Çështja e dy anijeve të nisura nga Shqipëria drejt Tajlandës me mbi 800 tonë mbetje toksike në bord është kthyer edhe në një betejë politike në vend.
Opozita fajëson qeverinë dhe autoritetet zyrtare se janë të përfshira apo se po e mbulojnë rastin, teksa sot kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhanë deklarata publike për rastin, duke kërkuar masa të forta ndëshkimore.
Bardhi u shpreh se edhe kthimi i kësaj sasie me mbetje toksike “përbën cenim të sigurisë kombëtare dhe se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, do i kërkojë Kuvendit “të përdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar, për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje”, kurse Meta theksoi se ishte “skandaloze, alarmante dhe kriminale”.
“Ministria e Infrastrukturës, Porti i Durrësit, Ministria e Mjedisit, Drejtoria e Doganave, Policia e Shtetit, Prokuroria, askush nuk ka asnjë reagim zyrtar se kujt i përkasin këto mbetje të rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri”, u shpreh Bardhi, duke theksuar se një mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit dhe kompanisë “Kurum” po gënjen për rastin në fjalë.
Ai hodhi dyshime për “një krim shtetëror, që duhet të marrë ndëshkim shembullor”.
“Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit. Rikthimi në Portin e Durrësit të kësaj sasie të jashtëzakonshme mbetjesh të rrezikshme është një cenim i rëndë i sigurisë kombëtare, që krijon një situatë të paprecedentë të rrezikut permanent ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, tha Bardhi ndër të tjera.
Kurse kreu i PL, Meta, u shpreh:
"Dy çështje madhore, njëra është alarmante dhe skandaloze, duke shqetësuar edhe organizatat ndërkombëtare të mjedisit dhe të shëndetit. Jemi këtu për të dënuar rikthimin fshehurazi nga qeveria Rama të projektligjit për importin e plehrave, pikërisht në kulmin e shpërthimit të skandalit të përfshirjes së Edi Ramës në trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike. Plehrat janë kthyer në një minierë të thellë korrupsioni dhe zhvatjen çdo ditë të qindra milionë eurove, por edhe helmimit të qytetarëve shqiptarë”.
Ai akuzoi kryeministrin se “ka bërë eksport shtetëror të mbetjeve drejt Tajlandës dhe Kinës”, teksa shtoi edhe se “janë asgjësuar institucionet më të larta të sigurisë dhe ligjit, nga SPAK, SHISH, Policia, doganat e të tjera”.