Në 10 vjetorin e 21 janarit të vitit 2011 ku 4 protestues u vranë në  bulevardin Dëshmorët e Kombit, kryeministri Rama i shpalli ata "Dëshmorë të Atdheut" ndërsa tha se drejtësia për këtë ngjarje nuk është vënë në vend.  4 viktimat  Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, ku sipas Kryeministrit Rama ata ndikuan në  ndryshimin e marrëdhënies së qeverisë në raport me protestën dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.

Rama tha se gjatë 8 viteve qeverisje u respektuar e drejta e protestës dhe qeveria filloi të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe t'u jap atyre të drejtë atëherë kur kanë duke sjellë edhe reflektimin e qeverisë. Ai gjithashtu tha se kjo histori solli edhe pastrimin e sistemit të drejtësisë që kishte lëshuar metastaza kancerogjene në të gjitha nivelet e saj duke degraduar në këtë mënyrë jo vetëm të drejtën që shitej e blihej si mall, por edhe degradimin e qeverisjes dhe shoqërisë.

“Sot është dita për të bërë një reflektim pas një rrugëtimi 10-vjeçar në përpjekje për të kuptuar bashkarisht se si ajo ngjarje tragjike dhe 4 jetë të pafajshme të humbura kanë ndikuar historinë tonë të re në dy drejtime. Në njërën anë në drejtim të marrëdhënies së qeverisë me protestën dhe nga ana tjetër në drejtim të transforimit të sistemit të drejtësisë. 21 janari përtej plagëve të pangushëllueshme, që hapin shpirtin e familjeve të 4 dëshmorëve. Nëse e shohim në aspektin e parë, sot kemi të gjitha arsyet për tu përulur me mirënjohje përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve, humbja e jetës të së cilëve vuri vijë të kuqe për të gjithë duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar. Jam krenar që ne si pjesë e asaj përpjekje në një kohë tjetër tejet të vështirë me marrjen e përgjegjësisë së qeverisjes së vendit, kemi qenë mishërimi i një vullneti të palëkundur për të garantuar për të gjithë dhe gjithmonë. Situata shumë herë më dramatike nga pikëpamja e kërcënimit të fuqisë së protestës dhe tejkalim të gjithë asaj kornize që përcakton Kushtetuta dhe ligji për të drejtën për të protestuar. Jeta e protestuesit të mos vendoset në pikëpyetje” – tha Rama.          

Kryeministri Rama tha se drejtësia për 4 viktimat e protestave të 21 janarit 2011, nuk mund të vij nga qeveria pasi parlamenti nuk bën gjyqe, por kjo duhet të vijë nga drejtësia.

"Ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vetë për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve të 4 dëshmorëve të 21 janarit", tha Rama.

Duke iu referuar vettingut në sistemin e drejtësisë Rama foli për një të ardhme besimplotë, ndërsa tha se llumi që e kishte prekur ishte shumë më i madh nga sa ishte parashikuar.

"Një pjesë e gjyqtarëve nuk janë në sistemin e drejtësisë, një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që si pjesë e llumit nuk mund ta kalonin filtrin e sistemit ndërsa një pjesë tjetër janë ende në punë dhe nuk kanë kaluar në vetting", tha Rama.

Rama ironizoi dhe Presidentin Meta duke u shprehur se do japin përgjigje dhe ata prokurorë e gjyqtarë që sot janë angazhuar për ta shndërruar 25 prillin në referendum kundër qeverisë.

"Ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me palë të treta të veshur në togën e gjykatësve, do përgjigjen të gjithë prokurorët që sot janë angazhuar fort për ta bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie me drejtimin e kreut të referendumit, tha Rama.

Ministrat dhe Rama në fund bënë  homazhe duke vendosur nga një trëndafil për 4 të rënën në protestën e 21 janarit 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët u shpallën ditën e sotme "Dëshmorë të Atdheut". 

Gjatë homazheve foli edhe xhaxhai i Aleks Nikës , i cili tha se nuk kërkon drejtësi nga qeveria, por nga vetë sistemi i drejtësisë, që po zvarrit këtë çështje. Një ditë më parë Policia e Tiranës i kërkoi prokurorisë të hapë dosjen e 21 janarit me një kërkesë specifike për vrasjen e Aleks Nikës, mbetur pa autor.

  Faik Myrta, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi

Ora 14:55
10 vite nga rënia e 4 protestuesve më 21 janar, Qefalia: Kam besim se drejtësia e re do jap verdiktin e duhur

Deputeti socialist Xhemal Qefalia, pas homazheve thotë se policia pati arsye të forta për të bërë një kërkesë të tillë, ndërsa shprehet besimplotë se drejtësia e re do sjellë para drejtësisë fajtorët.

