Kronikë

Pas vrasjes në Lezhë, u organizua atentati në Tiranë! 2 autorët ngatërruan shënjestrën, dyshime se do ekzekutonin gruan e Roan Brahimit (rivali i Martinajt)! Ngatërresa me targën

18 Prill, 08:34| Përditesimi: 18 Prill, 21:59

  • Share

TIRANË- Dy atentate tronditën mbrëmjen e së enjtes vendin, i pari në Pllanë të Lezhës me 1 viktimë, dhe i dyti në Tiranë me 4 të plagosur, në pak më shumë se 1 orë  distancë kohore nga njëri-tjetri. Deri më tani, hetuesit dyshojnë se atentatet mund të kenë lidhje me njëri-tjetrin.

Informacionet e deritanishme të çojnë te vrasja e Lezhës, duke bërë që për atentatin në kryeqytet pista e një shënjestre të gabuar të bëhet gjithnjë e më e besueshme.

Ishte ora 20:00 e mbrëmjes kur persona ende të paidentifikuar për policinë, vranë në lokalin e tij në Pllanë të Lezhës Gjovalin Prendin. 64-vjeçari është babai i Roan Brahimit, 32-vjeçarit të ekzekutuar në Athinë në vitin 2024. Mediat greke të kohës e atribuuan vrasjen përplasje mes grupeve kriminale shqiptare.

Në Tiranë, pa shkuar ora 22:00 e mbrëmjes, një automjet fuoristradë u qëllua me breshëri plumbash. Aty udhëtonin 2 të mitur, fëmijët e pronarit të shoqërisë për ruajtjen e sigurisë fizike “Pelikani Security”, Vesel Demiraj. Bashkë me ta ishte dhe miku i tyre 19-vjeçar dhe shoferi i familjes, gjithashtu punonjësi i sigurisë te Pelikani, Arenc Stafa 34 vjeç. Të katërt mbetën të plagosur. Shoqëruesi i familjes një person pa skedë kriminale tha shkurt për efektivët se nuk ka asnjë konflikt. Edhe drejtuesi i shoqërisë Pelikani nuk ngre dot gishtin ndaj askujt se përse mund të kenë qëlluar ndaj fëmijëve të tij apo shoqëruesit të familjes.

Por çfarë duket se i lidh 2 atentatet me njëra-tjetrën, nga njëra anë një histori krimesh, nga ana tjetër fëmijë në makinë me shoferin e familjes?

Hetuesit kanë dyshime të forta se atentatorët të mund të kenë ngatërruar shënjestër dhe se personi që kanë dashur të vrasin lidhet me familjen e Roan Brahimit. Gruaja e tij në Shqipëri, jeton në vilë pranë Lundrës, brenda së njëjtës rezidencë ku banon edhe familja Demiraj e shoqërisë Pelikani. Për rastësi të frikshme, edhe ajo ka një automjet fuoristradë të ngjashme me të familjes Demiraj – thonë burimet – e për më tepër edhe targat ndryshojnë vetëm me një gërmë.

Atentatorët mund të kenë lëshuar breshërinë e plumbave ndaj automjetit ku udhëtonin fëmijët Demiraj, shoku i tyre e shoferi, duke besuar se në të është bashkëshortja e ndoshta edhe 2 fëmijët e Roan Brahimit. Nëse hetuesit qëndrojnë në këtë pistë, qëllimi i atentatorëve qartazi mund të ketë qenë për të shuar brenda ditës të gjithë familjen e 32-vjeçarit të vrarë në Athinë: Babanë, gruan e fëmijët.

Roan Brahimi, emri i të cilit duket se lidh dy atentatet në Lezhë e në Tiranë, njihet si rival i Ervis Martinaj, bosit të zhdukur të lojërave të fatit. Me të konfliktet besohet se i ka pasur pikërisht prej basteve sportive. Në 17 korrik të 2022-shit Brahimi dyshohet se u hakmor duke i vrarë kushëririn Ervis Martinajt, Brilant Martinaj dhe 2 të tjerë. Për këtë ngjarje, Brahimi ishte shpallur në kërkim policor, dhe nuk ishte kapur derisa e vranë në Greqi në sy të partneres dhe fëmijës që kishte me të, një marrëdhënie paralele pasi në atdhe e priste gruaja shqiptare me 2 fëmijë.

Po ashtu Brahimi ishte shpallur në kërkim edhe për atentatin e 22 korrikut 2022, ku shpëtoi Ylli Brahimi, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, por u vra Klisman Preçi në Milot. 2 vite më vonë në mars të 2024-ës, edhe pse në kërkim për dy atentate të mëparshme asnjëherë i arrestuar, Roan Brahimi u dyshua nga autoritetet se fshihej pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjes në Larushke të Krujës. Për këtë krim u arrestua si bashkëpunëtor kunati i Roanit, Ilir Beqaraj, vëllai i bashkëshortes, për të cilën hetuesit dyshojnë deri më tani se mund të ketë qenë objektiv i atentatit në Tiranë.

Kjo e fundit ka deklaruar para hetuesve të policisë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që ekzekutuan vjehrrin e saj, Gjovalin Prendin në Lezhë apo në lidhje me plagosjen e katër personave në Lundër. Ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka probleme me njerëz të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që ka pasur bashkëshorti i saj me të tjerë. Gjatë kohës së atentatit ka qenë në Tiranë dhe jo në Lezhë, çka dyshohet se atentatorët kanë pasur informacion për këtë.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi dyshohet të ketë përplasje edhe me një grup me origjinë nga Tepelena që vepron në trafikun e kokainës që dhe më parë kanë urdhëruar vrasje të tjera

Me një historik të gjatë krimesh e vrasjesh, hetuesit janë të shpërndarë në pista se kush mund të ketë dashur t’i vrasë Roan Brahimit edhe babanë edhe gruan, 1 vit pasi të riun e ekzekutuan në Greqi, ku kishte shkuar nga Dubai për pushimet e Pashkës. Megjithatë, hetuesit po punojnë në çdo pistë të mundshme për atentatin e 17 prillit me 4 të plagosur në Tiranë duke mos u kushtëzuar vetëm te ngatërrimi i objektivit.

