Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sot turin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun e Vlorës.
Zbritja e radhës ka qenë qyteti i Sarandës dhe rrethinat, teksa koalicioni i ADSHM-së prezantoi kandidatët dhe programin elektoral.
Nder fjalimet hapëse ishte edhe ai i Ina Zhupës, si kandidate dhe përfaqësuese politike e këtij rrethi.
Sali Berisha e nisi fjalën e tij duke vënë theksin te gjendja e rrënuar e vendin dhe ajo ekonomike, duke e paralelizuar si një “diktaturë e dytë”.
Ai madje mori në mbrojtje edhe ish-kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ia grabiti mandatin duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Kreu i selisë blu tha se qëllimi ishte që të grabiste tokat e të parëve të tij në Himarë, pasi me Belerin nuk e arrinte dot këtë qëllim.
Berisha pati një moment hutimi gjatë fjalës për Belerin, pasi kujtonte se eurodeputeti grek i dënuar 2 vite burg nga GJKKO për korrupsion zgjedhor më 2023 gjatë kandidimit në Himarë, gjendej në podium me të (edhe pse nuk duhet ë ishte).
"Ku është... Beleri s'është këtu!", u shpreh ai i hutuar, teksa ktheu kokën nga podiumi ku ndodheshin kandidatët për deputetë të qarkut të Vlorës për ADSHM dhe ndoshta ka kujtuar se edhe Belerin e kishte kandidat të listës.
Kjo, pasi edhe nëse ndodhej prezent, beleri duhet të ishte në shesh dhe jo në podium.
“Të rinjtë po marrin rrugët e botës, pensionistët nuk mbijetojnë dot, familjet nuk blejnë dot ushqimet dhe të sëmurët nuk sigurojnë dot ilaçet. Kush kënaqet me një pension qesharak si ky? Çmimet janë dyfishuar, sidomos ushqimet bazë. Sipas ekspertëve, pensioni duhet të ishte të paktën 390 mijë lekë. pensionet janë të vogla, të pjesshme dhe të pjesshme. Të paktën ky pension të ishte 100 mijë lekë...(e ngatërron) më falni, 390 mijë lekë”, tha Berisha mes të tjerash.
Berisha u tha mbështetësve se në qeverisjen e PD-së rrogat dhe pensionet ishin më të lartat në rajon, kurse nën qeverisjen socialiste janë më të ulëtat dhe premtoi se do i rikthente përsëri ndër më të lartat në rajon.
“Ftojmë qytetarët e mençur të Sarandës dhe Shqipërisë të mos e gjykojnë si një projekt politik dhe elektoral, por si shërbim ndaj tyre. Pati 8 mld euro buxhet Rama vjet dhe la mbi 700 mijë pensionistë vetëm me 16 mln euro. Tani na thotë se po ta çosh pensionin 200 euro është humnerë. Ça humnere është kjo? Ça e gjeti Malin e Zi që i dyfishoi, po Kosova që i rriti 20%, mori 100 mln euro nga buxheti, që ka gjysmën e buxhetit tonë, i vendosi për pensionistët. Po ne çfarë na gjeti më 2005-2013 që dyfishuam pensionet, ça humnere na gjeti? Ndaj mbështeteni këtë projekt. Asnjë gjë nuk i ndodh shqiptarëve, përveç vjedhjeve që u ka bërë kjo qeveri. Rrogat janë dy herë më të vogla se në Rumani. Në kohën tonë Rumania kishte rroga më të vogla se shqiptarët, kurse sot e ka mbi 3 mijë lev, mbi pesëfishin e Shqipërisë. Ndaj ne do e bëjmë rrogën minimale të paktën 500 euro. Pensionistët marrin të njëjtin pension si në 2013. Pensionistët mezi marrin ilaçet, ua kanë hequr nga lista. Unë garantoj se ilaçet e rimbursueshme në Shqipëri do jenë ata të listës së Italisë, do jenë njëlloj si në Itali. Në shëndet dhe sëmundje do bëjmë gjithçka, nuk do kursejmë”, tha ai mes të tjerash për programin elektoral të ADSHM.
Sali Berisha iu rikthye edhe akuzave ndaj qeverisë “Rama” për abuzime ekonomike.
Ai kujtoi tendera dhe investime të zhvatura nga buxheti i shtetit, duke pasuruar një grup njerëzish dhe varfëruar shqiptarët.
Madje Berisha nënvizoi se edhe fjalimet e tij me batuta janë të qëllimta për të hequr vëmendjen e qytetarëve nga problematikat që ka vendi.
