Gjyqtari Balliu, kryeministri Rama, godina e konfiskuar dhe vendimi i gjykatës

Politikë

Ekskluzive/ Historia e godinës së konfiskuar, në 3 vite, institucionet nxjerrin akte të ndryshme! Zbardhet vendimi i gjykatësit Balliut që bllokoi vendosjen e Kadastrës

23 Gusht, 07:47| Përditesimi: 23 Gusht, 15:33

  • Share

Godina në Tiranë e konfiskuar nga autoritetet në vitin 2022, për shkak të tejkalimit të lejes së ndërtimit, e cila ishte në qendër të sulmeve të kryeministrit Edi Rama, ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative, Hazbi Balliu, ka një histori të gjatë kalvari me institucionet shqiptare.

Ndërtesa i përket dy vëllezërve Thanas dhe Robert Biqiku, sipërmarrja e të cilëve, nuk lidhet me ndërtimet, por më së shumti me botën e gastronomisë. Ata zotërojnë një nga restorantet e para me emër për prodhimet e detit, Restorant Fiore, fillimisht i hapur në Kavajë, e më pas me të njëjtin emër dhe në kryeqytet.

Vendimi i gjyqtarit që çoi në bllokimin e procedurave për transferimin në mjediset e saj, të Agjencisë së Kadastrës, të cilin Shqiptarja.com e ka lexuar, tregon për një seri aktesh, që ndryshojnë nga një institucion në tjetrin. Ato nisin me konfiskimin, vijojnë me vendimin për prishjen e pjesës pa leje, pastaj me ofertën që shoqëria ta blejë shtesën pa leje, dhe tërheqjen beftas nga kjo ofertë, duke lënë gjithçka pezull për dy vjet, deri në verën e këtij viti, kur me vendim qeverie kërkohet që në godinë të transferohet Agjencia e Kadastrës.

Historia e godinës që do bëhej hotel

Më datë 07.07.2020 me vendim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, shoqërisë “RT Max sh.p.k.” i është miratuar leja e ndërtimit për ndërtimin e një objekti me destinacion “Hotel 6 kate, me 2 kate nëntokë”, në rrugën “Qamil Guranjaku” në Tiranë.

Në shtator të vitit 2022, qeveria miraton një vendim të posaçëm që synon t’i përgjigjet ashpër ndërtimeve pa leje, për qëllime fitimi, duke parashikuar konfiskimin. Vetëm 21 ditë më pas, më 28 shtator, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, ushtron kontroll dhe konstaton një shtesë në volum ndërtimi në masën 559 m², në tejkalim të sipërfaqes së miratuar me leje ndërtimi. Pak ditë më vonë urdhëron pezullimin e punimeve.

Sipas akteve gjyqësore, rezulton se shoqëria “RT Max sh.p.k.” kishte aplikuar ndërkohë për legalizimin e kësaj shtese pa leje, por kërkesa ishte refuzuar me një vendim që mban datën 07.10.2022.

Disa ditë më pas, më 19 tetor, Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur konfiskimin e godinës. Sipas ligjit, konfiskimi realizohet kur ndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volumi anësor, që tejkalon masën 10 përqind të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë.

Sipas VKM së miratuar në shtator, “procedura e konfiskimit për interes publik sipas këtij vendimi fillon me propozimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT)”. Vendimi përcakton se propozimi duhet të shoqërohet ndër të tjera dhe me një seri dokumentesh, mes të cilëve “aktin e ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit, ku të përcaktohet se për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij”.

Çuditërisht, po IKMT, pas më shumë se 3 muajsh nga vendimi i konfiskimit, i propozuar prej tij, më 26 janar 2023 e ka gjobitur subjektin ndërtues me 19.495.000 lekë, dhe ka vendosur prishjen e objektit të kundërligjshëm.

