Një në pesë punonjës që u aksidentua vjet në vendin e punës humbi jetën. Situatë e përkeqësuar krahasuar me vitet e kaluara.
Shifrat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2024 janë regjistruar 177 aksidente në biznese, nga 168 në vitin e mëparshëm. Nga këto aksidente 33 punonjës kanë humbur jetën, nga 30 që ishte bilanci tragjik në 2023-shin. Numri i jetëve të humbura në vendin e punës është më i larti prej vitit 2020.
Sektori më problematik mbetet ndërtimi me 11 viktima, ndjekur nga minierat me 5 humbje jete dhe më pas janë ndërmarrjet prodhuese e tregtia me nga 3 fatalitete secila. Puna në lartësi, shembjet galerive në miniera, makineritë e prodhimit dhe aksidentet me mjetet e transportit në sektorin e tregtisë, janë shkaktarët kryesorë të fataliteteve në vendin e punës në Shqipëri.
Mungesa e kushteve dhe e sigurisë në vendet e punës do të luftohet me një strategji tjetër deri në vitin 2030. Sektorët me numrin më të lartë të aksidenteve fatale, si ndërtimi, minierat dhe ndërmarrjet prodhuese do të jenë në fokus të hetimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme të detajuara nga Inspektorati.
Strategjia e re 2024-2030 që ka hyrë në fuqi për sigurinë dhe shëndetin në punë synon ngritjen e një sistemi të fortë për hetimin dhe raportimin e aksidenteve në punë, pasi ai aktual nuk ka rezultuar plotësisht efektiv në këtë drejtim.
Komente

Sa turp,,,shteti te siguroje punetoret ne pune,,,,me vendosjen e standartevw te sigurise....
Përgjigju