Ekonomi

1 Maji e gjen Shqipërinë me ulje të papunësisë e rritje punësimi por mes ‘halleve’ të vjetra! Mungesa e stafit dhe nëndeklarimi i pagave vijon

1 Maj, 15:10| Përditesimi: 1 Maj, 16:24

  • Share

Edhe ky 1 maj e gjen tregun e punës në vend në mes të një ‘paradoksi’. 6300 vende të lira pune janë shpallur nga bizneset aktualisht, në kushtet kur 68 mijë qytetarë janë të regjistruar si punëkërkues, kryesisht të rinj deri 29 vjeç.

“Nuk do të përfundojë ndonjëherë, kjo dinamikë do të vazhdojë njësoj si edhe në vendet e zhvilluara”, thotë eksperti i punësimit Erald Pashaj.

Në bizneset shqiptare janë të punësuar 1.3 milionë qytetarë. Shifër e pamjaftueshme për tregun i cili ankohet për mungesë stafi, nga profesionet elementare deri tek ato të kualifikuara.

“Tregu i punës në përgjithësi ka një tendencë armiqësore mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, sepse të dyja palët kërkojnë gjëra të ndryshme nga njëra tjetra”, pohon Pashaj.

‘Pagat’ janë plaga që nuk po zgjidhen thotë eksperti për çështjet e punësimit Erald Pashaj. Aktualisht paga mesatare në Shqipëri është 83.401 lekë nga 75 mijë që ishte në 2023-shin. Por sot më shumë se 48% e të punësuarve në vend nuk e arrijnë rrogën mesatare pasi marrin deri në 60 mijë lekë.

“Në sondazhet që kemi bërë ne pagat kanë qenë faktori i parë pse njerëzit largohen, sepse paga lidhet me ekonominë familjare, me mundësinë dhe mënyrën sesi jeton. Faktori tjetër që i bashkëngjitet pagës është shpresa që ata kanë për të ardhmen, pasi largimi lidhet me atë që presin për të ardhmen”, thotë Pashaj.

Jo vetëm pagat që nuk konsiderohen ende joshëse për të frenuar emigrimin e punonjësve, por edhe nëndeklarimi i rrogave po dëmton tregun. Për të shmangur detyrimet duke mos paguar sigurimet dhe tatimin e plotë bizneset vjet kishin deklaruar paga jo reale për 143 mijë punëtor. Rrogë minimale në bankë e tjetrën në dorë.

“Nëse dikush ka një pagë neto 1 milionë lekë të vjetra, detyrimi për këtë individ është 1 milionë e 480 mijë lekë. Duke i dhënë një pagë  të deklaruar në bankë në masën 400 mijë lekë të vjetra ka një kosto për këtë 520 mijë lekë dhe ja jep 600 mijë lekëshin tjetër në të zezë. Në total nëse do të paguante 1 milionë e 480 mijë lekë me deklarimin real, me këtë manovër paguan 1 milionë e 120 mijë lekë të vjetra (400 mijë në bankë+120 mijë lekë sigurime e tatim+600 mijë lekë në dorë). Kështu fiton 360 mijë lekë për çdo punonjës”.

Nëndeklarimi i pagave po thellon gropën financiare edhe të pensioneve, të cilat varen direkt nga vitet e punës dhe nga kontributet e derdhura.

Me gjithë këto probleme, duket se tregu po eksploron jashtë Shqipërie, por a mund të mbushet boshllëku me punonjës të huaj?

“Ka filluar të jetë një dritare që e ajros dhomën”, thotë eksperti.

PAPUNËSIA NË SHQIPËRI
Viti 2020             11,8%
Viti 2021             11,4%
Viti 2022             10,8%
Viti 2023               9.5%
Viti 2024               8.8%
PUNËKËRKUES TË PAPUNË TË REGJISTRUAR
Viti 2021     70,646
Viti 2022     79,517
Viti 2023      74,730
Viti 2024      67,975
PAGA MESATARE NË SHQIPËRI
Viti 2021       59.565 lekë
Viti 2022       66.014 lekë
Viti 2023       75.025 lekë
Viti 2024       83.401 lekë

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?