LEXO KËTU: Si nisi armiqësia mes Roan Brahimit dhe Ervis Martinajt?

Ora 14:44
Shënjestra e atentatit? Zbardhet dëshmia e gruas së Roan Brahimit: Nuk e di kush mund të jenë autorët! Dyshohet se ishin në dijeni që ndodhej në Tiranë

1744922960_plagosjenetirane.png

Gruaja e Roan Brahimit, e cila dyshohet se ishte shënjestra e atentatit mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ka deklaruar para hetuesve të policisë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët që ekzekutuan vjehrrin e saj, Gjovalin Prendin në Lezhë apo në lidhje me plagosjen e katër personave në Lundër.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema raporton se ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka probleme me njerëz të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që ka pasur bashkëshorti i saj me të tjerë.

Gruaja e Roan Brahimit, gjatë kohës së atentatit ka qenë në Tiranë dhe jo në Lezhë, çka dyshohet se atentatorët kanë pasur informacion për këtë. Mësohet se ajo nuk i ka marrëdhëniet e mira me familjarët e Roanit.

Ora 10:42
Atentati në Tiranë/ ‘Për një shkronjë’, si ngatërruan autorët targën e makinës! Dyshohet se do vritej gruaja e Roan Brahimit, edhe ajo lëvizte me G Class

1744976315_aasasa.jpg

Mjeti "G Class" ndaj të cilit u qëllua

Gruaja e Roan Brahimit dyshohet të ketë qenë shënjestër e atentatit të Tiranë, por hetuesit kanë dyshimet se atentatorët janë ngatërruar. Kjo për faktin se ajo përdorte të njëjtin mjet tip “G Class” si ai i familjes Demiraj dhe jetonte po në të njëjtën zonë në Lundër.

Burimet i thonë Report Tv se mjeti “G Class” në pronësi të familjes Demiraj dhe mjeti që përdorte gruaja e Roan Brahimit, kishin pothuajse të njëjtën targë, por u ndryshonte vetëm një shkronjë. Mjeti ndaj të cilit u qëllua kishte targën "AA 002 MD". 

Ora 09:59
Atentati me 4 të plagosur në Tiranë/ 11-vjeçari ra në pritë pasi festoi ditëlindjen, në gjendje të rëndë te Trauma

1744962169_arencstafa.jpg

Foto: Arenc Stafa

Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja e ndodhur një natë më parë në Tiranë ku pre e një atentati ranë djemtë e mitur të pronarit të kompanisë private “Pelikan Security”.

Dy djemtë e pronarit të "Pelikani Security" bashkë me shokun e tyre, të shoqëruar nga shoferi i kompanisë, ishin duke festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe mësohet se kanë qenë në Pjezë të Shijakut te “Arena Karting Albania”, pistë për gara me makina.

Ata kanë qenë të shoqëruar nga shoferi Arens Stafa 34-vjeç dhe teksa po ktheheshin për në banesat e tyre në Lundër, në një prej rezidencave luksoze në kryeqytet,  autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre.

Por dyshohet se autorët kanë ngatërruar shënjestër dhe grupi hetimor ka dyshime që kanë dashur të ekzkutonin gruan e Roan Brahimit i vrarë një vit më parë në Greqi, rivalit të Ervis Martinajt.  

Ora 09:39
Atentati në Tiranë, dyshohet për dy autorë me motor! Zbardhet dëshmia e të plagosurve: S'kemi konflikte

1744924660_plagosjenetirane.png

Autorët e atentatit, të dyshuar për të qenë dy persona, kanë kryer sulmin me motoçikletë dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Deri tani, policia nuk ka arritur të gjejë asnjë gjurmë apo informacion për identifikimin e tyre. Të plagosurit, të cilët janë marrë në pyetje, kanë pohuar se nuk kanë pasur konflikte me askënd dhe nuk kanë mundur të identifikojnë autorët e sulmit.

Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se ata gjithashtu kanë theksuar se nuk kanë precedentë penalë, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka pasur probleme me drejtësinë në të kaluarën. Hetuesit ende nuk kanë arritur të përcaktojnë motivin e këtij atentati të rëndë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar shënjestër.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miku: 18/04/2025 15:22

    Te besh dy atentate te koordinuara (Lezhe e Tirane) do te thote qe hetuesit flene gjume. Kemi frike me parakalu apo me i ndejt paralel ose mbrapa ndonje makine luksoze ne Tirane

    Përgjigju
  • Eri: 18/04/2025 14:32

    Edhe me gra merren keta halabake. Le qe merren me gra, por ngaterrojne dhe shenjestren, marrin te tjeret kot me qafe. Vdekshi ndyresira, burgu i perjetshem eshte pak per ju.

    Përgjigju
  • liku: 18/04/2025 09:19

    ca tmerri. Po si mund te qellosh mbi femije keshtu

    Përgjigju
    • Beni: 18/04/2025 14:40

      Rama thot kokat e tyre hengshin, keto po hajn koka njerzve pafajshem.! Dhe i ben thirrje refugjatve te kthehen, me keto ngjarje eshte te ikesh naten per hene.

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?