Sport

Bordin e nis 'në sulm' te Tirana: Lojtarëve u kam thënë se çfarë fanelle mbajnë veshur, kemi probleme me lojtarët

12 Shtator, 11:26| Përditesimi: 12 Shtator, 13:18

  • Share

TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit është në raundin e tretë. Trajneri i ri i Tiranës, Roberto Bordin doli para medieve për të folur para ndeshjes kundër Flamurtarit, e cila luhet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin 'Selman Stërmasi'.

Italiani vetëm disa ditë më parë zëvendësoi Vangjel Milen si trajner i Tiranës, teksa në fjalët e para gjatë prezantimit ka deklaruar se futbollistëve ua ka bërë të qartë se çfarë fanelle mbajnë veshur. Bordin foli edhe për problemet që ka gjetur në prapavijë.

“Faleminderit për urimet, e kemi pranuar me kënaqësi këtë sfidë të rëndësishme pasi Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sigurisht më ka bindur stafi drejtues, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe Grenti, e nuk mora shumë kohë për ta pranuar këtë sfidë të rëndësishme. Sigurisht objektivi i klubit dhe i imi është që të arrijmë lart, janë edhe shumë ndeshje në dispozicion, është dhe koha e mjaftueshme për të njohur lojtarët duke pasur parasysh që ka pasur shumë lëvizje.

Ekipi? Duhet shumë kohë dhe punë për të ecur përpara, por objektivi është ai që të jemi shumë lart. Unë flas vetëm për veten dhe jo për të tjerët, kështu që koha për mua është shumë e rëndësishme, pastaj përveç kohës është edhe pjesa e merkatos së janarit që mund të kemi ndërhyrje, nevojë, por për të bërë një punë të mirë duhet kohë dhe shumë qetësi dhe është e rëndësishme që kam ardhur që në fillim.

Futbollistët? Sigurisht që kemi pak probleme te pjesa difensive se kemi gjetur lojtarë edhe të dëmtuar dhe është diçka që na shqetëson për momentin, kemi lojtarë të mirë te pjesa ofensive edhe pse na mungojnë lojtarë te pjesa difensive, por puna jonë është që t'ju marrim maksimumin lojtarëve që kemi, nuk duhet të kërkojmë as alibi as përgjegjësi tek të tjerët. Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, stafin, tifozët që do të rikthehemi të luajmë në shtëpi që ta rigjejmë skuadrën në stadiumin e tyre dhe sigurisht është një avantazh për ne ky rikthim në shtëpi.

Objektivi? Objektivi ynë është t'i fitojmë ndeshjet, thjesht duhet të bëjmë Tiranën, të luajmë me zemër dhe shpresoj të marrim rezultatin që duam. E di që tifozeria e Tiranës është më e mira në Shqipëri, jam i bindur që do të vijnë të shumtë në stadium për të na mbështetur, ua kam thënë edhe lojtarëve që besoj janë të ndërgjegjshëm se çfarë fanelle veshin dhe lojtarët duhet të bëjnë atë që të duket se tifozët janë lojtari i 12-të në fushë”, përfundoi Bordin.

Tirana rikthehet pas afro dy vitesh në shtëpi dhe pritet që interesi për ndeshjen e nesërme të afrojë tifozë në stadium.

Ora 10:41
Tirana rikthehet në shtëpi, pret Flamurtarin në 'Selman Stërmasi'! Publikohen çmimet e biletave

1757666607_tiranaselmanstrmasi.jpg

Superliga shqiptare e futbollit do vijojë këtë fundjavë me raundin e tretë. Në program është edhe sfida mes Tiranës dhe Flamurtarit, e cila më në fund e ka një vend se ku do të luhet. Klubi bardheblu ia ka dalë të ketë të gatshëm impiantin 'Selman Stërmasi' në kryeqytet dhe të shtunën në orën 16:00 do rikthehet në shtëpi pas afro dy vitesh.

17 dhjetori i vitit 2023 ishte dita e fundit kur Tirana luante në shtëpi, duke u mposhtur 0-1 nga Vllaznia. Tanimë me rregullimin e fushës dhe sistemimin e rrethimit, KF Tirana pret Flamurtarin në 'Selman Stërmasi'. Në stolin e bardhebluve do debutojë në stol edhe trajneri i ri, Roberto Bordin.

Ndërkohë, klubi kryeqytetas ka bërë me dije edhe çmimet e biletave, që variojnë nga 300-1000 lekë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?