Në historinë e shtetit shqiptar nuk kishte ndodhur më parë si në rastin e Bashkisë Himarë, që në një periudhë më pak se një vit të ketë në burg kryetarin e zgjedhur dhe atë në detyrë njëkohësisht. Më arrestimin e Jorgo Goros, posti i kryebashkiakut të Himarës mbetet de facto vakant ndërsa rebusi ligjor bëhet edhe më i komplikuar se ç’do të ndodhë.
“Me sa lexoj nga ligji është pak i paqartë, pasi kemi dy të panjohura. Nuk jemi në momentin kur është arrestuar kryetari i bashkisë. Po flasim për një kryetar në detyrë”- tha juristi Redi Ramaj për Report Tv.
Por çfarë parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore? Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo e zgjedhjeve të parakohshme por për këtë do të duhet të pritur një vendim i formës së prerë nga Apeli i GJKKO për Fredi Belerin. Deri atëherë Jorgo Goro, edhe pse në burg, mbetet kryetar në detyrë i Bashkisë Himarë, ndërsa situatën do të mund ta ndryshonte një dorëheqje e Goros ose nëse Qeveria vendos shkarkimin e tij. Nëse do të kishim një vendim të tillë i cili të mos ankimohej në Kushtetuese nga Goro, atëherë pozicioni i kryebashkiakut në Himarë do të mbetej edhe ligjërisht vakant. Propozimi për shkarkim mund ta vijë edhe nga Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo, i emëruar nga qeveria vetëm pak më parë dhe i përmendur gjerësisht si një emër i mundshëm për të kandiduar për Bashkinë e Himarës.
Kjo do t’i jepte të drejtën Këshillit Bashkiak që bazuar në pikën 5 të nenit 61 të ligjit për vetëqeverisjen vendore të komandonte si kryetar në detyrë të Bashkisë, përkohësisht një prej zëvendëskryetarëve të Bashkisë Himarë. Në këtë rast Partia Socialiste ka 13 vota në Këshill, përkundrejt 8 vota të koalicionit opozitar, pra mazhoranca do të zgjidhte e vetme.
“Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen Zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”.- thuhet në Neni 61, pika 5.
Neni 61 pika 5 i ligjit për Qeverisjen Vendore
Por për juristin Redi Ramaj Këshilli Bashkiak do të duhet të bënte një zgjedhje tjetër. Për Report Tv ai thotë se në frymën e ligjit zgjidhje më e mirë do të ishte një anëtar i Këshillit Bashkiak si kryetar në detyrë.
“Caktimin e një nënkryetari nuk është në përputhje me ligjin, por me një anëtar të këshillit bashkiak pasi është organi i zgjedhur në zgjedhjet e fundit. Është e vështirë ta komandojë një nënkryetar që nuk ka legjitimit për të vazhduar drejtimin e Bashkisë Himarë. Paradoksale ishte edhe vetë drejtimi nga z. Goro”- tha Redi Ramaj, jurist.
Report Tv shkoi në Himarë 2 ditë pas arrestimit të Goros ndërsa Bashkia vijon punën normalisht, teksa të gjithë qytetarët himariotë përgatiten për fillimin e sezonit turistik.
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua të shtunën me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dhe do të dalë të martën para GJKKO, ku do t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Që prej ditës së shtunë kur u prangos, 23 mars, ai është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar në gjykatë për verifikim të masës së sigurisë. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet në burg që prej 12 majit 2023, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi më 5 mars dënimin me dy vite burg për të si i shpallur fajtor për blerje votash.