Politikë

Demalia: Saliu ‘non grata’, s’vjen dot në pushtet me Llallën e Gjonin! Rama mbi 70 deputetë! Petraj: Dikur Berisha rrinte me gërshërë në dorë, si rrobaqepës

10 Prill, 19:35| Përditesimi: 10 Prill, 20:21

  • Share

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë, por kryeministri Edi Rama dhe PS-ja nisen të avantazhuara dhe do përsërisin fitoren me mandatin e katërt, për shkak se përballë kanë një opozitë të vjetër dhe të pareformuar, të përfshirë në afera të vjetra dhe kreu i saj i pandehur nga SPAK për korrupsion.

Kështu u shprehën sot në ‘Studio Live’ të Report Tv, të ftuarit e moderatorit Arbër Hitaj, analisti Ilir Demalia dhe avokati Edmond Petraj.

Madje avokati kujtoi duke iu referuar pretendimeve të PD për asfaltet elektorale, se dikur Berisha rrinte me gërshërë në dorë qytet më qytet “si rrobaqepës”.

Demaliaj u shpreh se Rama do fitojë më shumë se 70 mandate, madje mund të shkojë deri te 78, kurse partitë e reja vështirë se marrin një mandat. Për Lulzim Bashën, analisti shprehet me ironi se nëse do fitojë mandatin e tij, do bëhet lajm në të gjithë mediat e botës.

Të ftuarit prekën edhe temat e zvarritjes së dosjes “Partizani”, duke e quajtur të paligjshme dhe skandaloze, ku GJKKO po favorizon Berishën, por edhe përvjetorin e masakrës së Peshkëpisë, duke theksuar se dosja është zhdukur, por ngjarja dhe Beleri duhet të hetohen.

Demalia denoncoi aleancën antikombëtare të Berishës me Dulen dhe Belerin në krah, duke bërë fushatë antishqiptare me një njeri që dyshohet si pjesë e asaj masakre që sot kishte 31 vjetorin, ku u vranë tre ushtarakë nga organizata terroriste greke.

“Sondazhet janë të qarta, situata është e qartë, Berisha ka këto njerëz që ka dhe e kemi thënë, PS ka kontingjentin e vet që nuk lëviz. Nuk besoj se do ndikojë dhe Berisha prej 4 vitesh është non grata, i akuzuar për Partizanin dhe i pandehur, me Gërdecin, 21 janarin. Tani kjo e “Partizanit” po bëhet si kafet e Nexhmies, po përdoret për politikë, po zvarritet çështja. Ndërkohë që shumë nga dosjet e çështjet janë njerëz të mazhorancës, që rrëzojnë alibinë e kundërshtarëve se Rama kontrollon SPAK. Pra na rezulton e kundërta. Kurse nga ana tjetër e dimë shumë mirë që Berisha kontrollonte Drejtësinë me njerëzit e tij dhe Llallën, apo dhe Gjonin e të tjerë. Tani duhet ta themi këtë, që aktualisht SPAK me segmente të caktuara po luan me opozitën, po bëhen lojtarë politikë disa elementë të veçantë. Segmente që po tregojnë se janë të kapur, ose janë të trembur. Një organ i tillë nuk funksionon as i lirë dhe as i drejtë. SPAK duhet të bëjë drejtësi dhe barazi, pa standarde të dyfishta. Edhe çështja e përgjimeve bie në sy, elementë të veçantë të SPAK janë në bashkëpunim me opozitën. Një pjesë e përgjimeve sekrete po dalin, kur është urdhëruar bllokimi i tyre, nëse duan t’i nxjerrin t’ia japin të gjithë mediave, të bëhet me standard. Pse dalin vetëm në dy media?”, shprehet Demalia.

Më tej ai thekson se ka edhe kritika dhe të meta nga kjo qeverisje, pasi është konsumuar në 12 vite, por kur sheh se çfarë opozite ka përballë, me Berishën dhe të tjerët, qytetarët nuk mashtrohen.