"Duhet të ketë provë të re që të rihapen hetimet dhe nga sa jam informuar ende ka nga ata 4 dëshmorët e rënë më 21 janar që nuk është identifikuar kush është autorit. Ky është një ogur i mirë se kush duke pasur në konsideratë që reforma në drejtësi të ndëshkojë secilin individë. Ka mjaft ngjarje që janë zbuluar ditët e fundit edhe pse kanë ndodhur në 1997. Unë besoj te drejtësia që të jap verdiktin e duhur për secilin individë", tha Qefalia.

Ora 13:55
Veliaj vendos lule ku u vranë 4 protestuesit në Bulevard: Drejtësia e re të ndreqë atë që se bëri dot drejtësia e vjetër

 

10 vite më parë, 4 protestues, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika humbën jetën nga plagët e marra nga zjarri i hapur nga policia dhe garda në Kryeministri, ku ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha. 

Sot, kryebashkiaku Erion Veliaj, deputetë dhe qytetarë bashkë me familjarë të 4 viktimave, kanë vendosur lule në 4 vendet ku u vranë 4 protestuesit në Bulevard.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se 21 Janari është një ditë reflektimi për të mos harruar dhe për t’i kërkuar drejtësisë së re përgjegjësinë për të ndrequr atë që s’e bëri dot drejtësia e vjetër

“TË PAHARRUAR! 21 Janari është një ditë reflektimi për të mos harruar dhe për t’i kërkuar drejtësisë së re përgjegjësinë për të ndrequr atë që s’e bëri dot drejtësia e vjetër! #MosHarro #Drejtësi”, shkruan Veliaj.

1611231698_erionveliaj.jpg

Ora 11:12
Kërkesa për rifillimin e hetimeve për 21 janarin/Gjonaj: Të veprojë policia e prokuroria! Xhaxhai i Aleks Nikës: Drejtësi nuk presim nga qeveria, por nga gjykata

Xhaxhai i Aleks Nikës, dëshmori i rënë më 21 janar tha se çështja e dënimit të autorëve është zvarritur por për këtë nuk ka faj policia apo qeveria, por segmente të tjera të drejtësisë. Ai tha se nuk pret drejtësia nga qeveria dhe se me përfundimin e reformës në drejtësi shpreson të ketë një vendim të drejtë për të autorët që vranë 4 protestuesit.

"Ne kërkojmë vetëm drejtësi, ne nuk kërkojmë nga qeveria po nga drejtësia. Zvarritja ka patjetër por nga shumë segmente të tjerë, nuk është zvarritje nga kryeministri. Po të përfundojë reforma në drejtësi e besoj se do ketë drejtësi për të rënët", tha xhaxhai i Aleks Nikës.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e pyetur se mos janë gjetur prova të reja që kërkohet nisja e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, ajo tha se kjo i duhet lënë policisë dhe prokurorisë të bëjë punë e saj.

"Policia do veprojë e pastaj prokuroria do hetojë mbi bazën e provave", tha Gjonaj

 

Ora 11:11
Një trëndafil për 4 të rëndë më 21 janar, Rama dhe ministrat homazhe në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'

Ministrat me në krye kryeministrin Edi Rama kanë bërë homazhe duke vendosur nga një trëndafil për 4 të rënën në protestën e 21 janarit 2011, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, të cilët u shpallën ditën e sotme "Dëshmorë të Atdheut".

Ora 11:10
'Mohuan drejtësinë për 21 janarin', Rama: Gjyqtarë e prokurorë duan të rrëzojnë Qeverinë më 25 prill

Gjatë konferencës që zhvilloi sot me rastin e 10-vjetorit të 21 janarit, kryeministri Rama bëri akuza të forta ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që sipas tij kanë mohuar drejtësinë për të vrarët në bulevard 10 vite më parë.

Ai u shpreh se gjyqtarët dhe prokurorët që mohuan drejtësinë për 4 viktimat e 21 janarit, do të përgjigjen. Sipas tij ata janë angazhuar për ta shndërruar 25 prillin në referendum kundër qeverisë.

