Kronikë

Parku Kombëtar i Lurës në flakë prej 5 ditësh, digjen pishat e reja te 'Liqeni i Luleve'! Zjarri në Dukat, ndalohet çobani nga Lushnja

10 Korrik, 08:32| Përditesimi: 10 Korrik, 19:03

  • Share

Parku Kombëtar i Lurës është përfshirë nga flakët prej 6 korrikut, me vatrën kryesore pranë liqenit të Luleve, në një zonë të mbjellë me pisha të reja. Në terren po punojnë vetëm 7 zjarrfikës nga MZSH Dibër dhe 5 punonjës të Zonave të Mbrojtura, por terreni i thyer dhe forcat e kufizuara po e vështirësojnë ndërhyrjen.

Një tjetër vatër aktive ndodhet në Zerqan të Bulqizës, në zonën e njohur si “Livadhi i Peladhisë”, ku janë përfshirë nga zjarri rreth 18 hektarë pyje me pisha dhe dëllinja. Pritet të bashkohen 25 forca mbështetëse për shuarjen e flakëve.

Zjarri vijon prej 6 ditësh edhe në zonën malore të Dukatit në Vlorë. Aktualisht janë angazhuar 8 zjarrfikës, 16 punëtorë lokale dhe 20 ushtarë që po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë.

Sipas Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin janë raportuar 18 vatra zjarri por vetëm 3 prej tyre vijojnë të jenë aktive: Lura, Zerqani e Dukati.

Në total janë djegur rreth 36 hektarë me pemë dhe bimësi. Ndërkohë, në fshatin Zgërbonjë të Poliçanit janë djegur 2,500 rrënjë ullinj, mbi 10-vjeçarë. Vetëm për këtë rast policia ka ndaluar një person për zjarrvënie të qëllimshme.

Po ashtu policia e Vlorës ka vendosur nën hetim edhe një çoban 27-vjeç nga Lushnja i cili dyshohet si shkaktar i zjarrit në Dukat.

Ndërkohë, një sipërfaqe me shkurre dhe pisha është përfshirë nga zjarri në Zvërnec, Vlorë. Forcat zjarrëfikse janë në terren për izolim e flakëve. 

Ora 18:45
Vlorë/ Përfshihet nga zjarri sipërfaqja me shkurre e pisha në Zvërnec, forcat zjarrfikëse 'në luftë' me flakët

 

Një sipërfaqe me shkurre dhe pisha është përfshirë nga zjarri në zonën e Zvërnecit në Vlorë.

Zjarri ka renë në fillimisht anës rrugës, por era e fortë ka bërë që zjarri të përparoj më shpejtësi duhe djegur dhjetra pisha si dhe duke rrezikuar dy hotele që ndodhen në këtë zonë.

Forcat zjarrëfikse si dhe banorë janë në terren për izolim e flakëve dhe shuarjen e tyre, por era e fortë vështirëson punën e zjarrëfikseve.

Ora 17:14
Lezhë/ Zjarr në zonën e Shënkollit, digjet një sipërfaqe me bimësi, rrezikohen banesat

 

Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me bimësi dhe ferra në zonën e Shënkollit, në Lezhë. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, duke rrezikuar edhe banesat pranë zonës së djegur.

Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes më tej të tij. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet mjedisore janë të konsiderueshme.

Shkaqet e rënies së zjarrit janë ende të paqarta dhe pritet të hetohen nga autoritetet përkatëse.

Ora 16:47
Lushnje/ Zjarr i fuqishëm te ‘Pushimi i Shoferit’, 3 mjete zjarrfikëse në vendngjarje

 

Zjarr i fuqishëm dhe i ndihmuar nga erërat e forta është aktiv në vendin e quajtur Pushimi i Shoferit, Lushnje. Janë djegur disa toka djerrë dhe shkurre, dhe një parcelë 4 dynym ullinj.

Dy mjete të zjarrfikësve Lushnje dhe një nga Divjaka janë në vendngjarje, si dhe banorët e zonës. Gjithçka për të mos lejuar zjarrin t’i përparojë drejt banesave që janë shumë pranë.

Banorët e zonës ndihmojnë zjarrfikësit me pompa për ujë, për të mbushur zjarrfikëset dhe për t’i hedhur zjarrit ujë, ndërsa po punohet për të mos lejuar zjarrin të shkojë drejt banesave të fshatit Krutje e Poshtme.