“Pushteti i gjatë vërtetë të lodh, të konsumon, por kur nuk ke opozitë përballë, çfarë mund të presësh? A mund të presësh gjë nga një parti që vjen me fytyrat e 35 viteve parë, me Sali Berishën, Tritan Shehun e Flamur Nokën. Po pasuritë e tyre nuk janë korrupsion, se këta flasin për korrupsion. Shqipëria nuk bëhet me këta të rinjtë demagogë që thonë Shqipëria Bëhet, vendi bëhet nga ata që jetojnë këtu dhe duke punuar së bashku. Kështu funksionojnë shoqëritë në perëndim. Këtu të gjithë duan të punojnë në shtet, pse? Sepse në shtet abuzohet, vidhet dhe ka korrupsion. Rama duhet të bëjë një administratë më konstruktive”, nënvizon analisti.

Dhe në fund një projeksion për zgjedhjet. Ai i cilëson të sakta sondazhet dhe thotë se Rama merr më shumë se 70 mandate, madje deri në 78.

"Kjo opozitë është provuar, kanë vetëm destruktivitet. Unë mendoj se Rama do fitojë me mbi 72 mandate, mund të shkojë edhe te 78. Emergjente është korrupsioni, sepse është gangrenë në këtë këtë vend", tha Demalia.

Avokati Edmond Petraj preku çështjen e Task-Forcës për krimin elektoral, duke sqaruar se do ketë edhe akuza të ngritura për tymnajë dhe banale, por SPAK duhet të përqendrohet te provat, flagranca. Ai kujtoi quajti banale edhe akuzat për asfalt elektoral, duke kujtuar se Berisha rrinte me gërshërë në dorë gjatë fushatave të PD-së.

“Task-Forca për zgjedhjet me anë të SPAK, mund të kemi denoncime të inskenuara, denoncime joserioze, për të hapur tym. Këtu do jemi e do shohim, ku do ketë shumë personazhe që do akuzohen për pagesa dhe të tjera, por duhet të ketë flagrancë. Pra duhet të ketë moment pagese, siç ishte rasti i Fredi Belerit që u kap duke financuar dhe u faktua ku gjykata e dënoi. Deputetët dhe kandidatët duhet të kenë kujdes me fushatën e tyre në mënyrën se si e kërkojnë te qytetarët mbështetjen. Edhe pushteti lokal e ka të përcaktuar me ligj, çfarë i lejohet dhe jo, punën do e vijojë Bashkia, thjesht të mos mbështesë kandidatët për deputetë. Ne e kemi parë zotin Berisha që në fushatë bridhte qytet më qytet me gërshërë në dorë si rrobaqepës për të prerë shirita. Nuk duhet të ketë ndikime nëpër shkolla, apo vënia e administratës në zgjedhje, kurse vota është e fshehtë dhe personale. Asfalti elektoral është akuzë e dobët dhe jo bindëse. Në krahasim me 2013 Shqipëria ka ndryshuar, ka situatë tjetër, duhet ta themi këtë. Çfarë do zhbëjnë këta? Sot kemi e-Albanian, kemi modernizime dhe teknologji që lehtësojnë shërbimet, tani probleme do ketë se ka edhe në vende të tjera”, shpjegoi juristi për Report Tv.

Ora 20:18
Partitë e vogla/ Demalia: Meta nuk del deputet, as Shabani-Lapaj! Shehi, Shehaj e Qori marrin nga një! Nëse Basha merr mandat, do jetë sukses botëror! Petraj: As 2-3 mandate gjithsej

A do ndikojnë partitë e reja dhe të vogla tek rezultati i zgjedhjeve dhe dy partive të mëdha, PS e PD?

Kjo ishte një nga pyetjet dhe tematikat e prekura në kuadër të fushatës elektorale, në analizën e bërë në ‘Studio Live’, sot.

Analisti LIlir Demalia dhe avokati Edmond Petraj, ndanë të njëjtin mendim, se partitë e vogla nuk do arrinin dot ta thyenin dominimin apo të prishnin punë dy forcave të mëdha. Për ta, ato nuk do të arrinin dot 1 deri në 2 deputetë secila, pasi shpërndarja e votës dhe sistemi elektoral nuk i favorizonte.

Demalia bëri ironi me Bashën, duke u shprehur se nëse fiton mandat deputeti do bëhet edhe sukses botëror, kurse për Ilir Metën deklaroi se nuk do zgjidhet dot deputet për parlamentin e ardhshëm.