“Thënë të gjitha këto unë dëshiroj të them se së pari më vjen shumë mirë që sot hedhim një hap të rëndësishmë duke  i vendosur të 4 e rënët e 21 janarit aty ku ata e kanë vendin, në altarin e atdheut si dëshmitarë të një histori ku humbën jetën, jo rastësisht, por sepse besuan te të drejtat dhe liritë e tyre dhe protestuan për këtë gjë. U ndihem krenar për përpjekjen drejt rezultatin final, drejt krijimit të një drejtësie që bën drejtësi dhe ndarja e saj nga malli që shitet dhe blihet. E nesërmja nuk ka diskutim që do ta vulosë si rol historik gjithçka që ne kemi bërë dhe po bëjmë që prej hapjes së kapitullit të sistemit të drejtësisë. Ne nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë më shumë por kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të mos i lëmë vetëm familjarët dhe fëmijët e të rënëve të 21 janarit çka na jep lehtësimin e nevojshëm për të qenë përpara kujtimit të tyre, jo me kokën ulur. Nuk jemi ende me kokën lart përsa kohë ky proces nuk ka përfunduar, dhe ka ende llum për të pastruar, por patjetër që do i shohim në sy për gjithçka që po bëjmë për të gjithë familjet e tyre. Sot ne i dorëzojmë familjeve simbolin e Dëshmorit të Atdheut dhe jam i bindur që në 4 shtëpitë të jetë një pikë referimi për vështrimin e fëmijëve për besimin që drejtësia do bëjë të sajën. Ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me palë të treta të veshur në togën e gjykatësve, do përgjigjen të gjithë prokurorët që sot janë angazhuar fort për ta bërë 25 prillin një referendum kundër kësaj qeverie me drejtimin e kreut të referendumit” – tha Rama.

Ora 11:02
Rama, Gjonaj, Ruçi e Peleshi u dorëzojnë simbolin e ‘Dëshmorëve të Atdheut' familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit

 

Kryeministri Rama, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u dorëzojnë simbolin e ‘Dëshmorëve të Atdheut’ familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit 2021.

Ora 11:00
Rama: Gjykata justifikoi vrasësit duke thënë se qëlluan nga vetëbesimi i madh! Absurditeti i drejtësisë tonë kancerogjene

Kryeministri Edi Rama tha për dy të akuzuarit se qëlluan dhe vranë dy protestues por ata nuk kanë dashur të vrasin por nga vetëbesimi i tepruar kanë krijuar viktima. Kjo, tha Rama, është si të justifikosh një terrorist, që nuk i njeh viktimat por do të vendos një rend të ri botëror. Rama u shpreh se ky është absurditeti i jetës reale i sistemit të drejtësisë  dhe se duhet të ecet para me reformimin e plotë të saj.

"Nëse do të lexojmë dosjen e gjykimit për dy persona të akuzuar për 21 janarin, po të mos e dish që kjo është një ngjarje që ka ndodhur mund të mendosh se këto janë faqet e një libri satirik. Dy personat e evidentuar si personat që kanë qëlluar dhe vrarë konsiderohen nga gjykata si dy individë që  nuk kanë bashkëpunuar më njëri tjetrin dhe nuk e njihnin asnjërin prej viktimave dhe nuk kanë pasur bashkëpunime me persona të tretë. Faktikisht e thotë gjykata e Apelit dhe jo me fjalë por me shkrim, që këta persona nuk kanë dashur të vrasin por nga vetëbesimi i tepruar kanë krijuar viktima. Njësoj si kur nuk njohin viktimat kur vënën një bombë në një stacion, njësoj si terroristët që nuk bashkëpunojnë me palë të treta, por kanë një vetëbesim të tepruar për të vendosur një rend të ri botëror dhe vrasin njerëz dhe janë të pafajshëm. Ky është absurdi i jetës reale i sistemit të drejtësisë  që na duhet të përballemi dhe për këtë duhet të çojmë përpara reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë", tha Rama.

Ora 11:00
Rama: E drejta u kthye në mall që shitet dhe blihet, llumi në drejtësi ishte më  i madh nga sa mendohej

Kryeministri Edi Rama tha se drejtësia vijon të pastrohet nga kanceri që e kishte pushtuar prej vitesh duke sjellë degradimin në mënyrë të vazhdueshme sistemit dhe organizmin e shtetit dhe shoqërisë.  Rama tha se llumi ishte aq i madh sa të larguarit nga vetingu dhe drejtësia e re ishte shumë më i madh nga sa ishte menduar fillimisht.