“Ai kalon nga një qytet në tjetrin si hokatar, që i denjë nuk është, përpiqet me çdo kusht që të mbulojë dramën e madhe të Shqipërisë, përpiqet me batuta të mbulojë pensionet dhe gjendjen e vendit, spitaleve dhe mungesës së ilaçeve, zhdukjen e 130 mln eurove të djegësit të Tiranës, se i ka marrë vetë, e kanë burgosur aty 2 drejtorë. Paratë dalin të gjitha nga buxheti i shtetit me firmën e kryeministrit. Lubi Balluku e dinte, po nuk bënte zë, se e dinte se paratë po i hante Edi Rama, ato dardha po i hante kryeministri. Dhe e di si janë ato para që merren nga buxheti, sa për 800 mijë pensione”, tha kreu i PD-së.
Ai apeloi që më 11 maj shqiptarët të votonin për koalicionin opozitar, pasi qëllimi i Ramës dhe njerëzve të tij është të vjedhin e plaçkitin vendin për interesat e tyre.
“Ne tani paguajmë për të 120 mln euro, 100 mln për sterilizimin. Koncesioni i sterilizimit u dha me rritje çmimi 83 herë. Programi i tyre është për plaçkitje me një grup të vogël qeveritarësh, krushqish, trafikantësh, kriminelësh, ndaj 11 maji është dita epike e jona, që ndahemi nga një e keqe, e cila po e shkreton Shqipërinë, e cila po i vret ëndrrën këtij kombi. Ndaj më 11 maj të votojmë për Sarandën madhështore, për Shqipërinë madhështore”, përfundoi Berisha fjalën e tij.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë socialiste për shkretimin e vendit nga rinia, duke u shprehur se në programin elektoral parashikohen ndihma financiare për biznese, strehim, rroga, trajnime dhe studime për këtë kategori, me qëllim që të kthehen në Shqipëri, të jetojnë dhe punojnë këtu.
Berisha iu rikthye përsëri ngritjes së tavanit, atij të biznesit, nga 140 në 180 mijë euro të xhiros dhe rritjes së rrogave.
“Një vend pa rini është shkretëtirë, pa të ardhme. Nëse ka një vend pa rini është Shqipëria e këtyre ditëve. Pak ditë më parë OKB njoftoi se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë, pse? Për shkak të largimit të të rinjve. Le të ikin thotë Rama, janë dembelë! Do ketë bursa 200 euro për studentët. Do paguhet shpenzim për trajnimin profesional të të rinjve. Për çdo të ri që martohet, bëhet çift, do ketë grant 30 mijë euro për shtëpi. Do bëjmë gjithçka që të sjellim kombin në moshën e rinisë. Fëmija i tretë do ketë financim nga 1-23 vjeç nga qeveria, fëmija i parë 60 euro dhe i dyti 70 euro ndihmë nga shteti. Do bëjmë gjithçka për strehimin, financim të bizneseve të tyre, 5 vite pa taksa, do i bëjmë të rinjtë të rikthehen në Sarandë. Kombi duhet të kthehet në rininë e vet, një komb pa rini është pa të ardhme. Parimi ynë është çdo shqiptar një mundësi. Do ulim barrën e bashkive, do e ulim në 1%, tavanet e biznesit do i ngremë nga 140 në 180 mijë euro të xhiros. Tarifa e ujit do përgjysmohet, edhe çmimi i energjisë do të ulet”, tha ai.
Të tjera premtime elektorale ishin edhe ulja e çmimeve të ushqimeve, naftës, ujit, dritave.
“Këta nxjerrin koston e energjisë me 2,8 lekë, teksa punësojnë administratën dhe vjedhin fonde e rroga. Jo, energjia do zbresin ë 6 lekë për bizneset dhe 7 lekë për qytetarët. Bizneset do kenë taksën më të ulët të sheshtë ne Europë. Të gjithë rrogtarët me rroga minimale do përfitojnë rritje me 13%. Do rriten rrogat dhe pensionet në 100 ditët e para, derisa të dalim të parët në rajon për rrogat dhe pensionet, sepse jemi më të pasur. Më 2013 dolëm më të paguarët. Por Rama e devijoi këtë garë, në vend të vazhdonte këtë garë, kaloi të grabitja dhe përqendrimi në disa duar i fondeve dhe pasurive, për një grusht njerëzish e qeveritarësh, kjo merr fund, drejtësi për qytetarët, pavarësisht bindjeve, për çdo qytetar që do të jetojë me dyert e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.
Një tjetër objektiv sipas tij është edhe bujqësia dhe fermerët, nëpërmjet subvencioneve.