“Më origjinali nga të gjithë është Arlind Qori. Të tjerët kanë dalë nga politika e vjetër si Agron Shehaj, të tjerët kanë qenë me politikën e vjetër, si rasti i Adriatik Lapajt, kurse Endri Shabani ka mendim politik, por nuk ka karizmën. Nuk është e lehtë të bësh vota. Për mendimin tim këta duhet të bënin një grupim të bashkuar dhe parlamentar. Basha nuk merr mandat, por nëse merr do jetë sukses në nivel botëror dhe do bëhet lajm në mediat e huaja. Ai ka qenë në pushtet dhe në opozitë, ka korrur rezultat zero. Edhe mandatin e Bashkisë e pamë dhe e dimë se si u mor, me manipulime të Berishës. Basha mund të jetë dhe është djalë i mirë, por s’është për këtë punë. Dashamir Shehi mund ta marri një mandat, bën jetë të thjeshtë, nuk është i përfolur për korrupsion. Agron Shehaj po shpenzon shumë para, mirë bën se paratë e veta i ka. Por mendoj se mbase e merr një mandat. Edhe Qori mund t’i marri dy mandate, se ka nostalgjikët e vjetër, ia ka marrë PS-së komunistat e thekur, ata që dalin me portretin e Enverit. Lapaj-Shabani vështirë se një mandat e marrin. Meta nuk besoj se e merr mandatin, sepse e para ka shumë ngarkesë për ato që akuzohet, e dyta është i arrestuar dhe izoluar. Dhe tjetra nuk mendoj se ka më atë fuqinë e dikurshme, PL do marri vetëm deputetët e listës së sigurt, e ka të vështirë”, thotë Demalia.

Edhe avokati Petraj u shpreh se pa masivizim të votës dhe përqendrim të saj, partitë e vogla e kanë të vështirë.

“Unë mendoj se vota duhet masivizuar për t’u përkthyer në mandat, sepse vota është e shpërndarë. Nuk është e lehtë të përkthehet në mandat. Kurse vota e diasporës do jetë e shpërndarë. Partitë e reja do shkojnë deri afër një mandati, por do jetë e vështirë. Lapaj psh. ka në Diasporë, por nuk ka rëndësi numri i 80 mijë votave total nëse nuk përkthehet në mandat deputeti, se do ketë shpërndarje të tyre. Kujtojmë LSI që mori mbi 100 mijë vota dhe vetëm 3 mandate. Pjesa tjetër, Arlind Qori në Tiranë, mund ta marri një mandat. Kurse Agron Shehaj mund ta ketë të mundshme. Partitë e mëdha do ndajnë tortën, të voglat nuk i favorizon ligji zgjedhor. Kemi hendek mes PS dhe PD, kurse të voglat do jenë surpriza nëse do futen me 2-3 mandate gjithsej në Parlament”.

Ora 20:08
Demalia: Kur ndodhi masakra e Peshkëpisë, Berisha qante në zyrë nga mllefi, tani me Belerin në krah! Ishte në grupin terrorist, të hetohet! Petraj: Dosja s’ekziston, u zhduk qëllimisht

 

Dosja e masakrës së Peshkëpisë duhet të rihetohet bashkë me Fredi Belerin, si pjesë e grupit terrorist grek, që më 11 prill 1994 mësynë dhe vranë ushtarakët në repart, duke pushtuar territorin shqiptar.

Analisti Ilir Demalia kujtoi historinë e 31 viteve më parë, në ditën e përvjetorit të masakrës, se Sali Berisha që ishte President në atë kohë, qante në zyrën e tij nga mllefi apo hipokrizia dhe kërkonte arrestimin e Belerit në atë kohë, kurse tani del si aleat me të në krah, shkon në Parlamentin Europian apo në Greqi për fushatë, duke bërë politikën greke me territoret shqiptare.

Ai kërkoi rihetimin e masakrës, pasi nuk mund të parashkruhet si krim terrorist dhe gjithashtu të hetohet edhe Fredi Beleri.

