Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi të hënën një dokument të prezantuar si një vendim i Gjykatës së Janinës në Greqi, sipas së cilit tregon se gjyqtarja Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme është e dënuar me 3 muaj burg dhe gjobë për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000.
Denoncimin Berisha e kreu pasi doli nga ambjentet e SPAK, ku duhet të paraqitet për shkak të masës detyrim paraqitje të caktuar në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj tij. Ai hodhi akuza ndaj gjyqtares Gjoka, ndërkohë që avokatët e tij deklaruan para mediave se “vendimet e saj për Berishën janë nul”.
Dyshimet për një dënim të gjyqtares Gjoka në Greqi qarkulluan edhe një vit më parë përmes mediave greke. E pyetur nga BIRN mbi vendimin e dënimit, Gjoka e mohoi kategorikisht.
“Absolutisht nuk jam e dënuar nga asnjë nga autoritetet e drejtësisë greke”, tha gjyqtarja Irena Gjoka përmes telefonit, ndërsa i përcolli BIRN disa dokumente të përcjella nga autoritetet gjyqësore greke të Athinës, ku shkruhet se nuk rezultojnë të dhëna për ndonjë proces penal ndaj Irena Gjokës, e cila ka mbajtur më parë edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku.
“Në kuadër të verifikimeve zyrtare që po kryen Prokuroria e Përgjithshme, bazuar në ligjin për dekriminalizimin, autoritetet greke i janë përgjigjur zyrtarisht kërkesës së institucionit, duke konfirmuar se une gjyqtarja Irena Gjoka jo vetëm që nuk jam e dënuar, por nuk ekziston asnjë e dhënë negative në emrin tim në te gjitha institucionet ligjzbatuese”, tha Gjoka, ndërsa shtoi se akuzat ishin intimidim dhe pengim në ushtrimin e detyrës.
BIRN nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur dokumentin e publikuar nga Berisha si dhe dokumentet e përcjella e gjyqtarja Irena Gjoka, por rasti duket se ka vënë sërish në lëvizje institucionet e drejtësisë.
Prokuroria e Përgjithshme, e pyetur për denoncimin publik të Berishës, tha se kishte nisur verifikimin për Gjokën në maj të vitit 2024 dhe ende nuk e kishte përfunduar.
“Deri më datë 05.05.2025, Prokuroria e Përgjithshme, nuk ka përfunduar verifikimin e thelluar dhe nuk ka dalë me vendim për miratimin e rezultateve të verifikimit. Bazuar në denoncimin e bërë publik, do të vazhdojë procesi i verifikimit të thelluar,” tha Prokuroria e Përgjithshme.
Në vijim, Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije përmes koordinatores për të drejtën e informimit, Rozeta Tase, se do t’u dërgohet sërish letër-porosi autoriteve të drejtësisë greke, për të kërkuar të dhëna lidhur me vendimin specifik të publikuar nga Berisha si vendimarrje të Gjykatës së Janinës. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD i tha BIRN se “informacioni i bërë publik të hënën ndaj ndaj gjyqtares Irena Gjoka, do të trajtohet dhe vlerësohet nga ana e ILD-së në përputhje me parashikimet ligjore.
Gjyqtarja Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtare në Fier dhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.
Ligji për “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, I njohur ndryshe dhe si ligji dekriminalizimit, u miratua më 17 dhjetor të vitit 2015 dhe hyri në fuqi në fillim të 2016-ës. Të gjithë funksionarët që ishin subjekte të këtij ligji, përfshi dhe gjyqtarët dhe prokurorët që ishin në detyrë në atë periudhë e plotësuan dhe dorëzuan për herë të parë formularin e dekriminalizimit në fillim të vitit 2016. Legjislacioni në këtë rast nuk parashikon deklarim periodik./ BIRN
Komente

Gjykatsja në rastëse është e pastë samëparë ta bojnë denoncimin për këtë kafshë të pjerllur
PërgjigjuJo mi jo, pi ai dokument ishte I fallsifikuar? Hidhi pra ne gjyq, ty qe rastësisht te ranë ne duar te gjitha gjyqet ndaj opozitës, ty qe sot the qe jam sëmurë dhe metamorfoza po te plas ne duar. Hidhi pra ne gjyq e te denohen per shpifje dhe autoritetet e Janines.
Përgjigju