"Shumëkush mendon se me vetingun dhe pastrimin i këtij llumi mbaron llogaridhënie e këtyre njerëzve, Jo. Mbase shumëkush ka menduar se vetingu është edhe një shkallë ndëshkimore për sistemin, jo. Vetingu është filtri që pastron të gjithë prurjen në sistem. Është pjesë e të gjithë infrastrukturës së ngritur për ta vendosur drejtësinë e re në themele të reja dhe për të garantuar se i gjithë organizmi i drejtësisë së re është i pastruar nga metastazat e një kanceri që e degradoi në mënyrë të vazhdueshme sistemin dhe organizmin e shtetit dhe shoqërisë sonë. Do të jetë pikërisht faza tjetër ajo e sistemit të pastruar nga kanceri që do të realizojë atë që njerëzit presin me një padurim të mirëkuptueshëm. Goditjen e të gjithë atyre që morën peng drejtësinë për vite të tëra dhe e bënë vendin tonë një vend ku e drejta u kthye në mall që shitet dhe blihet. Edhe sot e drejta nuk është ndarë përfundimisht nga malli, por hetohet si mall në shumë çështje dhe shumë gjykata nga gjykatës dhe prokurorë që janë pjesë e atij llumi që vazhdon të pastrohet, por nëse shohim shifrat e atyre që janë larguar ata kanë tejkaluar edhe parashikimet më pesimiste në sensin e të qeni shumë. Të gjitha parashikimet e bëra ku konceptohej reforma në drejtësi flisnin për shifra të mundshëm që janë të tejkaluar sot që flasim pa mbaruar pastrimi", tha Rama.

Ora 10:52
Përkujtimi i 21 janarit/ Rama: Jemi besimplotë për të ardhmen, transformimi i sistemit të drejtësisë po funksionon

 

Kryeministri Rama u shpreh se pavarësisht se nuk është vendosur drejtësi për viktimat e 21 janarit, e ardhmja është besimplotë duke iu referuar vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ai thotë se rruga e përmbushjes së këtij transformimi është ende duke u ndërtuar duke shpresuar se do të vendosë drejtësi për protestën e 21 janarit.

“Për të vënë në vend atë që në fund të fundit e materializon një proces drejtësie. Të drejtën e reflektuar tek ndëshkimet. Në fakt, ky nuk është një justifikim. Kjo është e vërteta. Ajo që e dallon këtë të vërtetë, me të njëjtën të vërtetë të thënë në kushte të tjera është se ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Jemi ne që kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të siguruar të gjithë ngrehinën ligjore dhe rregullatorë të një sistemi drejtësie që të jetë në gjendje të bëj këtë që njerëzit kërkojnë për 21 janarin. Jemi ne që vijmë nga rruga e kësaj tragjedie që kemi vendosur jo thjesht në program, por në rrugën e zgjidhjes, problemin e madh të çlirimit të drejtësisë dhe krijimin e një drejtësie të denjë dhe funksional. Nëse e shohim 21 janarin me sytë e së djeshmes, ka 1001 fjalë që mund të thuhen për të argumentuar se nuk është bërë asgjë. Përderisa sot e gjithë ditën, 4 dëshmorët e 21 janarit, pas 10 vitesh nuk prehen të qetë ashtu sikundër të gjithë të afërmit e tyre sa herë që ajo plag dhemb, nuk ka se si të marrin frymë të lehtësuar nga fakti që është bërë drejtësi.

Por nëse e shohim 21 janarin me sytë e së nesërmes dhe nëse bëjmë një vlerësim objektiv mes situatës së sotme dhe asaj të djeshme të sistemit të drejtësisë, kemi të gjitha arsyet që të jemi besimplotë që transformimi po funksionon. Rruga e përmbushjes së këtij transforimi është ende për tu ndërtuar. Jemi mes së djeshmes, në ndërtim të rrugës. Siç janë sot kantieret e rindërtimit pas tërmetit që janë ende të pabanueshme por janë aty dhe tregojnë se më e keqja është lënë pas krahëve. Ku janë sot, ata të cilët duke përdorur çekiçin e gjykatësit të Shqipërisë e sakatuan përmes seancash gjyqësore absurde të drejtën e të gjithë familjarëve për të parë drejtësi. Një pjesë e gjyqtarëve nuk janë në sistemin e drejtësisë, një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që si pjesë e llumit nuk mund ta kalonin filtrin e sistemit ndërsa një pjesë tjetër janë ende në punë dhe nuk kanë kaluar në vetting" - tha Rama.

