Bota

'Do ketë kundërpërgjigje të forta', SHBA hedh në erë me dron makinën bombë që do të shpërthente pranë aeroportit të Kabulit! 2 të vdekur

29 Gusht 2021, 07:39| Përditesimi: 29 Gusht 2021, 23:04

  • Share

AFGANISTAN-Ashtu siç presidenti amerikan Joe Biden e kishte paralajmëruar, SHBA po hakmerret duke goditur bazat e ISIS, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në aeroportin e Kabulit, që vrau dhe plagosi pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe civilë afganë.

Deri tani raportohet se 2 persona kanë ndërruar jetë dhe 3 kanë mbetur i plagosur, pasi një dron i SHBA goditi një bazë të ISIS-K, në veriperëndim të aeroportit të Kabulit. Teksa SHBA po shkon drejt fundit të evakuimeve, talebanët tashmë janë bërë gati për të marrë vendin në zotërim të plotë. SHBA tha se goditja ishte për “disa ekstremistë që do të kryenin sulme vetëvrasëse”, që kishin lidhje me degën e Shtetit Islamik në Afganistan dhe që mund të kishin si objektiv sulmesh operacionet e ushtrisë amerikane në aeroportin e Kabulit.

Më herët Biden në një deklaratë, pas takimit me këshilltarët e tij të sigurisë, tha se komandantët ushtarakë e kishin informuar për mundësinë e një sulmi të tillë në orët e ardhshme. “I udhëzova ata të marrin të gjitha masat e mundshme, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së forcës (amerikane)”, tha Biden.

Presidenti i SHBA kujtoi se situata në terren në Afganistan është ende “jashtëzakonisht e rrezikshme” dhe siguroi se goditja kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik të Khorasan (ISIS-K) nuk do të jetë e fundit. 

Ky paralajmërim për një tjetër sulm vjen pasi Pentagoni ka konfirmuar vrasjen e dy "kokave" të grupit ISIS-K për të cilët, ushtria beson se ishin përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul. 

Vrasja e funksionarëve të grupit të ri terrorist ISIS-K erdhi gjatë një kundërpërgjigjeje me dron të ushtrisë amerikane, më pak se 48 orë pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilit u vranë mbi 200 persona. 13 prej tyre ishin ushtarë amerikanë, ndërsa mbi 150 persona mbetën të plagosur.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet jashtë aeroportit të Kabulit. Presidenti Joe Biden premtoi se do të gjente xhihadistët pas sulmit vetëvrasës. ISIS-K, ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik, është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Ndërkohë që në aeroportin e Kabulit  situata vijon te jetë tepër e tensionuar dhe talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e  afganëve, në dy javët e fundit, më shumë se 100,000 njerëz besohet se janë evakuuar. DASH u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të largohen nga zona pranë aeroportit për shkak të kërcënimit për një tjetër sulm.

Ora 23:00
Sulmi me dron në Kabul, SHBA: Asgjësuam militantë që kishin në shënjestër aeroportin

Një goditje e ushtrisë amerikane me dron shkatërroi një makinë me “disa ekstremistë që do të kryenin sulme vetëvrasëse”, që kishin lidhje me degën e Shtetit Islamik në Afganistan dhe që mund të kishin si objektiv sulmesh operacionet e ushtrisë amerikane në aeroportin e Kabulit, njoftuan zyrtarët amerikanë.

Goditja u ndërmor dy ditë përpara se Shtetet e Bashkuara të përmbyllin tërheqjen e plotë nga Afganistani, një operacion që ka përfshirë evakuimin e dhjetëra mijëra shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë. Përmbyllja e tërheqjes, e planifikuar për 31 gusht, do të shënojë përfundimin e luftës më të gjatë të Amerikës, ndërsa në Afganistan kontrolli është në duart e talebanëve.

Departamenti amerikan i Shtetit nxori një deklaratë të nënshkruar nga rreth 100 vende, si dhe NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, ku thuhej se “ishin siguruar” nga talebanët se personat e pajisur me dokumente udhëtimi do të lejohen të largohen nga Afganistani. Talebanët kanë thënë se do të lejojnë udhëtime normale pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, kur të marrin nën kontroll aeroportin.

Thuajse në të njëjtën kohë me sulmin e dronit amerikan, policia afgane tha se një raketë goditi një lagje pranë aeroportit duke lënë të vdekur një fëmijë. Shefi i policisë së Kabulit e konfirmoi goditjen me raketë. Video e shpërndara nga agjencia e lajmeve Associated Press, tregojnë tymin që ngrihet pranë një ndërtese, rreth 1 kilometër nga aeroporti.