Banorë, Policia e Shtetit dhe zjarrfikës për të parandaluar rrezikimin e banesave.

Ora 15:07
Digjet prej 6 ditësh mali i Dukatit në Vlorë, nën hetim çobani 27-vjeçar nga Lushnja

1751888683_zjarrindukat.JPG

Foto: Zjarri në Dukat

Policia e Vlorës ka nisur hetimet për një çoban 27-vjeçar nga Lushnja.

I riu dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Vastak”, në fshatin Dukat i Vjetër, ku si pasojë të pëhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pylli, një pjesë kullote dhe bimësi të ndryshme

“D. B., 27 vjeç, banues në Lushnjë, i punësuar si çoban, pasi më datë 05.07.2025, në vendin e quajtur “Vastak”, në fshatin Dukat i Vjetër, Orikum, dyshohet se ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pylli, një pjesë kullote dhe bimësi të ndryshme", informoi sot policia.

Ora 12:00
Zjarr te nënstacioni elektrik i Lezhës, dyshohet i qëllimshëm

 

Një zjarr që dyshohet se u shkaktua nga pakujdesia ra mesditën e sotme në lagjen “Nëna Terezë” të qytetit të Lezhës. Flakët nisën në një zonë me mbeturina, por u përhapën me shpejtësi duke rrezikuar banesat.

Zjarri shpërtheu poshtë rrjetit elektrik, ç'ka kërkonte ndërhyrje të menjëhershme dhe me kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të mundshëm. 

Ekipet zjarrfikëse vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, duke mos përjashtuar edhe pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme. 

Ora 09:58
Zjarret në vend/ Mbrojtja: 3 vatra aktive! Vijon zjarri në 'Liqenin e Luleve' në Parkun Kombëtar të Lurës, është djegur 36 hektarë bimësi

1752133791_dukat.jpg

Foto: Zjarri në Dukat

Ministria e Mbrojtjes në lidhje me situatën e zjarreve në vend ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra, ku 3 prej tyre janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Dibër, Maliq, Korçë, Lezhë, Kurbin, Bulqizë, Malësi e Madhe, Prrenjas, Sarandë, Himarë, Poliçan, Kuçovë, Gjirokastër e Durrës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Orikum, bashkia Vlorë - Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse, 4 forca bashkiake, 4 forca nga Shërbimi Pyjor, të ndihmuar nga 20 forca ushtarake të FA.

Qarku Dibër -Vijon të jetë në monitorim vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Sipërfaqja e pëshkuar nga zjarri vlerësohet në rreth 18 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale, por pritet të vijnë në ndihmë rreth 25 persona në mbështetje të tyre.

Dibër - Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme për shuarjen e tij janë angazhuar 7 efektivë të MZSH Dibër dhe 5 forca të AdZM. Zjarri është aktiv brenda perimetrit të tij dhe po vazhdon me intensitet të ulët. Diten e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e plotë të tij", njofton Ministria e Mbrojtjes.

Në njoftim MM thekson se si pasojë e zjarreve në të gjithë vendin janë djegur 36 hektarë bimësi, ndërsa nënvizojnë se qytetarët duhen të kenë kujdes me vënien e zjarreve veçanërisht në afërsi të zonave pyjore.

"Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 36 hektarë bimësi. Ndërsa u dogjën edhe  2500 rrënjë ullinj të moshës mbi 10 vjeçare, në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan. Policia e Shtetit ka ndaluar një shtetas, i cili është shoqëruar në komisariat, pasi dyshohet autori i ngjarjes.

Po ashtu janë djegur edhe rreth 30 rrënjë dru frutorë si, ullinj, kumbulla, fiq dhe hardhi pranë spitalit Kuçovë, në lagjen “11 Shkurti”, bashkia Kuçovë . Shkaku i zjarrit është nga këputja e telave elektrik të tënisonit të ulët.

Në operacionet  për shuarjen e zjarreve u angazhuan 28 automjete zjarrfikëse dhe 237 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 40 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile , sot priten reshje të dobëta shiu në qarqet: Shkodër, Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa i përket zjarreve, pritet nivel “I LARTË” rreziku në qarqet Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel rrezik “I ULËT” në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Thirrje për qytetarët, që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në natyrë, të denonconi menjëherë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve dhe të bashkëpunoni me strukturat shtetërore", përfundon njoftimi.

Xh.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?