Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë socialiste për shkretimin e vendit nga rinia, duke u shprehur se në programin elektoral parashikohen ndihma financiare për biznese, strehim, rroga, trajnime dhe studime për këtë kategori, me qëllim që të kthehen në Shqipëri, të jetojnë dhe punojnë këtu.
Berisha iu rikthye përsëri ngritjes së tavanit, atij të biznesit, nga 140 në 180 mijë euro të xhiros dhe rritjes së rrogave.
“Një vend pa rini është shkretëtirë, pa të ardhme. Nëse ka një vend pa rini është Shqipëria e këtyre ditëve. Pak ditë më parë OKB njoftoi se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë, pse? Për shkak të largimit të të rinjve. Le të ikin thotë Rama, janë dembelë! Do ketë bursa 200 euro për studentët. Do paguhet shpenzim për trajnimin profesional të të rinjve. Për çdo të ri që martohet, bëhet çift, do ketë grant 30 mijë euro për shtëpi. Do bëjmë gjithçka që të sjellim kombin në moshën e rinisë. Fëmija i tretë do ketë financim nga 1-23 vjeç nga qeveria, fëmija i parë 60 euro dhe i dyti 70 euro ndihmë nga shteti. Do bëjmë gjithçka për strehimin, financim të bizneseve të tyre, 5 vite pa taksa, do i bëjmë të rinjtë të rikthehen në Sarandë. Kombi duhet të kthehet në rininë e vet, një komb pa rini është pa të ardhme. Parimi ynë është çdo shqiptar një mundësi. Do ulim barrën e bashkive, do e ulim në 1%, tavanet e biznesit do i ngremë nga 140 në 180 mijë euro të xhiros. Tarifa e ujit do përgjysmohet, edhe çmimi i energjisë do të ulet”, tha ai.
Të tjera premtime elektorale ishin edhe ulja e çmimeve të ushqimeve, naftës, ujit, dritave.
“Këta nxjerrin koston e energjisë me 2,8 lekë, teksa punësojnë administratën dhe vjedhin fonde e rroga. Jo, energjia do zbresin ë 6 lekë për bizneset dhe 7 lekë për qytetarët. Bizneset do kenë taksën më të ulët të sheshtë ne Europë. Të gjithë rrogtarët me rroga minimale do përfitojnë rritje me 13%. Do rriten rrogat dhe pensionet në 100 ditët e para, derisa të dalim të parët në rajon për rrogat dhe pensionet, sepse jemi më të pasur. Më 2013 dolëm më të paguarët. Por Rama e devijoi këtë garë, në vend të vazhdonte këtë garë, kaloi të grabitja dhe përqendrimi në disa duar i fondeve dhe pasurive, për një grusht njerëzish e qeveritarësh, kjo merr fund, drejtësi për qytetarët, pavarësisht bindjeve, për çdo qytetar që do të jetojë me dyert e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.
Një tjetër objektiv sipas tij është edhe bujqësia dhe fermerët, nëpërmjet subvencioneve.
“Do ndihmojmë fermerët dhe bujqit. Do subvencionojmë e ndihmojmë, kurse këta i kanë hequr të gjitha. Asgjë nuk ndodh po të mbrosh me subvencione, nuk dëmtohet ekonomia. Do ju mbrojmë me subvencione, ju jap fjalën. Fermerët do marrin kredi të buta, shteti do paguajë 80% të interesave, përveç pensionit. Do investojmë 70 mln euro në vit për kanalet e vaditjes dhe mirëmbajtjes për fermerët”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Berisha nga Saranda, hutohet teksa merr në mbrojtje Belerin: Rama ia hoqi mandatin duke shkelur Kushtetutën! Shqipëria po përjeton diktaturë të dytë
A.Q/r.k./ReportTv.al