Nisma ‘Shqipëria Bëhet’ ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar nga efektivi i Policisë së Dibrës, Ardian Isufi, ndaj një kamerieri 18-vjeçar në një hotel në Vlorë, së bashku me mikun e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, nisma ‘Shqipëria Bëhet’ thotë se kjo ngjarje tregon dështimin institucional dhe kërkohet ndëshkimin penal për të gjithë autorët e dhunës.
‘Ngjarja tronditëse e ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një drejtues policie, i shoqëruar nga një person me probleme me ligjin, ushtrojnë dhunë brutale ndaj një kamarieri të mitur, është shuplaka më e rëndë që merr çdo qytetar që ende ka iluzionin se ky shtet e mbron të pafajshmin. Është një pasqyrë e qartë e dështimit institucional dhe mosndëshkueshmërisë së kultivuar ndër vite në radhët e shtetit shqiptar. Është një akt dhune, që rrjedh nga një sistem që ka lejuar degradimin e figurës së drejtuesve me uniformë në një simbol frike, jo mbrojtje e shërbimi', thuhet në reagim.
Sipas nismës ‘Shqipëria Bëhet’ duhet reformim i thellë në polici.
'Drejtues policie që shoqërohen me elementë kriminalë dhe që përdorin uniformën për t'i shërbyer interesave personale, janë pasqyrë e realitetit që prodhon ky sistem i kalbur. Ai fëmijë, sepse po, është vetëm një fëmijë, ishte në vendin e tij të punës, duke përballuar me ndershmëri jetesën në një shoqëri që promovon pandershmërinë dhe keqpërdorimin e funksioneve shtetërore. Në këtë ngjarje nuk kemi të bëjmë me një incident. Kemi të bëjmë me bashkëpunim të hapur mes policisë dhe krimit. Kemi të bëjmë me shtet të rrënuar moralisht, që nuk ka më as kufij midis rendit dhe rrënimit. Kemi të bëjmë me një shtet që në vend që të mbrojë, të dhunon sistematikisht. Ne si Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, kërkojmë me forcë: Ndëshkim penal të menjëhershëm për të gjithë autorët e dhunës dhe shkarkim të menjëhershëm të efektivit të policisë. Është qartësisht e dukshme tashmë se nevojitet një reformim i thellë institucional në Polici. Ky institucion duhet të ndahet nga varësia politike, e cila i shpërblen me poste më të 'devotshmit' e vet në radhët e uniformave blu’, tha ai.
Lajmi kryesor:
Efektivi dhunoi kamerierin, Rama: Të përjashtohet nga Policia! Zyrtarëve s’do tu tolerohen shkeljet që cenojnë komunitetin apo qytetarin
S.B/ReportTv.al