“Berisha ka qenë president në atë kohë, ai qante në zyrën e tij për çfarë i ndodhi dhe kërkonte arrestimin e Belerit, thoshte ma gjeni se ku është dhe arrestoheni. Nuk e di nëse qante nga hipokrizia apo se nuk dinte çfarë të bënte. Ishte sulm terrorist. Nuk e dimë nëse ishte pjesë e grupit që vranë, por që ishte pjesë e organizatës terroriste kjo është e provuar. Duhet hetuar dhe parë nëse ishte në vrasje. Ai që është shqiptar nuk duhet ta votojë Berishën, sepse ky e futi Belerin si kandidat në Himarë për Bashkinë, kur dihej se çfarë kishte bërë. Kishte dhunuar simbolet kombëtare dhe dyshohej për Peshkëpinë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, ai ende kërkon autonominë e Himarës. Rama ngriti flamurin shqiptar atje, Athina e bëri eurodeputet atë në Parlamentin Europian. Ai është akuzuar për terror e urrejtje nacionale, kurse sot është anëtar i PE-së. Kurse ky që gjoja i qan zemra për shqiptarët e Kosovën, na e bën Belerin aleat, bën mitingje me Belerin e Dulen në Greqi me organizatën Mavi, pa asnjë flamur shqiptar. Shkon e bën dëgjesë me Dulen e Belerin në Parlamentin Europian e hiqen sovranistë, kujtojnë se njerëzit nuk i shohin. Këta shesin interesat e vendit të tyre, si mund t’i besosh gënjeshtrave të tij”, tha Demalia.

Pikërisht për këto rrethana, ai këmbënguli në rihetimin e masakrës, që prej 31 vitesh është pa autorë.

“Ndaj unë them se SPAK duhet ta rihetojë këtë çështje të Peshkëpisë, edhe pse është mbyllur më parë për shkak të afateve. Ai grup ka bërë akt terrorist brenda territorit të Shqipërisë, grup kriminal, Beleri ka qenë pjesë e atij grupi, le të jetë PE-ja, duhet të hetohet, SPAK të veprojë. Beleri eurodeputet është turp i PE-së. Këtë nuk e bëjnë dot me Gjermaninë, as me Malin e Zi e Maqedoninë s’e bëjnë dot, kurse me ne e bëjnë dhe madje ulin të mbathurat në fund të këmbëve. SPAK duhet të rihapi hetimet për Peshkëpinë dhe Beleri të hetohet”, theksoi analisti.

Në lidhje me zhdukjen e dosjes, ai kërkoi të gjenden përgjegjësit dhe të ndëshkohen, duke akuzuar Sali Berishën si ideatori i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Shqipërisë me sistemin e pandëshkueshmërisë.

“Nëse dosja e Peshkëpisë është zhdukur, a ka një autor, se kush e zhduku dosjen. Kush është personi përgjegjës, kush mban përgjegjësi, kush e bëri 1997 që na qenka zhdukur dosja, a ka një përgjegjës. A ka shtet, a ka drejtorë të Shërbimit Sekret, ndaj vuajmë ne se nuk ndëshkuam as krimet e komunizmit, as 1997, as Gërdecin, i parashkruajnë dhe i kemi ne në kurriz, se këta nuk i gjen gjë. Një shtet që nuk ka arkiva, nuk është shtet. Këta, barbarët i dogjën, me hipoteka e kadastra, e shkrumbuan fare. Kjo gjendje të revolton. E del e flet ky, Sali Berisha, për Enver Hoxhën, që çfarë nuk ka bërë, por ne jemi banalë”, përfundon ai.

Kurse avokati Edmond Petraj dha lajmin se dosja është vështirë të rihapet dhe hetohet, sepse është vjedhur apo zhdukur që nga trazirat e vitit 1997 në Gjirokastër, qëllimisht nga qarqe të caktuara.

“Dosja nuk ekziston. Sepse ajo është me mangësira, mungojnë shumë elementë nga ana proceduriale, por asaj i mungojnë sipas anës proceduriale. Kemi anën tjetër, që vepra penale është parashkruar. Krimi nuk parashkruhet por ka kaluar shumë kohë. Unë them nuk hapet dosja. Që të fillojë kjo, duhen marrë dy dosjet e Janinës dhe një tjetër në Gjykatën e Lartë në Athinë, që të shihen armët e përdorura që ishin edhe në regjistrin e repartit të Peshkëpisë, që edhe mund të ketë disa elementë. Por e theksoj, ka shumë mangësira. Dosja nuk është vjedhur rrugës, por qëllimisht, janë zhdukur materialet. Në vitin 1997 ndodhën ato që ndodhën, e kishte Gjirokastra si dosje në atë kohë, e kuptoni vetë tani, edhe kur shkoi te Krimet e Rënda ishte me mangësi të rënda", vijon ai.

Por ai shtoi se ka një rrugë që mund të ndiqet, edhe pse shumë e vështirë nga ana teknike dhe burokracitë. Petraj mendon se ajo dosje u vodh e zhduk qëllimisht gjatë trazirave.