Por 5 ditë më pas, një tjetër institucion, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e pyet shoqërinë nëse është e interesuar ta blejë pjesën e ndërtimit pa leje, atë për të cilën IKMT kishte vendosur prishjen. Në bazë të VKM-së për ndërtimet pa leje, Ministria, ka njoftuar shoqërinë ndërtuese për të hyrë në marrëdhënie juridike me shtetin, që të mund të përfitonte nga e drejta e parablerjes së sipërfaqes ndërtimore pa leje prej 559m². Shoqëria shpreh menjëherë interesin për t’a blerë, më 7 shkurt 2023.

Vetëm pas 6 muajsh më 12 qershor 2023 Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka konfirmuar pranimin e interesit të shoqërisë kërkuese duke e njoftuar se vlera e çmimit të shitjes do të jetë 53.492.670 lekë, (afërsisht 900 euro për metër katror) dhe duke i kërkuar që brenda 10 ditëve të kryejë pagesën e shumës 10% të çmimit të blerjes si garanci për nënshkrimin e kontratës. Shoqëria e kryen pagesën brenda ditës. Por 24 orë më pas, Ministria e Financave ndërron mendje dhe shoqërisë i komunikohet pezullimi i procesit të blerjes dhe se do të njoftohej për zhvillimet në vijim të kësaj procedure.

 “Sipas akteve në dosje nuk rezulton që ky proces administrativ të jetë përfunduar me ndonjë akt përfundimtar dhe t’i jetë njoftuar kërkuesit, madje nuk rezulton që t’i jetë kthyer as pagesa prej 5 349 267 lekë që është 10% të çmimit të blerjes si garanci për nënshkrimin e kontratës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Për dy vjet me radhë asgjë nuk lëviz. Shoqërisë “RT Max sh.p.k.” nuk i komunikohet asnjë veprim nga autoritetet. Por më 18 qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendos “përcaktimin e njësisë zbatuese nga Ministria e Ekonomisë dhe Entit të autorizuar, për të kryer veprime për të përshtatur dhe përfunduar objektin e konfiskuar, në funksion të përdorimit të tij nga Agjencia Shtetërore të Kadastrës. Caktimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës si përfituese e objektit të konfiskuar”. Për këtë vendim duhet të kalojë më shumë se një muaj që pala kërkuese “të informohet në mënyrë jo zyrtare”, në datën 28.07.2025. Ndërsa tre ditë më pas “me VKM nr.474 datë 31.07.2025 është vendosur kalimi në përgjegjësi administrimi të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të objektit konfiskuar”.

Qëndrimet e palëve në gjykatë

Shoqëria ndërtuese “RT Max sh.p.k.” thotë se bëri kërkesë për sigurim padie, pasi vendimin për kalimin e godinës për përdorim nga Kadastra e mësoi në mënyrë të “rastësishme”. Ata thonë se vlera e investimit është rreth 5 milionë euro dhe pretendojnë se nëse godina do i kalojë Kadastrës do e humbë funksionalitetin dhe qëllimin për të cilin është ndërtuar.

Në kërkesën për masën e sigurimit të padisë, kompania ka kërkuar edhe ndalimin e përdorimit apo tjetërsimit të objektit. “deri në zgjidhjen e çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Shqetësimi i saj lidhet me sjelljen e autoriteteve në raport me të “që shfaqet në mosvijimin e procedurave te parablerjes dhe kryerjen e veprimeve për tjetërsimin e pasurisë, fshehurazi”, thotë shoqëria. Veprime që nuk i kanë lejuar asaj që ta atakojë që më parë rastin, në rrugë gjyqësore.

Dhe në fakt, institucionet shtetërore të përfshira në proces, nga Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, te Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Avokatura e Shtetit e deri te Ministria e Ekonomisë, i kanë mëshuar pikërisht këtij elementi, që ndaj vendimit të vitit 2022 për konfiskim, nuk ka patur ankim gjyqësor, dhe tashmë pronar është shteti. “Kemi një vendimmarrje, vendimin nr.4, datë 19.10.2022, i cili është i ende në fuqi, (nuk rezulton të ketë ankimgjyqësor kundër këtij vendimi), i cili ka vendosur konfiskimin e objektit të ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit, ku si rrjedhojë e tij prona ka kaluar në favor të shtetit dhe përgjegjës për administrimin e kësaj prone me qëllim përdorimin për interes publik apo shërbim social tashmë është shteti”.