“Do ndihmojmë fermerët dhe bujqit. Do subvencionojmë e ndihmojmë, kurse këta i kanë hequr të gjitha. Asgjë nuk ndodh po të mbrosh me subvencione, nuk dëmtohet ekonomia. Do ju mbrojmë me subvencione, ju jap fjalën. Fermerët do marrin kredi të buta, shteti do paguajë 80% të interesave, përveç pensionit. Do investojmë 70 mln euro në vit për kanalet e vaditjes dhe mirëmbajtjes për fermerët”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga takimi elektoral në Sarandë, mori përsëri në mbrojtjen aleatin e tij Fredi Beleri, ish i dënuar për korrupsion gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në Himarë kur u zgjodh kryebashkiak nga qelia, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se e arrestoi dhe burgosi padrejtësisht.
Por pati edhe një moment pikant gjatë fjalës, pasi teksa mendonte se eurodeputeti grek ishte i pranishëm, e kërkoi me zë dhe sy, por pa sukses.
Madje ai e kërkoi duke kthyer kokën pas nga podiumi ku ndodheshin në rresht kandidatët për deputetë të opozitës për Vlorën, sikur Beleri të ishte një prej tyre.
Dhe teksa pa dhe mësoi se nuk ishte prezent, vijoi diskursin e tij politik në mbrojtje para qytetarëve të Sarandës dhe tha se kryeministri kishte hall që të grabiste tokat e Himarës, si trashëgimi e të parëve të tij, e me Belerin në Bashki nuk e realizonte dot, ndaj e arrestoi.
“Po vij nga Himara, a e patë çfarë ndodhi në Himarë?! Ku është... Beleri s’është këtu (kthen kokën për të parë në podium, edhe pse Beleri s’duhet të ishte aty te radha e kandidatëve)! Ja mori mandatin Fred Belerit. Dhe shkoi dhe u struk, aty ku thotë Niçe në strehën e fundit të horrave, i çoi marrëdhëniet në thikë e më pikë, duke shkelur Kushtetutë, ligje, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me justifikimin se “ky një grek do na bëhet!”. E çfarë do të thuash ti me këtë se “një grek do na bëhet”?!
Po ky shtetas shqiptar, nëse e votojnë shqiptarët, do të marrë çdo detyrë, çdo post në Republikën e Shqipërisë. Ça do thuash ti me këtë, ku e ke gjetur ti këtë parim, që shkon e i grabit mandatin e tij të zgjedhur, vetëm e vetëm se e dije se ato toka që ke plaçkit në Gjipe e manastirin e Skutarasë, nuk do t’i merrte kurrë, se s’janë të tuat Edi Rama. Se ata të tutë e kanë lënë me dokumente se kanë pasur katër dhi e pesë dele, s’kanë pasur asgjë tjetër, kanë qenë më të varfërit e asaj zone”, tha Berisha mes të tjerash.
Fredi Beleri nuk ishte i pranishëm pasditen e sotme në takimin e Berishës në Sarandë, ndërkohë që mori pjesë në mitingun elektoral që kreu i PD-së pati paradite në Himarë (24 prill), ku u shfaq krah tij dhe e mori sërish në mbrojtje.
Kandidatja e Partisë Demokratike për Sarandën, Ina Zhupa, ka folur ditën e sotme në takimin me demokratët e Sarandës, në kuadër të fushatës elektorale të 11 Majit. Zhupa tha se shqiptarët janë të kërcënuar nga shpopullimi dhe korrupsioni.
Deputetja e PD-së tha se në Sarandë ka një shprehje: kur duan të dëbojnë një njeri, i thonë “ik se do të japim një pesë”, duke i dhënë një mesazh Ramës.
"Deti, nga qytetarët, po bëhet ekskluzivitet i oligarkëve. Ky është një vend i bekuar nga Zoti dhe është ndëshkuar nga një qeveri grabitëse. Kur duam të kërcënojmë një njeri, i themi “ik tutje se do të jap një pesë”. Ndaj i ra dhe numri pesë, se ata janë kërcënim për shqiptarët, janë dhunues për shqiptarët, janë shpopullues për shqiptarët dhe do ta marrin përgjigjen e merituar në 11 Maj, nga njishat nga ju. Kemi një program nga më të mirët që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi njerëz të lidhur me traditën, jemi njerëz atdhetarë, jemi njerëz me dinjitet, jemi njerëz që e duam dhe do të punojmë për një Shqipëri madhështore."-tha Zhupa.
Komente

NXIN SARANDA NGA MULLAHU T U R P MULLAH SALIHU
Përgjigju