Zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, teksa janë shpallur 3 koalicione zgjedhore dhe sot (4 mars) mbaron afati për regjistrimet e Diasporës në KQZ.
PD ka falur 8 mandate deputetësh të sigurta për aleatët e koalicionit opozitar, mes tyre 4 për Partinë e Lirisë.
Por edhe çështje të tjera të politikës së ditës dhe drejtësisë, u trajtuan në panelin e “Repolitix” të moderatorit Denis Minga, në Report Tv.
Te ftuar në studio kanë qenë ish-deputeti Halit Valteri, gazetari Flogert Muça, avokati Përparim Çaça dhe deputeti Rezart Kthupi i ‘Djathtas 1912’.
A lirohet Ilir Meta nëse fiton mandatin e deputetit? Kur ndodh kjo, pasi shpallet vendimi nga KQZ, apo duhet të betohet një herë në Parlament në shtator 2025 para se të lirohet, ku kalon në benefitet e deputetit që gëzon edhe imunitet, precedenti Azgan Haklaj.
Madje mandati i sigurt në listën e deputetëve të PD-së i është dhënë për qëllimin që të lirohet nga qelia, sipas mendimeve të të ftuarve në studio.
“Kur bën betimin quhet deputet, pra deri në shtator. Përndryshe mbetemi të zgjedhjet. Nëse zgjidhet deputet, topi i kalon SPAK, sepse kërkohet autorizim Kuvendi për të mbajtur me masë shtrënguese një deputet”, tha avokati Përparim Çaça.
Kurse deputeti Rezart Kthupi ndan mendim tjetër:
“Mandati i deputetit jepet nga KQZ, pra ti e fiton mandatin kur KQZ merr vendim dhe shpall mandatin. Në këtë moment ti merr të drejtat që rrjedhin nga ligji dhe Kuvendi. Meta del menjëherë sa të shpallet vendimi. Azgan Haklaj doli direkt nga burgu sa u shpall deputet”.
Por ish-deputeti Halit Valteri u shpreh se Kushtetuta e thotë qartë, se nëse nuk betohet në Kuvend, nuk mund të lirohet.
“Ai duhet të bëjë betimin që ta gëzojë këtë mandat. Duhet të betohesh që të jesh i vlefshëm. Javën e parë të shtatorit mbetet. Ilir Meta, pavarësisht se i ka dhënë mandatin e sigurt aleati i tij Sali Berisha, nuk del dot nga burgu pa u betuar në Parlament. Ortakëria Meta-Berisha mund të bëjë çdo lloj loje politike, makinacioni dhe manovre në favor të tyre”, u shpreh ai në Report Tv.
Edhe gazetari Flogert Muça mendon se pa u betuar në Kuvend, kreu i PL-së nuk mund të lirohet.
“Ai duhet të betohet në Kuvend që ta marri mandatin e deputetit dhe pastaj mund të lirohet nga burgu. Ai është arrestuar kur nuk ishte deputet dhe duhet që të betohet për t’u liruar. Duhet sqaruar se për pak u gëzova edhe unë që do i pushohen çështjet. Do ishte vetëvrasje nëse SPAK do veprojë në mënyrën që të tërhiqet dhe të tregohet dashamirës ndaj Metës për ta lejuar lirimin para kohe. Ilir Meta ndaj u fut në listat e mbyllura, po ta dinte se fitonte votat vetë do futej te listat e hapura”, thotë ai.
Deputeti i ‘Djathtas 1912’, Rezart Kthupi, shpjegoi sot në mbrëmje në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, ehde konfliktin më të fundit me Lulzim Bashën dhe tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë.
Ai shpjegoi se e kishin vënë në dijeni për rrethanat, pasi tani kauza nuk ishte më e tyre sepse ndodhen në një formacion tjetër politik dhe nuk i lidhte më asgjë me PD-në. Gjithashtu i kërkuan që të dërgonte përfaqësues të tjerë ligjorë në Gjykatë për përfaqësim. Kthupi mohoi shantazhin, duke shtuar se ka qenë Basha që i ka akuzuar si lidhje e Berishës.
Ai tregoi edhe se i kishin bërë ofertë politike Demokratëve Euroatlantikë të Bashës për koalicion zgjedhor bashkë me LZHK-në e Dashamir Shehit dhe ‘Djathtas 1912’, duke i ofruar edhe një rol drejtues si parti drejtuese e koalicionit.
