Politikë

Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhjet në Tiranë, konstitucionalistja Anastasi: Kushtetuta nuk mund të anashkalohet! Për dekretin, Begaj duhet të priste vendimin e GJK

3 Tetor, 14:01| Përditesimi: 3 Tetor, 14:45

  • Share

“Ligji nuk mund të parashikojë shkaqe për shkarkimin që nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit”. Kostitucionalistja e njohur, Aurela Anastasi, nuk ka asnjë dyshim. Referenca ndaj nenit 62 të ligjit për qeverisjen vendore, për “mungesën më shumë se 3 muaj në detyrë”, e përdorur për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nuk mund të anashkalojë, sipas saj, nenin 115 të Kushtetutës, i cili ia beson Gjykatës Kushtetuese, vlerësimin e ligjshmërisë apo jo të vendimit të qeverisë ndaj një të zgjedhuri vendor.

Ndryshe nga sa vlerësoi Presidenti Begaj, i cili dekretoi zgjedhjet e reja në Tiranë, zonja Anastasi thotë për Report Tv se “zgjedhjet e reja mund të kryhen vetëm pasi ka dhënë vendimin Gjykata Kushtetuese”.

1.Zonja Anastasi, a mundet që Presidenti Begaj, të dekretonte zgjedhjet në Tiranë. Në një kohë kur Veliaj e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, shkarkimin, çfarë sjell automatikisht pezullimin e aktit të Qeverisë?

Aurela Anastas: Këtë përgjigje e jep drejtpërdrejt neni 115 i Kushtetutës, i cili ka vendosur pezullimin automatik të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit vendor, kur ndaj këtij vendimi ushtrohet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Konkretisht, pika 2 e tij shprehet:  Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Kushtetuta nuk kërkon të ketë ndonjë shqyrtim a vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e aktit. Ai është një pezullim i menjëhershëm, që nga momenti i regjistrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një procedurë e veçantë, ndryshe nga rastet e tjera kur pezullimi kërkohet nga palët dhe Gjykata Kushtetuese vendos për të. Kërkesa kushtetuese që buron në këtë rast, është detyrimi i të gjitha institucioneve për të respektuar këtë pezullim. Përmes këtij pezullimi automatik, Kushtetuta ka synuar të forcojë garancinë që vjen nga gjykimi kushtetues për të kontrolluar drejtësinë e shkarkimit të organit vendor. Madje, ajo e ka integruar Gjykatën Kushtetuese në procesin e shkarkimit të organeve vendore të zgjedhura drejtpërdrejt, si një filtër të fortë për t’i mbrojtur nga shkarkimi i padrejtë. 

Më tej, neni 115 vendos shprehimisht, detyrimin e Presidentit të Republikës që të caktojë datën e zgjedhjeve të reja për njësinë vendore, nëse Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave. Pika 3 e këtij neni sanksionon:  Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse. Pra, qartazi zgjedhjet e reja mund të kryhen vetëm pasi ka dhënë vendimin Gjykata Kushtetuese, me të cilin të ketë konstatuar kushtetutshmërinë e ligjshmërinë e shkarkimit. Prandaj rasti në fjalë, lidhet jo vetëm me respektin ndaj parimit të autonomisë vendore, por edhe me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe juridiksionit të saj.

2.Presidenti këtë dekret për Tiranën e ka argumentuar me faktin se Veliaj duhet të ankohej në Gjykatën Administrative, pasi sipas tij, shkarkimi nga Këshilli i Ministrave për shkak të mungesës në detyrë për një periudhë tre mujore nuk hyn në juridiksionin kushtetues për të drejtën e ankimit, por në juridiksionin gjyqësor administrativ. A mundet që një Gjykatë administrative të shqyrtojë shkarkimin e një të zgjedhur vendor?

