësat’ e sezonit të ri një dysheje nga Italia. Pasi befasuan duke shkarkuar trajnerin Vangjel Mile pas vetëm dy raundeve të para të sezonit të ri, Tirana ia ka besuar stolin teknikut Italian Roberto Bordin. Ndihmës i tij do jetë Marco Veronese, ish-ndihmëstrajner i kombëtares shqiptare në kohën e De Biasit. Bordin është i njohur në futbollin tonë pasi sezonin e shkuar ishte në stolin e AF Elbasanit, ku u largua për rezultate të dobëta dhe u zëvendësua nga Ivan Gvozdenovic.
Bordin ka drejtuar edhe ekipe si Sheriff Tiraspol, Neftçi Baku, Triestina, si dhe Kombëtaren e Moldavisë.
‘’Klubi i Futbollit Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me trajnerin Roberto Bordin. Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që të nisë një bashkëpunim i ri.
KF Tirana njofton gjithashtu arritjen e marrëveshjes me zëvendës trajnerin Marco Veronese. Pas bisedimeve mes palëve, është vendosur që ai të bëhet pjesë e stafit teknik të drejtuar nga trajneri Roberto Bordin.
Veronese sjell me vete një përvojë të gjatë si lojtar dhe trajner. Në karrierën e tij si trajner, ka qenë pjesë e projekteve serioze në Itali, ndërsa në nivel ndërkombëtar ka shërbyer edhe si zëvendës trajner i Kombëtares shqiptare gjatë periudhës së suksesshme nën drejtimin e Gianni De Biasi, çka e bën njohës të mirë të realitetit të futbollit shqiptar’’, njofton KF Tirana.
Një barazim dhe një humbje këtë fillim sezoni ka sjellë lëvizje në kampin e klubit më të titulluar në Shqipëri.
Komente