“I kërkuam Bashës që të zëvendësonte përfaqësuesit e tij me rekursin në Gjykatën e Lartë. I lamë edhe kohë, do e bëjë a jo, afatet dhe të tjerat janë çështje tjetër. Historia me shantazh ndaj tij nuk qëndron. Na tha se “jeni në shërbim të Berishës, matuni mirë se do përballeni me pasojat më vonë”. Bëmë edhe ofertë për koalicionin dhe bashkim. Shehi u caktua si drejtues, Basha si parti drejtuese e koalicionit dhe ne si mbështetës të saj. Përgjigja erdhi që partia drejtuese e koalicionit do ishte Koalicioni Euroatlantik i Bashës, dha edhe disa emra koalicioni ku ishte parti drejtuese, kurse ne na u la e drejta e përfaqësimit në short”, tha Kthupi.
Kurse gazetari Flogert Muça u shpreh se Basha mendon se i ka votat e strukturave të tij dhe bëhet një digë ndaj polit të tretë, duke mos i interesuar bashkimi me ta. Por nuk kuptonte paradoksin mes partisë së Alibeajt dhe Bashës, pasi ishin bashkë, u ndanë dhe tani pyesin pse nuk bashkohen!
“Basha është koalicion me një parti dhe me një kandidat. Detyrimisht do e fusë veten në listën e mbyllur. Nuk i jap të drejtë asnjërës palë në këtë konflikt. Puna është pse u ndanë dhe tani pyesin pse nuk bashkohen? Basha është i bindur se ka strukturat, po bën lojë të thjeshtë, ka treguar se është një lloj dige e votës së demokratëve që nuk duhet të shkojnë te poli i tretë”, tha ai.
Kurse batutave në studio se ndoshta Rama e bën Bashën ministër të Brendshëm pas zgjedhjeve të 11 Majit, pasi po e përmend edhe në daljet e fundit, ish-deputeti Halit Valteri iu përgjigj po me humor.
“Mund të vijë, derën e ka të hapur, por fillimisht do i duhet të punojë”, u shpreh ai.
Vota e diasporës do të ketë ndikimin e saj në zgjedhjet e 11 majit dhe kjo referuar shifrës së lartë të të regjistruarve kur duhen edhe pak më shumë se një orë nga mbarimi i afatit sipas KQZ-së.
Deri tani janë mbi 230 mijë emigrantë të regjistruar dhe mbi 40 mijë të refuzuar, por që në total mund të prodhojnë mbi 20 mandate sipas përllogaritjeve për pragun elektoral të deputetit.
Vetëm në Tiranë janë mbi 50 mijë emigrantë të regjistruar, ose rreth 5 mandate që mund të shkojnë për njërën apo tjetrën pal si favor.
“Vota e diasporës mund të ndikoj shumë. Zgjedhjet e kaluara janë humbur mandate edhe me 150 vota. Ky numër emigrantësh të regjistruar minimalisht prodhon deri në 5 mandate në Tiranë.
Por duhet parë edhe rasti ku shtihi i numrit të votuesve të diasporës rrit edhe pragun e votave, psh Vlora nga 8 mijë mund të shkojë në 9500 vota pragu për deputet”, thotë deputeti Rezart Kthupi për Report Tv.
Ngacmimeve për mazhorancën se ka pësuar rënie të mbështetjes dhe elektoratit, ish-deputeti Halit Valteri iu përgjigj:
“Nuk ka në asnjë kuti votimi mungesë votash për PS. Avantazhi i votës së diasporës qëndron, ku çdo votë tepër kthehet në mandat. Me votën e saj do tregohet motivimi i PS-së, do tregojnë se votat e diasporës do ndahen 70 me 30 në favor të mazhorancës”.
Kurse avokati Përparim Çaça tha se nuk besonte se vota e diasporës mund të kontrollohej lehtë, pasi do jetë e vështirë, pavarësisht entuziazmit që shfaqin partitë e mëdha.
“Besoj se nuk votojnë më shumë se 80% e tyre. Diku te 180 mijë besoj mund të shkojë ky votim, referuar edhe shifrave të vendeve të tjera. 40% e tyre janë në Itali, pjesa tjetër në Greqi. Edhe partitë janë angazhuar ndaj është ky numër i lartë. Të dyja palët flasin kot, sepse ata nuk e dinë se për kë do votojnë, votën e kanë ata vetë. Nuk do jetë kaq e thjeshtë që të mendohet se si do votohet. Por për t’i bërë zap se si do votojnë, as që mund të mendohet”, u shpreh ai.
Gazetari Flogert Muça tha se vota e diasporës do shërbejë më shumë për të llogaritur ruajtjen e mandateve mes forcave të mëdha.