Talebanët i përshkruan këto sulme si incidente pa lidhje me njëri-tjetrin, por banorët në Kabul thanë se dëgjuan vetëm një shpërthim.

Dy zyrtarë ushtarakë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të diskutonin operacione ushtarake, e cilësuan sulmin me dron të suksesshëm, duke shtuar se kishte asgjësuar disa sulmues.

Sipas kapitenit të marinës ushtarake, Bill Urban, po analizohen pasojat, për të parë nëse kishte dëme në civilë, por ai shtoi se “nuk kemi dëshmi për momentin”.

Goditja u ndërmor dy ditë pasi një operativ i Shtetit Islamik kreu një sulm vetëvrasës pranë aeroportit duke lënë të vdekur 169 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë. Të shtunën, SHBA ndërmorën një sulm që la të vrarë dy operativë të ISIS-it.

Presidenti Joe Biden është zotuar të vazhdojë sulmet ajrore, duke thënë të shtunën se një tjetër goditje është “shumë e mundshme”. Departamenti i Shtetit e cilësoi rrezikun “specifik” dhe “të besueshëm”./VOA

Ora 16:52
'E dua punën time!' fotoja e marinëses amerikane që shpëtoi fëmijën afgan, vetëm pak ditë para se të vritej nga atentati terrorist i ISIS-K

Rreshterja amerikane e Trupës detare, Nicole L. Gee, vetëm 23 vjeçe ishte në mesin e personelit ushtarak amerikan, që u vra nga sulmi terrorist pak ditë më parë në Kabul nga ISIS-K, ku humbën jetën qindra persona.

Gee kishte dokumentuar kohën e saj në Afganistan në faqen e saj personale në Instagram. Postimi i saj i fundit fotografik ishte nga aeroporti i Kabulit në mes të përpjekjeve të evakuimit të afganëve të udhëhequr nga SHBA dhe u publikua më 22 gusht, vetëm katër ditë para se ajo të vdiste në shpërthim.

"Përcjellja e të evakuuarve," shkroi Gee në mbishkrimin e fotografisë së saj, ku shihej duke qëndruar pranë një rreshti të gjatë të evakuuarish afganë që shkonin në SHBA.

Një javë më parë, postoi një fotografi në Instagram që tregonte atë duke mbajtur një fëmijë në aeroportin e Kabulit. Ajo shtoi një koment të thjeshtë: "Unë e dua punën time!".

Nicole Gee ishte një teknike 23-vjeçare e mirëmbajtjes nga Sacramento, Californi, e cila ishte bashkuar me marinsat në 2017.

Ajo fillimisht kishte dashur të ishte një kontrolluese e trafikut ajror, tha babai i saj Richard Herrera për Washington Post, por një parregullsi e rrahjeve të zemrës e kishte parandaluar atë.

Herrera tha se zonja Gee kishte qenë një "fëmijë shumë i vendosur" që shkëlqeu në shkollë.

Gjatë një bisede me tekst disa ditë para vdekjes së saj, ai 'i tha asaj se ishte krenar për të'.

'Ajo ishte një fëmijë i përsosur. Ajo kurrë nuk u fut në telashe. Ajo gjithmonë shkoi në rrugën e duhur.'- tha ai.

Ora 16:44
Mesazhe shprese për botën, dy atletët afganë evakuohen dhe përfaqësojnë Afganistanin në lojërat para olimpike në Tokyo, mes tyre një sportiste femër

Ngritja e flamurit të Afganistanit nga një vullnetar në Lojërat Para Olimpike në Tokyo

Në një kohë kur në aeroportin e Kabulit mbizotëron kaosi për shkak të evakuimeve të afganëve, të cilët kanë qenë mbështetës të SHBA dhe NATO-s,  kanë mundur që të evakuohen edhe dy atletë para olimpik, të cilët do të përfarojnë vendin e tyre në Lojërat para olimpike në Tokyo.

Atletët para olimpik të Afganistanit, Zakia Khudadadi dhe Hossain Rasouli mbërritën në Tokio pas një mega operacioni global evakuimi që po kryhet në vendin e tyre në Kabul. Fillimisht ata u dërguan në Francë, ku pati një proces rehabilitimi në në Institutin Kombëtar të Ekspertizës Sportive dhe Performancës dhe më pas u nisën drejt Japonisë. Duke qenë se lojërat para olimpike të Tokyos u hapën më 25 gusht, flamuri i vendit të tyre u ngrit gjatë paradës së vendeve pjesëmarrëse nga një vullnetar.

