TIRANË - 25 raste të reja me koronavirus janë identifikuar gjatë 24 orëve të fundit nga 242 testime të kryera duke e çuar në 609 numrin e të infektuarve nga 6017 teste që janë kryer në total.
Sot është dita e parë që nga fillimi i epidemisë që Tirana nuk ka rast të ri. Por harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Kurbin, Krujë. Nga gjurmimi epidemiologji në Krujë, ku ka shpërthyer vatra më e rrezikshme e përhapjes së COVID-19 në një fasoneri fabrikë këpucësh, ku kanë rezultuar pozitivë 17 persona dhe në Kurbin janë 8 raste të reja.
Gjatë 24 orëve të fundit, 18 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 345. Aktualisht në vendin tonë janë 238 persona të infektuar aktivë, ku prej më shumë se një jave vijon tendenca ku numri i të shëruarve është më i lartë.
Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 32 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 3 pacientë janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:
- Tiranë 253 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 16 raste
- Fier 36 raste
- Kavajë 9 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 19 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 99 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 13 raste
- Krujë 40 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 11 rast
-Mallakastër 1 raste
- Kurbin 27 raste
"Pavarësisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico.
Mes 18 personave të shëruar gjatë 24 orëve të fundit është edhe një mjek, duke e çuar në total numrin e personelit të bluzave të bardha të shëruara në 41.
"Edhe 1 personel shëndetësor i shëruar në Tiranë, mes 18 të shëruarve në 24 orët e fundit! Janë 41 personel shëndetësor të shëruar nga COVID-19. Por Lajmi Më I Mirë është se SOT, nuk kemi asnjë mjek dhe infermier që po trajtohet në spital për COVID19 dhe 70% e të prekurve ndërmjet bluzave të bardha janë plotësisht të shëruar! Deri tani janë 345 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me COVID-19", shkruan Manastirliu.
TIRANË- Në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka dhënë shifra konkrete lidhur me situatën e COVID-19 në Shqipëri. Fico ka bërë me dije se 60 mjekë dhe infermierë janë konfirmuar pozitiv, ku 2/3 janë shëruar. Ndërkohë lajme të mira vijnë edhe për fëmijët e prekur, të cilët gjysma e tyre shëruar dhe asnjë nuk është në spital.
"Kemi 60 mjekë dhe infermier, dhe 2/3 janë të shëruar. 21 fëmijë të prekur, por lajmi i mirë është se gjysma e tyre janë shëruar dhe asnjë nuk është në spital", tha Fico.
Ndërkohë, sa i përket "heronjve" të tjerë të heshtur të kësaj situate, policëve mësohet se kanë rezultuar pozitiv 14 efektivë, e ndërsa COVID-19 nuk ka kursyer as gratë shtatzënë ku mësohet se janë konfirmuar 4 raste në Shqipëri. Me koronavirus është edhe një gazetar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, siç edhe ka ndodhur me të gjitha rastet e tjera të konfirmuar deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë.
Në fund, Fico ka bërë me dije se në karantinën shtetërore e cila ndodhet në Konvaleshencë janë të shtruar 4 pacientë.