SARANDË - Policia e Sarandës bën me dije se dy trajnerët e ekipit të futbollit Butrinti janë vënë në pranga pas dhunës ndaj lojtarit që drejtojnë, Albi Selimaj. Sulmuesi 22-vjeçar u dërgua në spital dje, ku ende është nën kujdesin e mjekëve. Policia njofton se veç trajnerit të parë Neritan Novi, edhe përgatitësi atletik Dhiogjen Muço janë në pranga për veprën penale "Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja/ Butrinti dhe Memaliaj do duhet të luanin dje (e enjte) një duel miqësor në stadiumin "Andon Lapa" në Sarandë. Në pushimin e ndeshjes trajneri i Butrintit, Neritan Novi është përleshur me futbollistin e tij Albi Selimaj, teksa më pas sherri ka degraduar dhe janë përfshirë edhe persona të tjerë. Shkak mendohet se është bërë minutazhi i lojës nga sulmuesi. Pas kësaj përleshje, futbollisti u dërgua në urgjencën e Sarandës për kujdes mjekësor.
"Goditën me grushte futbollistin e ekipit gjatë ndeshjes së futbollit, vihen në pranga 2 trajnerët e këtij ekipi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se një futbollist ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje, menjëherë kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. S., 21 vjeç (futbollist) ishte goditur me grushte, gjatë një ndeshjeje futbolli, nga 2 trajnerët e ekipit të futbollit në të cilin ai ishte pjesë. Aktualisht 21-vjeçari ndodhet në spitalin e Sarandës, në kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast u bë ndalimi i shtetasve N. N., 52 vjeç (trajner i parë) dhe Dh. M., 45 vjeç (trajner altlet), për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit ose ndërmjetësit sportiv”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.