Mbërritja e tyre në Tokio u prit me festë nga Komiteti Para Olimpik, ku i pranishëm ishte dhe presidenti i këtij komiteti, Andreë Parsons. Zëdhënësi i komitetit tha se ishte një takim shumë emocionues. Presidenti Parsons deklaroi që asnjëherë ata si kishin humbur shpresat mbi evakuimin e atletëve.

Khudadadi 23 vjeç do jetë femra e parë afganë që merr pjesë në lojërat para olimpikë. Ajo do konkurrojë në sportin e Taekëondo ndërsa atleti Rasouli do kandidojë në atletikë në garën e 400 metrave.

Ora 16:08
'Do hakmerremi' SHBA kryen një tjetër sulm në Afganistan, droni hedh në erë makinën bombë që do të shpërthente pranë aeroportit të Kabulit

SHBA ka kryer një tjetër goditje me dron në një lagje në Afganistan, ku thotë se ka goditur një bazë të ISIS-K.

Sulmi kishte në shënjestër anëtarët e degës afgane të grupit të Shtetit Islamik, ISIS-K, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar zyrtarë amerikanë. Deri tani raportohet se 2 persona kanë ndërruar jetë dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur. 

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane ka konfirmuar për Reuters se SHBA ka kryer një sulm me dron në një automjet në Kabul. Automjeti mbante “shumë” bomba vetëvrasëse të Shtetit Islamik që po shkonin drejt aeroportit të Kabulit.

Presidenti Joe Biden paralajmëroi se ata që qëndrojnë pas sulmit vdekjeprurës terrorist që vrau dhe plagosi pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe civilë afganë në Kabul, se SHBA “do i ndjekë këmba-kembës’.

Ora 15:42
Sulmi terrorist jashtë aeroportit të Kabulit, çfarë ndodhi në zyrën e presidenti Biden kur u informua për ngjarjen

Presidenti amerikan Joe Biden ka qenë i nevrikosur dhe i tronditur por jo i surprizuar kur gjenerali Mark Milley e lajmëroi në orën 9:15 për sulmin me bombë në aeroportin e Kabulit. Administrata e presidentit ka qenë e informuar nga shërbimet e inteligjencës për sulmin por e kanë pasur të pamundur të identifikojnë autorët dhe orën ekzakte.

Pas marrjes së lajmit për shpërthimet në aeroportin e Kabulit, presidenti ka zbritur nga kati i 3 i rezidencës në zyrën ku ndodheshe stafi i sigurisë kombëtare. Biden ka qëndruar për një orë me zyrtarët më të rëndësishëm të sigurisë amerikane duke marrë informacione nga komandantet ushtarak  të Kabulit dhe duke pare foto dhe harta të aeroportit. Presidenti pas një ore është larguar në zyrën e tij ovale ku është azhornuar gjatë gjithë kohës me informacione nga këshilltari i sigurisë Jake Sullivan dhe shefi i stafit Ron Klain.

Biden ka qenë i informuar për sulmin në aeroport nga shërbimet e inteligjencës por ai dhe skuadra e tij drejtuese kanë pasur shumë pak opsione për të mbrojtur jetët e ushtarëve dhe njerëzve  për shkak të situatës në teren. Stafi i presidentit ka patur pak kohë që të kalonte pjesën emocionale të sulmit terrorist për shkak se është fokusuar te pjesa e rëndësishme që ishin evakuimet nga Kabuli dhe hakmarrja ndaj grupi terrorist të shtetit islamik. Forcat ushtarake amerikane kryen një sulm me dron ndaj këtij grupi në provincën Nangarhar pasi presidenti deklaroi që grupi terrorist do ta paguante për sulmin e bërë. Një komandant ushtarak e përshkruajti presidentin amerikan si të qetë  dhe të kthjellët pas  sulmit.

Ora 15:11
Biden e paralajmëroi, dëgjohet një shpërthim i fortë pranë aeroportit të Kabulit, një fëmijë ndërron jetë

Ashtu siç e kishin paralajmëruar edhe autoritet amerikane dhe presidenti Joe Biden, një shpërthim tjetër raportohet se ka ndodhur në Kabul, Afganistan.