Aurela Anastasi: Kushtetuta thekson shprehimisht se, organi i zgjedhur i qeverisjes vendore mund të shkarkohet vetëm për “shkelje të rënda të kushtetutës” ose “shkelje të rënda të ligjeve”. Gjykata Kushtetuese ka krijuar një jurisprudencë të konsoliduar në lidhje me këto çështje. Prandaj, sido që t’i formulojë ligjvënësi shkaqet e shkarkimit, si shkelje e Kushtetutës apo si mosparaqitje në detyrë, etj., në çdo rast, vetëm Gjykata Kushtetuese vlerëson nëse sjelljet e të zgjedhurit vendor përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjit. Gjithashtu, ligji nuk mund të parashikojë shkaqe për shkarkimin që nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit. Do ta bënte ligjin antikushtetues. Unë gjykoj se ligjvënësi ka vendosur mosparaqitjen në detyrë, si një shkelje e rëndë e ligjit. Në çdo rast, Gjykata Kushtetuese do ta vlerësojë kur të shprehet për këtë. Asnjë shkak i parashikuar nga ligji nuk i shmanget dot gjykimit kushtetues. 

3. A mund të ankimohet në Kushtetuese ky dekret i kreut të shtetit? Në çfarë forme?

Aurela Anastasi: Në parim, organi vendor i shkarkuar legjitimohet të ankojë dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja vendore. Por, deri më sot, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin që dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, mund të ankohen në Gjykatën Administrative. Me këtë arsyetim, në një rast, Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar për gjykim kërkesën e një prej partive politike që kërkonte pakushtetuetshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo lidhet me natyrën e aktit të Presidentit të Republikës, për të cilin edhe në teori kemi mjaft debate.

4. Në një rast, si ky kur po flasim, a mundet që Gjykata Kushtetuese të veprojë më shpejt se zakonisht, duke qenë se zgjedhjet mbahen pas afro 35 ditësh?

Aurela Anastasi: Gjykata Kushtetuese ndjek afate shqyrtimi që zgjasin më tepër se 35 ditë. Por, ka hapësirë në Rregulloren e Gjykatës që lejojnë marrjen e masave për shqyrtimin e  çështjeve me prioritet në kohë. Unë mendoj se kjo çështje ka interes publik dhe do të ishte mirë që të vendosej prioritet për kohën e shqyrtimit. Në këtë mënyrë do të evitoheshin edhe përplasjet institucionale.

5. Po në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Veliajt për shkarkimin nga Qeveria, dhe në anën tjetër kemi një kryetar të zgjedhur në Tiranë, çfarë ndodh? Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të Tiranës, do të kishte vetëm vlerë juridike për të ardhmen?

Aurela Anastasi: Për fat të keq, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do t’i shtohej listës së vendimeve të pazbatuara të kësaj Gjykate. Raste të ngjashme ka pasur me shqyrtimin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, por, nuk u zbatua. Nëse nuk nxjerrim mësimet e duhura prej arsyetimeve të Gjykatës Kushtetuese, rastet përsëriten.

6. Të kthehemi pas në kohë, propozimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt ishte i drejtë apo jo? Veliaj ka munguar vërtetë më tepër se tre muaj në detyrë, por jo me dëshirën e tij por se është i izoluar, duhet të justifikohet natyra e kësaj mungese?

Aurela Anastasi: Në çështjet e mëparshme Gjykata Kushtetuese ka mëshuar në respektimin e të drejtave të procesit të rregullt ligjor. E drejta për t’u dëgjuar, të cilës Gjykata Kushtetuese i ka mëshuar fort, mungoi në këtë proces shkarkimi. Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë nëse Këshilli Bashkiak si propozues dhe Këshilli i Ministrave si vendimmarrës, kanë ndjekur apo jo një proces të rregullt ligjor. Ajo vepron aty jo vetëm si Gjykatë Kushtetuese, por edhe si një gjykatë e zakonshme, duke shqyrtuar në themel shkarkimin, përfshirë edhe kuptimin e mosparaqitjes në detyrë të organit vendor. Është e vetmja gjykatë që kontrollon edhe kushtetuetshmërinë e shkarkimit, edhe ligjshmërinë e tij, njëkohësisht.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?