"Beleri është gjykuar për armëmbajtje pa leje në Greqi. Për çfarë u bë më 1997 nuk u dha llogari. U rrënua gjithçka, u dogjën dhe u shkatërruan, u bë kasaphanë, Kadastra e Hipoteka, dokumente e gjithçka. Ka qenë e qëllimshme dhe atë e dinë të gjithë. Edhe dosja e Peshkëpisë mes tyre, është vjedhur qëllimisht, se nuk ishte vetëm Beleri aty, kishte edhe të tjerë. Por përgjegjësit nuk u morën asnjëherë nën përgjegjësi penale, sepse ishin të mpleksura me njëra-tjetrën”, shpjegon juristi për Report TV.

Ora 19:52
Petraj: Dosja ‘Partizani’ po zvarritet, mendoj se nesër kalon për gjykim! Demalia: LaCivita nuk ka fuqi as t’i heqë ‘non gratën’ Saliut dhe as ta sjellë në pushtet! Trump e hoqi për abuzim

Afera e dosjes “Partizani” dhe konsulenti amerikan i fushatës së PD-së, Chris LaCivita, ishin dy nga pikat e analizuara dhe diskutuara sot në ‘Studio Live’ të Report Tv.

Avokati Edmond Petraj vuri në dukje zvarritjen e paligjshme të seancës paraprake të Sali berishës me aferën e dosjes “Partizani”, në mënyrë të paprecedentë, teksa bëri edhe një nëntekst ironik me datën e nesërme kur është caktuar seanca për marrje vendimi nëse do kalojë për gjykim, do pushohet apo do kthehet për plotësime. Petraj kujtoi datën 11 prill, si përvjetorin e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

“Afatet kanë tejkaluar shumë, por për ironi nesër është 11 prilli, vdekja e Enver Hoxhës. Unë dyshoj edhe te pjesa e veprimit të gjyqtares së seancës paraprake, që revokoi masën dhe mendoj se mund të ketë një surprizë tjetër, mbetet për t’u parë. SPAK duhet ta verifikojë, nëse nesër do kemi pushim të akuzës dhe kjo nuk do jetë gjë e mirë për SPAK, për pjesën e kualifikimit të veprës penale, ndoshta duhet të kishim kualifikim tjetër të veprës. Nesër nëse nuk ka ndonjë surprizë me mungesë avokati dhe gjyqtari, mendoj se dosja do kalojë patjetër në gjykim. Por do parë nga surprizat. Berisha është i pandehur, është thirrur i pandehur aktualisht, çështja është në seancë paraprake. Nesër është thjesht nëse dosja kalon në gjykim të zakonshëm, pushohet akuza apo rikthehet për plotësim procedurash me afat për SPAK. Për fushatën mendoj se ai nuk preket te kjo dosje, mund të ketë elementë të tjera, por jo te kjo”, shpjegoi avokati për Report Tv..

Ndërsa analisti Ilir Demaliaj komentoi një çështje tjetër, atë të konsulentit Chris LaCivita, për të cilin tha se Trump e hoqi për vjedhje fondesh nga grupi i fushatës së tij dhe sot ndodhet në gjyq. Për analistin, LaCivita as ia heq dot ‘non gratën’ Berishës dhe as e sjell dot në pushtet, që ta ndihmojë të fitojë zgjedhjet.

“LaCivita ishte i fushatës së Trump dhe ai e hoqi për abuzime dhe është në gjyq. Nuk ndodh që t’i heqë ‘non gratën’ Berishës, fuqia e LaCivita për t’ia hequr ‘non gratën’ është zero, ashtu sikurse edhe për t’i sjellë fitoren PD-së në fushatë. Mua më duket se këto para që harxhohen me fushatën këtu janë kot, sepse nuk e sjell fitoren as LaCivita dhe as paratë që harxhohen. Fushata duhet të përqendrohet te programi, projektet, investimet. LaCivita nuk e njeh terrenin në Shqipëri dhe fuqia e tij për ta përmbysur rezultatin është pothuajse zero. Rama ka bërë maksimumin e tij dhe më të mirën, edhe pse ka më shumë për të bërë”, nënvizon analisti.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • laz: 10/04/2025 20:57

    Shoqja e Argites ne gjykate ka per ta shtyre ceshtjen deri pas zgjedhjeve te 11 Majit.Pastaj nuk ka per ta cuar per gjykim fare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?