Pas fluturimeve me dronë mbi aeroportin e Kopenhagenit, Danimarka ka ngritur alarmin për një kërcënim të lartë sabotimi. Shefi i Inteligjencës në vend, Flemming Drejer tha se situata është shumë serioze dhe se autoritetet po shqyrtojnë "të gjitha mundësitë", përfshirë ndërhyrjen ruse.
Një qëndrim i tillë u përforcua edhe nga kryeministrja Mette Frederiksen, e cila në një konferencë për mediat, tha se incidentet me dronë rusë në Poloni, Rumani dhe Estoni të çojnë në dyshimin se gisht mund të ketë Rusia, por kjo e fundit ka mohuar duke thënë se "çdo herë, dëgjojmë akuza të pabaza".
"Nuk mund ta përjashtoj në asnjë mënyrë që të jetë Rusia. Pamë dronë që fluturonin mbi Poloni, edhe pse nuk duhet të ishin atje. Pamë aktivitet në Rumani. Pamë shkelje të hapësirës ajrore të Estonisë. Pamë sulme hakerash në aeroportet evropiane gjatë fundjavës. Tani, ka pasur dronë në Danimarkë, dhe me sa duket edhe në Oslo dhe Norvegji", tha Frederiksen.
Forcat e Armatosura daneze thanë se po i ofrojnë mbështetje policisë së Kopenhagenit me "aftësi të konsiderueshme" në hetimin e tyre. "Mesazhi im për publikun është se autoritetet po hetojnë plotësisht dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur për të sqaruar se çfarë ka ndodhur", tha drejtoresha e Policisë, Anne Tonnes, duke theksuar se "situata është serioze dhe për këtë arsye po e trajtojmë me kujdesin më të madh".
Aeroporti i Kopenhagenit ndërpreu operacionet nga ora 20:26 deri në 00:40 për shkak të pranisë së dy apo tre dronëve të mëdhenj pranë pistave të ngritjes dhe uljes. U anuluan dhe devijuan dhjetëra fluturime ndërsa aktiviteti rifilloi gjatë mesnatës. Një dron u pikas gjithashtu edhe në aeroportin e Oslos në Norvegji.
Lajm ne perditesim...
"Rusia nuk dëshiron të përshkallëzojë më tej tensionet në Evropë." Kështu deklaroi Ambasada Ruse në Danimarkë në një koment të botuar nga transmetuesi danez DR, pas fluturimit me dron mbi aeroportin e Kopenhagenit, duke përsëritur qëndrimin e Kremlinit se dyshimet kundër Moskës janë "të pabaza".
"Incidenti në aeroportin e Kopenhagenit zbulon një dëshirë të qartë për të provokuar vendet e NATO-s, duke i shtyrë ato në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë: kontributi në këtë është i papranueshëm", shkroi Ambasada ruse, duke vënë në dukje se tensionet e reja "mund të kenë pasoja të paparashikueshme".
Për praninë e dronëve që u pikasën në aeroportin e Kopenhagen në Danimarkë, ka reaguar edhe BE. Sipas zëdhënëses Anitta Hipper, prania e këtyre dronëve në Kopenhagen është një "model" i ngjashëm me ato që janë parë në Poloni e Rumani, duke hedhur akuza se pas qëndron Rusia.
"Kemi parë një model të qartë dhe kjo tregon Rusinë", tha Hipper, duke sqaruar me tej se megjithatë, hetimet janë duke vazhduar dhe po priten rezultatet.
"Rusia po teston kufijtë tanë", theksoi ajo, duke kujtuar incidentet e fundit në vendet e tjera.
Moska ka pohuar se nuk ishte e përfshirë në fluturimet e dronëve mbi Aeroportin e Kopenhagenit, të cilat ndërprenë trafikun ajror për katër orë gjatë natës.
"Çdo herë, dëgjojmë akuza të pabaza", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.
