Adi Çoba është një personazh tërësisht i panjohur për drejtësinë shqiptare, por për herë të parë shfaqet në skenë pas operacionit Ura që goditi një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ai mbetet një figurë misterioze, por në dosjen e drejtësisë italiane për këtë operacion, të cilën Report Tv e disponon, Adi Çoba shfaqet si organizatori i rrjetit të trafikut të kokainës në Itali.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, Adi Çoba rezulton të jetë drejtuesi i organizatës i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.
Në dosjen italiane thuhet se Adi Çoba, "në cilësinë e kreut dhe promovuesit të grupit, merrte dhe dërgonte në Itali korrierë që sillnin sasi të mëdha heroine dhe kokainë, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda përmes veprimtarisë së paligjshme të anëtarëve të tjerë të grupit”.
Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zbardhur nga bisedat në SkyECC, por edhe nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Shumë pak flitet për Adi Çobën, një person që duket se qëndron në hije, por në fakt të gjitha të dhënat dhe dëshmitë në dosjen italiane e përshkruajnë si kokën e grupit, i cili në bashkëpunim me Visin e Pojës (Elvis Doçin) organizonin trafikun e sasive të mëdha të drogës.
Adi Çoba
Çoba shfaqet si organizatori kryesor i rrjetit dhe grupin e drejtonte nga Durrësi, ndërsa më pas në rol futej edhe Visi i Pojës, i cili sigurohej që trafiku i drogës të kryhej me sukses drejt Italisë. Në dosjen italiane rendit një rast kur vetë Çoba është përfshirë në trafikun e kokainës në janar 2022 ku nga Shqipëria u dërguan drejt Italisë 24.850 kilogramë heroinë, nga të cilat rreth 12 kg ishin të papërpunuara dhe pjesa tjetër e ndarë në 24 pako të gatshme për t’u shitur. Heroina u prit në Itali nga Agron Ganaj, i cili e përpunoi dhe paketoi një pjesë të saj në një banesë në Noicattaro në Bari, ndërsa më pas tentoi ta shpërndajë në treg. Lënda narkotike u kap nga autoritetet italiane më 10 janar 2022.
Adi Çoba është 34 vjeç, lindur më 07.08.1991 në Durrës. Por, anëtarët e grupit kriminal e njihnin ndryshe edhe si “Bazholi", "Bisha", "I shëndoshi", "Cigani". Të katër “nofkat” që përdorte Çoba shfaqen në dosjen italiane, të siguruar nga Report Tv. Për Çobën flet edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, sipas të cilit “Bazholi" ishte bashkëpunëtor i Mirit (Fatmir Troplini), djali i Xhevdet Troplinit.
Rrëfimi i plotë i Nuredin Dumanit për Adi Çobën
Dumani: “Po, e mbaj mend që e kam parë, po. Ndoshta jam duke gabuar.”
Hetuesi: E ke parë në ambientet kriminale?
Dumani: Për çdo person që them se e kam parë, do të thotë që është njohur në botën e krimit.
Hetuesi: E di me çfarë merrej?
Dumani: “Nuk jam i sigurt nëse mund të them diçka për të. Më vjen keq…”
Hetuesi: Në rregull. Vëre firmën. Të theksohet që fotografia me numrin përkatës i përket Çoba Adi, i quajtur Bazholi, bishë, dhjamxhi.
Dumani: “Tani, me emrin Bazholi po. Këtu është i njohur si Bazholi.”
Hetuesi: Ky është Bazholi?
Dumani: “Po. Tani po e kujtoj më qartë.”
Hetuesi: Çfarë të kujtohet për Bazholin?
Dumani: “Bazholi përmendej në bisedat që kam pasur me Miri.”
Hetuesi: Me kë?
Dumani: “Me Mirin.”
Hetuesi: Miri.
Dumani: “Me Fatmir Troplinin.”
Hetuesi: Miri është pseudonimi?
Dumani: “Miri është forma e shkurtër, një përkëdhelje e emrit Fatmir.”
Hetuesi: Kush është ai?
Dumani: “Miri ishte kontakti im me këtë grup. Ishim shumë miq.”
Hetuesi: Mik për çfarë?
Dumani: “Mik në aktivitetin kriminal që kishim.”
Hetuesi: Ishte i rëndësishëm Miri?
Dumani: “Shumë.”
Hetuesi: Kishte një grup kriminal?
Dumani: “Një grup shumë të madh.”
Hetuesi: Merrej me drogë?
Dumani: “Po. Më ofroi mundësinë për të futur mall nga Ekuadori në Itali, përveç Shqipërisë. Miri, po, po.”
Hetuesi: Flisje me Mirin për Bazholin?
Dumani: “Po. Miri më kishte treguar se po kërkonte një person për ta vrarë, një person nga Durrësi por që jetonte në Itali. Pseudonimi i tij ishte Çaponi.”
Hetuesi: E di se ku qëndronte në Itali?
Dumani: “Nuk dua të gaboj, ma ka treguar (Miri), por nuk e mbaj mend. Çaponi ishte mik i kundërshtarit të Mirit dhe ishte nga Durrësi. Kështu që më tregonte që Bazholi po e kërkonte, donte ta gjente, donte ta lokalizonte Çaponin.”
Hetuesi: Bazholi po e kërkonte?
Dumani: “Po, Bazholi po e kërkonte. Tha që Bazholi po përpiqej të lokalizonte Çaponin.”
Hetuesi: Pse?
Dumani: “Sepse donte ta vriste.”
Hetuesi: Pse donte ta vriste?
Dumani: “Sepse Çaponi ishte mik me armikun e Mirit, Pojën.”
Hetuesi: Pra, Bazholi ishte mik i Mirit?
Dumani: “Sipas Mirit, po.”
Hetuesi: Pra, po e kërkonte (Çaponin) për t’i bërë një nder Mirit?
Dumani: “Po.”
Hetuesi: A e di nëse Bazholi merrej me drogë?
Dumani: “Nuk jam shumë i informuar për këtë.”
Hetuesi: Nuk e di pse Bazholi e njihte Mirin?
Dumani: “Nuk mund të pyesnim shumë, përveç nëse ma thoshte vetë. Sepse përndryshe krijohej një opinion i keq për ty.”
Hetuesi: A e di nëse Bazholi kishte një chat (komunikim online)?
Dumani: “Është normale që kishte, përndryshe si do t’i merrte informacionet? Është logjike.”
Hetuesi: Pra, Bazholi kishte informacion për Çaponin përmes një chati?
Dumani: “Po.”
Hetuesi: Këto ngjarje mes Çaponit dhe Bazholit në çfarë periudhe kanë ndodhur?
Dumani: “Në 2022... jo, më falni, në 2021.”
Dumani: “Nuk e mbaj mend mirë, por në atë periudhë ishte në përdorim Sky (aplikacion komunikimi i koduar).”
Hetuesi: A komunikonte edhe Bazholi me Mirin përmes chat-it?
Dumani: “Është normale që po.”
Pjesë e grupit të Adi Çobës, ishin disa persona që merreshin me sigurimin e lëndëve narkotik e transportin deri në Itali, si dhe një grup tjetër që kontrollonte shitjet me pakicë, pasi kokaina ndahej në doza të gatshme për t’u hedhur në treg. Nga hetimet e palës italiane, Adi Çoba, rezulton se i sillte në Shqipëri, paratë që grumbullonte nga trafiku i kokainës.
Pjesë nga dosja italiane ku Dumani flet për Adi Çobën
Komente
