Atentati me 3 të vrarë në Memaliaj, kamerat zbulojnë profilin e autorit! I dha mesazh viktimës para se ta ekzekutonte

22 Korrik, 09:35| Përditesimi: 22 Korrik, 16:51

  • Share

Atentatori e vrasjes së 3- fishtë në Memaliaj, para se të hapte zjarr vetëm pak metra larg shënjestrës, dhe të linte të vdekur në vend, tre burra, babain e Adriatik Kalemit, kamarierin dhe një klient, i dha një mesazh të moshuarit.

Nuk dihet saktësisht çfarë ai i tha Shyqyri Kalemit, 74 vjeç, por hetuesit besojnë, se kanë të bëjnë me nga ato mesazhet tipike të hakmarrjes, ku vrasësi të sjell përshëndetjet e atij që porosit ekzekutimin.

Supozohet që qitësi, i tha babait të Andrea Kalemit- Të fala të kesh… Por megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e asaj çfarë deshifrohet në pamjet e kamerave të sigurisë, jo të lokalit, ku ndodhi krimi, por të godinës së bashkisë, pranë vendit të ngjarjes.

Mu pikërisht nga këto pamje, gazetari i Report Tv Piro Nase, mëson se është zbuluar edhe profili i autorit të masakrës i cili ekzekutoi me breshëri plumba kallashnikovi, Shyqyri Kalemin, kamarierin e lokalit, Gledio Mukën dhe klientin Marsel Çela, natën e 20 korrikut, kurse i plagosur mbeti Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea (Adriatik) Kalemit.

Burime nga grupi hetimor, i kanë treguar Report Tv, se personi, që zbriti nga makina, tip BMË ishte i gjatë 1.80 centimetra, rreth 40 vjeç dhe i pamaskuar. Ai kishte veshur pantallona dhe bluzë të zezë pa mëngë.

Një apo dy personat e tjerë brenda makinës e cila pas atentatit, u gjet e djegur bashkë me tre kallashnikovë, në Bejaj të Mallakastrës, nuk janë kapur nga kamerat e sigurisë. 27 persona janë shoqëruar nga policia por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.

Hetuesit po përqendrohen të hakmarrja, referuar krimeve të djalit të viktimës, Adriatik Kalemit, emri i të cilit lidhet me vrasjet e dy vëllezërve Mevlan dhe Adriatik Çaça në Belgjikë më 13 prill 2001, apo me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Papa, vetëm pak muaj pasi iu vra me eksploziv nipi Aleksander Sadikaj në zonën e TEG. Vetë Kalemi u ka shpëtuar disa sulmeve, në Tiranë e në Greqi.

Më i rëndi ishte ai në dhjetor të 2023, ku u godit disa herë me thikë në burgun grek, “Koridhalos”  nga një 28-vjeçar egjiptian. Edhe i vëllai Zamir Kalemi i ka shpëtuar një atentati.

Atentati në Memaliaj 20 korrik 2024 
Të vrarë
1- Shyqyri Kalemi 74 vjeç (babai i Andrea Kalemit)
 2- Gledio Muka, 36 vjeç (kamarier)
 3- Marsel Çela 47 vjeç (klient)
I plagosur
Artur Kalemi, 57 vjeç (xhaxhai i Andrea Kalemit)

Ora 15:07
Atentati me 3 të vrarë në Memaliaj, Gjyshja e Gledion Mukës: Djalin ma vranë pa faj! Duam drejtësi

Memaliaj- “Na e vranë djalin pa faj.Përse na e vranë?” Janë pyetjet pa përgjigje në familjen e Mukës, e cila ka hapur dyert e mortit për Gledion.

36 vjeçari punonte si kamarier në lokalin në Memaliaj ku të shtunën e 20 korrikut 2024 u ekzekutua bashkë me Shyqyri Kalemi, dhe 47-vjeçari, Marsel Çela.

Nga hetimet rezulton se Gledion Muka dhe Çela janë dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal, ndërsa objektiv i atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi.

E kemi pasur flori e shkuar floririt. Punonte kamarier për bukën e gojës. Pse ma vranë djalin? Përse?  Ata e kishin lënë punën dhe po rrinin atje se ishte vapë.

Kërkojmë të drejtën e djalit. Përse na vranë. Na bëri gjëmën, e kishim djalë të vetëm. Gledi i nënës!

Ora 11:30
I veshur me të zeza dhe i pa maskuar! Kamerat kapën autorin e atentatit me 3 të vrarë në Memaliaj! U tha diçka viktimave para se t’i ekzekutonte

1721546708_Screenshot1.jpg

Kamerat e sigurisë kanë zbuluar profilin e autorit të masakrës me 3 të vrarë në Memaliaj, i cili ekzekutoi me breshëri plumbash babanë e Andrea Kalemit, Shyqyr Kalemin, kamarierin e lokalit, Gledio Muka dhe një klient Marsel Çela, natën e 20 korrikut. Ndërsa i plagosur mbeti vëllai i Shyqyri Kalemit, Artur Kalemi.

Sipas gazetarit të Report Tv, Piro Nase, autori që ka qëlluar ishte i gjatë 1.80 centimetra, rreth 40 vjeç dhe i pa maskuar. Autori ka qenë i veshur me pantallona të zeza dhe bluzë të zezë, pa mëngë.

Po sipas te njëjtave burime, në momentin kur ka qëlluar ndaj viktimave, autori është ndalur për pak sekonta dhe dyshohet se u ka thënë diçka para se t’i ekzekutonte.

Personi i dytë në timon nuk është identifikuar dot.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?