Ora 10:39
10 vite nga vrasja e 4 protestuesve më 21 janar Rama: Parlamenti nuk bën gjyqe dhe as akuza penale, duhet të veprojë drejtësia

Kryeministri Rama tha se drejtësinë për 4 viktimat e protestave të 21 janarit 2011, të shpallur dëshmorë të atdheut sot, nuk mund të vij nga qeveria dhe parlamenti pasi ai nuk bën gjyqe, por kjo duhet të vijë nga drejtësia. Rama tha se qeveria apo edhe kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale për t'ia çuar gjykatës së partisë, por është drejtësia që i bën të gjitha këto.

Janë të gjithë dëshmitarë  që është kthyer në normë se protesta është shprehje e të drejtës dhe nevojës për të dëgjuar dhe si asnjëherë më parë në këto vite qeveria e Shqipërisë ka pasur jo vetëm vullnetin për të dëgjuar, por edhe karakterin për të reaguar deri edhe duke kërkuar ndjesë përmes të drejtës së vet dhe arsyes që kanë treguar se ka qenë qeveria në pozitën e palës që duhet të tërhiqet dhe kanë qene protestuesit në pozitën e palës që jo vetëm të dëgjohet por edhe vlerësohet dhe me i dhënë të drejtë për argumentin. Nëse protesta është një e drejtë e pakontestueshme, e drejta nuk është gjithmonë në ata që protestojnë. Situata në vendet e kësaj familje euorpaina që ne i përkasim menjëherë ngrenë shqetësimin dhe pikëpyetjen  duke thënë  një të vërtetë që drejtësia për 21 janarin është  papërfunduar larg së qeni  e përfunduar. Por duke ngatërruar nga ana tjetër kohën që jemi sot dhe nuk jemi qysh në fakt që prej 1990 në një kohë kur politika dhe partitë që qeverinë dhe qeveria vetë apo kryeministri mund të bëjë atë që i takon të bëjë drejtësia. Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore, qeveria nuk bën rolin e prokurorisë dhe as ministri i Drejtësisë dhe as kryeministri nuk mund të ngrenë akuza penale për t'ja çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën të gjitha këto. Ende sot drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vetë për të vënë në vend secilin nga pjesëmarrësit në atë tragjedi, për të vënë në vend të drejtën e padiskutueshme të të gjithë të afërmve të 4 dëshmorëve të 21 janarit, tha Rama

Komento

Komente

  • Iris: 22/01/2021 03:48

    Qe t'i shpallesh deshmore,eshte pak e tepruar,se nuk jane si ata qe mund ta kene pesuar kur protestuan kunder pushtuesve gjate L.II.B.Thjesht ky ishte nje sherr i brendshem,mes partish,por nuk jane as si ata 4 vetat qe u vrane ne Capitol,se ata u mashtruan nga Trump me shoke.Le te themi se eshte nje rast i vecante dhe meriton nje fare respekti te vecante.S.d.q.jam kurioze ne se Meta ka per t'ju dhene ndonje medalje ne te ardhmen,sepse protesta u be per shkak te videos se tij.

    Përgjigju
  • Lui: 21/01/2021 16:06

    Ore, ju kapi edhe juve sindroma e Ilir Metes qe jep decorata e tituj kush i del perpara.. Une e kuptoj dhimbjen e familjareve, dhe aq me teper qe akoma nuk ka drejtesi per ate date, por t'i shpallesh "Deshmore te Atdheut" eshte e tepert...

    Përgjigju
  • Ada: 21/01/2021 16:04

    Polici do veproje dhe pastaj prokuroria do hetoje? E bukur kjo. Se si e qysh do veproje policia, e di qeveria si duket. Kurse prokuroria qe ushtron ndjekjen penale do presi nje cike e pasi te veproje policia do hetoje.

    Përgjigju
  • Trnakop Kacija: 21/01/2021 16:00

    Edi Rama te ja percjell kete ide Joe Bidenit per ata 4 te vrare ne Pallatin e Kongresit ne Washington e te shohim cfare pergjigje do te marr - po si arsyetohet tentimi me force me arme me arme zjarri, me koktella mollotovi e me tentine me vetura civile me thy rrethojat per te pushtuar objektet shteterore sic eshte tentuar nga keta “deshmore” me 4 janar ne Tirane - keta duhet te shpallen terroriste te brendshem dhe te trajtohen si te tille.

    Përgjigju
  • ropshi: 21/01/2021 14:07

    o lali ,ari po ishte ti qe lyeje njerzit me boje te kuqe ne ate proteste , u vrane sto dhe erdhe ti ne pushtet, po ishalla ka zot lart e ta nxjerr atje ku te dhem o ropsh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?