“PD po punon qark pas qarku, për të evidentuar se si të ruajë mandatet dhe se si mund të përfitojë. Partitë po e përdorin votën e diasporës më shumë për të ruajtur status kuonë. Tani do dihen edhe se kush janë votuesit e diasporës sipas qarqeve me publikimin e listave. Dhe kështu po bëhet llogaria, pra kemi kaq emigrantë për qark dhe sa duhen për të ruajtur mandatin, apo si avantazh ndja njëri-tjetrit”, tha ai.
A do i vizitojë kryeministri Edi Rama SHBA-të? A është kjo surpriza që lajmëroi ditën e sotme me një postim të radhës gjatë kthimit nga Panairi i Turizmit në Berlin?
Kjo ishte një nga temat që u diskutua në studion e ‘Repolitix’ nga të ftuarit.
“Rama mund ta ketë edhe mesazh politik, ose provokim surprizën që tha. Nëse amerikanët do donin t’i thonin ik, nuk e thërrisnin atje, nuk ishte nevoja. Ndoshta është afrim me SHBA, meqë Rama tha se ‘po hakmerremi ndaj Europës’. Por nëse Rama shkon në SHBA për të takuar Trump, mendoj se certifikohen zgjedhjet. Rama luan me faktorin ndërkombëtar dhe faktet janë në favor të tij”, u shpreh gazetari Flogert Muça.
Kurse deputeti i ‘Djathtas 1912’, Rezat Kthupi gjithashtu ndau mendimin se një vizitë e Ramës në SHBA do ishte praktikisht një zhvillim motivues para fushatës, por duke pasur parasysh qëllimin e saj, pasi mund të ndodhte edhe si precedenti Zelenski.
“Nëse Rama viziton SHBA-të fushata ka mbaruar. Megjithëse ata që shkojnë këto kohë në SHBA hanë dru, i ndodhi edhe Zelenskit”, tha ai.
Avokati përparim Çaça tha se “Rama e ka trajtuar Shqipërinë si tepsi, ku bëhet vetëm korrupsion në të gjitha sektorët”, por hasi në kundërshtimin e ish-deputetit Halit Valteri.
“Gjithë propaganda që vihej në dispozicion të Damir Fazlliç, ka mbaruar. Tani turizmi sjell miliona euro. Meqë mendoni se Rama ka dështuar në këto sektorë, shkoni dhe mundeni në zgjedhje. Llogarinë kërkojani ju në opozitë. Për sa kohë ai ka këtë opozitë përballë. Nëse ju e quani tepsi në rregull, dilni dhe mundeni, por asnjë parti s’ka program. Berisha thotë taksë e sheshtë, por s’di as vetë se çfarë do të thotë. Për sa kohë keni këtë rrangallë në krye të PD-së, që ka monopolizuiar opozitën, bashkë me Ilir Metën, Ramës nuk i duhet asgjë tjetër vetëm të tregojë gishtin e të thotë, ‘o mua, o këta’. Tani bëhen punë shumë më të mira se kur Shqipërinë e drejtonte Damir Fazlliçi me Berishën”.
Ish-deputeti Halit Valteri mendon se Sali Berisha dhe Ilir Meta do bëjnë çdo lloj makinacioni dhe manovre politike që kreu i PL-së të arrijë lirinë dhe një prej këtyre është zgjedhja si deputet i Parlamentit më 11 maj.
Por ai vuri në dukje një këndvështrim tjetër të situatës politike për koalicionin e “Aleancës Shqipëria Madhështore” që drejton PD-ja. Aleancën e njerëzve të korruptuar të bërë bashkë dhe që kanë trumbetuar goditjen e drejtësisë së re.
“Njerëzit më të korruptuar që i kanë pjesë të koalicionit. Janë me dosje dhe me probleme me drejtësinë. Ata janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj manovre dhe koalicioni për të përfituar. Unë mendoj se Berisha i ka bërë nder të madh Ramës, i ka dhënë 2-3 mandate shtesë me këta emra që ka përfshirë në koalicion, deri edhe parti që nuk njihen dhe njerëz me probleme me drejtësinë. Ata dështuan me primaret, kanë edhe koalicion të dështuar tani me emrat si Ilir Meta apo Fatmir Mediu, përfshi edhe Berishën vetë, të gjithë me probleme me drejtësinë”, tha Valteri.
Kurse avokati Përparim Çaça, kandidat edhe i Primareve në PD, tha se Partia e Lirisë në aleancë me PD-në është një “mish i huaj”.
“Partia e Lirisë është mish i huaj në aleancë me PD-në. Ky është mendimi im personal. Ajo mund të ishte shumë lehtë te PS, se ka llogjikë”, u shpreh ai.
Komente