Mediat e huaja raportojnë se një shpërthim i fortë është dëgjuar pranë aeroportit të Kabulit. Disa imazhe të postuara në mediat sociale tregojnë retë e zeza të tymit që ngrihen në ajër mbi ndërtesat.

Një shef i policisë afgane i cituar nga agjencia e lajmeve AP ka konfirmuar se një fëmijë ka ndërruar jetë, pasi një raketë goditi një zonë banimi në veriperëndim të aeroportit të Kabulit.

Ora 14:26
Macron: Franca dhe Britania do të propozojnë në OKB krijimin e një zone të sigurt në Kabul

Franca dhe Britania do të paraqesin një rezolutë në një takim urgjent të OKB-së që do të mbahet të hënën, ku do të propozojnë ngritjen e një zone të sigurt në Kabul për të mbrojtur njerëzit që përpiqen të largohen nga Afganistani. Ky lajm është bërë me dije nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

"Propozimi ynë i rezolutës synon të përcaktojë një zonë të sigurt në Kabul, nën kontrollin e OKB -së, e cila do të lejojë që operacionet e evakuimit të vazhdojnë të vazhdojnë," tha Macron për gazetën franceze Le Journal du Dimanche (JDD).

Gjatë vizitës së tij në Mosul të Irakut, Macron ka deklaruar për gazetarët se shpreson që propozim i tillë të përkrahet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thirrur takimin e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për Afganistanin. Ndërkohë, Macron të shtunën deklaroi se Franca do të zhvillojë diskutime me talebanët lidhur për mundësinë e evakuimit të më shumë njerëzve nga Afganistani.

Ora 12:46
Kreu i ISIS-K intervistë për CNN, tregon ku ndahen me Talebanët: Ata komandohen nga të tjerë! Largimi i trupave amerikane do na ndihmojë të përhapemi më shumë

Grupi terrorist ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës me bombë jashtë aeroportit të Kabulit, i cili vrau 13 trupa amerikane dhe më shumë se 90 afganë. Gazetarja e CNN Clarissa Ward ka folur me një udhëheqëse të ISIS-K i cili pretendon se ka nën komandën e tij deri në 600 burra.

Një nga komandatët e ISIS thotë se largimi i trupave amerikanë do të lehtësojë punën e tyre.

'Po, kjo është në planet tona. Tani vetëm po rekrutojmë. Por kur të largohen të huajt nga Afganistani, ne do të rinisim operacionet tona.'- tha ai.

Ai ka zbuluar edhe ndryshimin që ato kanë me talebanët, duke thënë se ata nuk mund të zbatojnë ligjet Islamike sepse janë nën kontrollin e njerëzve të tjerë, që duan të zbarojnë planet e tyre.

'Ata s’mund të japin asnjë shembull ku kanë zbatuar ndëshkimet fikse të Ligjit Islamik, si prerja e dorës së një hajduti, vrasja me gurë e një tradhtari apo të një vrasësi. Ata nuk mund të zbatojnë ndëshkimet e Ligjit Islamik sepese janë nën kontrollin e njërezve të tjerë, që duan të zbatojnë planet e tyre. Ne nuk duam planet e askujt tjetër, por të zbatojmë sheriatin. Ndaj kush është dakord është vëllai ynë, në të kundërt i shpallim luftë, qoftë taleban apo dikush tjetër.'- tha ai.

 

Ora 11:59
SHBA drejt fundit të evakuimeve nga Kabuli, talebanët një hap larg marrjes së vendit në zotërim të plotë

Forcat amerikane janë në fazën përfundimtare të largimit nga Kabuli, duke i dhënë fund kështu dy dekadave të përfshirjes në luftën e Afganistanit. Kjo është konfirmuar nga një zyrtar i sigurisë perëndimore për agjencinë  e lajmeve Reuters, teksa ia bëri me dije se mbeten edhe 1.000 trupa për tu tërhequr.

Zyrtari i sigurisë, i cili kërkoi që të mos identifikohej tha se ende nuk kanë një datë të saktë për përfundimin e operacionit të evakuimeve.

"Ne duam të sigurohemi që çdo civil i huaj dhe ata që janë në rrezik të evakuohen sot," tha zyrtari, i cili është vendosur në aeroport.

Kujtojmë që presidenti i SHBA, Joe Biden është shprehur se do t’i përmbahet afatit 31 gusht për tërheqjen e trupave amerikane. Ndërsa një zyrtar i talebanëve ka thënë më parë se janë gati të marrin nën kontroll aeroportin e Kabulit pasi forcat amerikane të largohen.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?