UEFA ka marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht. Shtëpia e futbollit evropian vendosi që këtë ndeshje ta regjistrojë me rezultatin zyrtar 3-0 për rumunët pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës. Federata Rumune e Futbollit u gjobit me 128 mijë euro për thirrje raciste, hedhje të objekteve në fushë, fërshëllimë të himnit etj; si edhe me një ndeshje pa praninë e shikuesve si vendas për shkak të thirrjeve raciste apo diskriminuese të tifozëve të saj. 6 mijë euro gjobë për Federatën e Kosovës.
Ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas vendimit të UEFA-s, duke thënë se do e apelojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Ndeshja e Ligës së Kombeve
Në datën 15 nëntor Rumania dhe Kosova u përballën në Bukuresht për Ligën e Kombeve. Sfida u ndërpre në minutën 90+3, kur kapiteni i dardanëve, Amir Rrahmani tërhoqi ekipin e tij nga fusha pas thirrjeve raciste të tifozëve vendas kundër shqiptarëve.
"Serbia, Serbia" dhe "Kosova është Serbi" ushtonin në arenën e Bukureshtit, me Rrahmanin që para vendimit kishte njoftuar tre herë më parë arbitrin, por pa marrë një përgjigje.
Pas më shumë se një ore në dhomat e zhveshjes, shumë bisedave, tensionit mes palëve dhe komunikimit mes zyrtarëve, Kosova nuk u kthye në fushë duke ndjerë një racizëm të përsëritur në Bukuresht, njëjtë si një vit më parë.
Me sfidën që ishte 0-0 dhe donte vetëm dy minuta të përfundonte, Kosova nuk u kthye në fushë dhe ndeshja u mbyll.
Tanimë ekipi i Franco Fodas ka pësuar humbje në tavolinë dhe në renditje ka -1 pikë. Kështu shqiptarët tej Drinit e mbyllin Grupin C2 të Ligës së Kombeve me 12 pikë në vendin e dytë, tre pikë pas Rumanisë kryesuese. Dardanët janë në play-off për një shans më shumë ngjitjeje në Ligën B.
Kujtojmë se pas incidentit dhe një vendimi të pritshëm jo në favor të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se këtë çështje do e dërgonin në Gjykatën Sportive të Lozanës (CAS).
Pritet që zyrtarizimi i humbjes të vendosë në lëvizje edhe organet e futbollit në Kosovë, për të marrë të drejtën e pretenduar.
Detajimi i gjobave për Rumaninë dhe vendimet
Të shpallë ndeshjen e Ligës së Kombeve 2025 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u luajt më 15 nëntor 2024, një ndeshje e braktisur nga Federata e Futbollit të Kosovës (e cila për këtë arsye konsiderohet se ka humbur ndeshjen 3-0) për përgjegjësinë për mosluajtjen e plotë të ndeshjes (siç parashikohet në Nenin 25.01 Rregulloret e UEFA Nations League).
Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6000 euro për sjellje të pahijshme të skuadrës së saj.
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 50,000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e stadiumit të Federatës Rumune të Futbollit gjatë (1) ndeshjes së ardhshme në të cilën Federata Rumune e Futbollit do të luajë si shoqatë mikpritëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të mbështetësve të saj ( në lidhje me thirrjet ksenofobike).
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 30,000 euro për transmetimin e mesazheve provokuese politike që nuk janë të përshtatshme për një ngjarje sportive .
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 9000 euro për hedhjen e sendeve.
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 4500 euro për ndezjen e fishekzjarreve .
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 8000 euro për përdorimin e treguesit lazer .
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 12,500 euro për shkak të shqetësimit gjatë himnit kombëtar .
Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 14,000 euro për bllokimin e rrugëve publike .
Të paralajmërojë Federatën Rumune të Futbollit për sjelljen e pahijshme të ekipit të saj.
Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas vendimit zyrtar të UEFA, që dënonte Dardanët me humbjen 3-0 pas braktisjes së ndeshjes kundër Rumanisë në Bukuresht, gjë që erdhi pas thirrjeve raciste kundër shqiptarëve.
Në reagimin e FFK-së bëhet me dije se pas dokumenteve të plota nga UEFA, organi i futbollit në Kosovë do e apelojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Reagimi:
Sot, pas ankesës sonë të bazuar në fakte për përdorimin e thirrjeve raciste, ksenofobe dhe gjuhës së urrejtjes nga tifozët rumun gjatë ndeshjes ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, UEFA ka marrë vendimin për të dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë prej 128,000 eurosh dhe një ndeshje pa shikues.
Për FFK-në dhe lojtarët e Kombëtares tonë ky vendim është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës. Për këtë, Rumania është dënuar me një vlerë totale prej 80,000 eurove. Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, ne nuk jemi dakord me vendimin për t’i hequr Kosovës tri pikë në tavolinë dhe për ta shpallur rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë. Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë.
FFK tashmë ka dorëzuar një kërkesë formale për të marrë vendimin e plotë nga UEFA, për të patur qasje të plotë në të gjitha detajet dhe arsyetimet ligjore që kanë çuar në këtë vendim dhe pas pranimit të vendimit të plotë, ne do të përdorim çdo shkallë tjetër të apelimit që kemi në dispozicion për të kundërshtuar heqjen e pikëve, e cila nuk reflekton drejtësinë dhe nuk pasqyron përpjekjet tona për të mbrojtur vlerat sportive.
Ky rast nuk është thjesht një sfidë për futbollin kosovar, por një betejë kundër racizmit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij. Lojtarët tanë treguan një guxim të jashtëzakonshëm dhe qëndrim shembullor duke refuzuar të luajnë në kushte të padenja, dhe ky vendim i UEFA-s është një dëshmi e qartë që gjuha e urrejtjes, racizmi dhe mesazhet provokuese politike nuk kanë vend në futboll.
FFK mbetet e përkushtuar të mbrojë interesat e lojtarëve dhe të komunitetit tonë sportiv, duke vendosur standarde të reja për drejtësi dhe respekt në sport. Ne falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim dhe ftojmë të gjithë dashamirët e futbollit të na bashkohen në këtë betejë për barazi dhe dinjitet.
Disiplina e UEFA-s i dha fitoren 3-0 Rumanisë për ndeshjen kundër Kosovës, aty ku shqiptarët braktisën sfidën dhe u larguan nga fusha pas thirrjeve raciste në Bukuresht.
Pas vendimit foli edhe trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu. Sipas tij largimet dhe braktisjet e fushës së lojës sjellin precedentë.
“Jam i indinjuar. Është një vendim politik. Për të mos mërzitur askënd. Mos inkurajoni gjeste të tilla. Më vonë e njëjta gjë mund të ndodhë. Një ekip humbet 5-0 dhe largohet nga fusha. Dhe humbasin 3-0. Askush nuk mendon më për pasojat. Fatkeqësisht gjërat ndodhën kështu”, ka thënë trajneri rumun.
Legjenda e trajningut tha se shqiptarët mbetën me turp për daljen nga fusha.
“Fituam ne 3-0? Po, në rregull, është shumë normale. Edhe ata mbetën me turp tani, por është zgjedhja e tyre, ata gjithsesi e provuan njëherë”, tha Lucescu.