Mikel Arteta është i bindur se Gianluigi Donnarumma ishte ai që vendosi ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve midis Arsenalit dhe PSG-së. Trajneri i anglezëve foli pas eliminimit të të tijve nga gjysmëfinalja e Champions (3-1 në total), ndërkohë që ishte PSG që siguroi një biletë kundër Interit më 31 maj në finalen e madhe.
Mikel Arteta dhe Arsenal u eliminuan në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, por trajneri i vlerësoi lojtarët e tij për performancën në fushë. Ai është i bindur se, duke pasur parasysh performancën, ata e merituan të arrinin në ndeshjen finale kundër Interit.
"Urime PSG-së për arritjen në finale. Nëse shikoni se kush ishte lojtari i tyre më i mirë në këto dy ndeshje, ishte portieri. Ai bëri diferencën. Por ne ishim afër, më afër sesa tregon rezultati. Jam krenar për lojtarët, ata luajtën shkëlqyeshëm.
Pas 20 minutash duhet të kishte qenë 3-0 për ne, por nuk ndodhi. Në Ligën e Kampionëve ke nevojë për diçka më shumë, ne nuk e kishim atë. Duhet të zbulojmë se çfarë na mungon për të fituar titullin evropian. Por nuk varej vetëm nga ne. Nuk mendoj se kishte një ekip më të mirë se ne në këtë garë, por u eliminuam. Në Ligën e Kampionëve, janë portierët dhe golashënuesit që vendosin", tha trajneri spanjoll pas ndeshjes.
Bashkatdhetari, miku dhe rivali i tij i djeshëm, Luis Enrique nuk ishte dakord me vlerësimet e Artetës.
Komente