Argumenti tjetër i përdorur nga institucionet shtetërore është gjendja e rrënuar e mjediseve ku vepron aktualisht Agjencia e Kadastrës, ku “qëndrimi i mëtejshëm në godinën e vjetër/aktuale, përbën gjithnjë e më tepër një burim rreziku për jetën dhe shëndetin e punonjësve të ASHK-së”, pretendon ASHK.

Arsyetimi i Gjykatës

Lidhur me situatën në zyrat e Agjencisë së Kadastrës, gjyqtari Balliu vë në dukje se ky institucion “funksionuar, pas vitit 2021, për 4 vite rresht në të njëjtën godinë” dhe se sipas tij “nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.

Nga ana tjetër i vëren se “palët e treta nuk paraqiten prova se objekti i konfiskuar i kërkuesit është i vetmi objekt në dispozicion ku ASHK duhet të akomodohet” dhe se “mund të ketë edhe objekte të tjera të konfiskuara në të cilat ASHK mund të sistemohet”. Po ashtu, sipas tij “palët e treta nuk provuan se shteti nuk ka në dispozicion as objekte të tjera në pronësi të tij, përveç objektit të konfiskuar të kërkuesit, në të cilat ASHK mund të sistemohet qoftë edhe provizorisht”.

Ndërsa sa i takon situatës juridike lidhur me godinën, gjykatësi ka vërejtur se proceset e nisura më herët mes autoriteteve dhe shoqërisë nuk janë përmbyllur. “Subjekti është përfshirë në një proces administrativ të iniciuar në vitin 2023 nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë për blerjen e kësaj sipërfaqeje, sipas VKM nr. 589, datë 07.09.2022, përpara krijimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, proces i cili ende nuk është përfunduar”.

Po ashtu vihet në dukje dhe fakti se “palës kërkuese nuk i është komunikuar zyrtarisht vendimi nr. 6, datë 18.06.2025 i Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, për të cilin ajo pretendon se është vënë në dijeni në mënyrë jozyrtare më datë 28.07.2025”.

(Klikoni linkun për të lexuar dokumentin e plotë)

 

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Armand: 23/08/2025 12:43

    Me çfar lexova gjygjetari ka dhene vendim te drejte, sepse z.km thoshte qe eshte ndertim krejt pa leje. Por me sa duket km i paraprine masakres me prishjen e tendave qe kane leje, por dhe kta kerkojne demin e shkaktuar. Keshtu qe bjeri gjygjtarit qe te mbuloj bemat e tija.

    Përgjigju
  • Aldo: 23/08/2025 11:49

    Pazare te forta bon drejtsia e re qenkemi qa kot perpara

    Përgjigju
  • Lomi: 23/08/2025 11:15

    Ato qe kane lene te punojne punonjesit ne godina te amortizuara jane per burg

    Përgjigju
  • Vlora: 23/08/2025 09:58

    Llum ndertuesi qe nderton 500 e kusur metra pa leje e llum institucionet qe lejojne ndertime kucedra te paligjshme ne driten e diellit e jo vetem por pastaj propozojne shitjen e ketyre siperfaqeve e llum gjyqesori me argumentin. Perfundimisht jemi nje vend i mjere e me njerez te babezitur! Mizerje totale, ku vidhet e poshterohet ligji prej 30 vitesh e akoma nuk mjaftohen. Mos u ngopshi kurre o te mjere qe skeni meshire per kete vend.

    Përgjigju
  • Dakord: 23/08/2025 09:01

    Dmth qeveria sulmon privatin duke shkelur ligjin dhe shteti i thotë qeverisë ndal. Bravo gjyqtari dinjitoz!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?