Një telefonatë ka mbërritur, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tashmë ka ezauruar gjithçka për sa i përket ndërhyrjes nga toka dhe helikopteri i Forcave Ajrore do të niset në drejtim të Delvinës për shuarjen e zjarrit. Ky helikopter “Cougar” po bëhet gati në këto momente për t'u nisur. Do të jemi gjithë ditën bashkë për të parë se çfarë ndodh. Një punë voluminoze e forcave ajrore për të kryer ndërhyrjen nga ajri.
Të parët që nisin punën janë specialistët teknikë të helikopterit, të cilët duhet të kontrollojnë çdo gjë në detaje, që në ajër fluturuesi të jetë i sigurt.
“Mjeti u përgatit nga ana e specialistëve që kemi ne, teknikët e bordit, të cilët duhen falënderuar para të gjithë të tjerëve për një mision të cilin e realizojmë. Ata janë, syri, veshi, gjithçka, dhe ata në një farë mënyre janë kontributorët e padukshëm ndoshta në këto lloj misionesh”, tregon Bedri Kaloshi, pilot i Forcës Ajrore.
Pasi nxirren nga hangari, helikopterët “Cougar” duhet të mbushen me karburant.
Specialistët instalojnë kovën me kapacitet maksimal 3 tonë, e cila do të ndihmojë në shuarjen e zjarrit që ka përpirë Delvinën në disa fshatra.
Teksa ekipet bëhen gati të nisën drejt jugut të Shqipëri, në pistën e Farkës zbret një helikopter hungarez i cili kthehet nga një tjetër vatër e rrezikshme në Veri të vendit, pranë Kombëtar të Lurës.
Misioni pritet të jetë i vështirë dhe i largët. Nisja bëhet pa vonesë. Sa më parë te vatra e zjarrit aq më mirë. Udhëtimi nga Farka në Delvinë, për shkak të kovës jashtë helikopterit dhe presionit të ajrit, zgjat më shumë se zakonisht. Pas rreth 55 minutash fluturim, shtëllungat e tymit shfaqen në kodrat pranë fshatrave Senicë, Vergo dhe Fushë Vërri.
“Pasi konstatuam vendin në të cilin kishte rënë zjarri, bëmë një rikonicion që ne na nevojitet për të kuptuar se në cilin drejtim do t'i shkojmë zjarrit. Që ajo punë që ne bëjmë të jetë sa më efektive dhe të ketë një rezultat të kënaqshëm” thotë piloti.
Për fat të mirë, rreth 3 kilometër larg vatrës së zjarrit ndodhet një rezervuar i vogël, i cili do të ndihmojë 2 helikopterët “Cougar” të mbushim kovën me ujë.
“Përcaktuam edhe pozicionin nga cili rezervuar do merrnim ujin dhe mënyra se si do t'i shkonim pra këtij zjarri”, sqaron Bedri Kaloshi, pilot i Forcës Ajrore:.
Specialistit të Forcave Ajrore, Marin Beqiri, i duhet të tregohet i vëmendshëm teksa me derën hapur të helikopterit me një pult në dorë të sigurohet që kova 3 tonëshe të mbushet me ujë. Koordinon gjithçka që vendi ku iji do të zbrazet të jetë sa më efektiv në shuarjen e zjarrit.
Temperatura mbi rezervuar në momentin e mbushjes së kovës arrinin 40-42°. Kjo zvogëlonin performancën e helikopterit për sasinë e ujit, ndikuar edhe nga era.
“Rrymat e ajrit të krijojnë disa vështirësi në afërsi të zonave të zjarrit. Besoj që dhe ju i disa lëvizje në helikopter të cilat nuk ishin të këndshme”, thotë Kaloshi.
Helikopteri nuk mund të fluturojë direkt mbi vatrën e zjarrit. Që lëshimi i ujit të funksionojë, kova duhet të afrohet anash vatrës. Pilotit i duhet ta ulë helikopterin sa më shumë të ketë mundësi, pasi lëshimi i ujit në lartësi të madhe do të ishte si disa pika të vogla shiu mbi një intensitetit të lartë flakësh.
Dy helikopterët “Cougar” të nisur nga Tirana, janë në koordinim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin deri në përfundim të misionit. Komunikimi mes pilotëve është jetik për sigurinë e të dyve dhe për rezultatet e fikjes. Njëri mbush ujë, teksa tjetri ka shkuar për ta hedhur mbi zjarr.
Pas më shumë se 1 orë pa ndërprerje të lëshimit të ujit, misioni është drejt fundit. Helikopterët duhet të kthehen sërish në bazë. Në kthim, një ndalesë e shkurtër bëhet në Bazën Ajrore të Kuçovës. Aty pilotët lënë kovat e ujit, për të cilat do të rikthehen sërish po brenda ditës për të vijuar betejën me zjarret.
Pas një udhëtimi prej tre orësh, helikopteri “Cougar” i Forcave Ajrore zbarkon në bazën ajrore të Farkës, pas një beteje me flakët në zonën e Delvinës, në betejë me natyrën, në betejë me dorën njerëzore, e cila pa diskutim ka ndikuar përgjatë gjithë këtyre javëve që helikopterët të jenë të pranishëm për të ndihmuar në fikjen e flakëve.
Piloti Bedri Kaloshi, i cili na mirëpriti në bordin e tij, me karrierë më shumë se 20-vjeçare në Forcat Ajrore, na veçon disa nga vështirësitë e kësaj vere të nxehetë në betejën me zjarret.
“Ka qenë rajoni i Dukatit në qafë të Llogorasë, krahu i majtë i saj. Aty ishte një lartësi rreth 1500 metra që do operonim dhe marrja e ujit ishte që do zbrisje deri në Pasha Liman për të marrë nga deti dhe natyrshëm terreni ishte aq i vështirë për t'ju afruar dhe në kushtet e erës, dhe them që aty ishim të sfiduar nga ai terreni”, tregon ai.
Vatrat në malet e Lurës ishin një tjetër sfidë e madhe.
“U pamë vetë të sfiduar në malet e Lurës, në disa bjeshkë të larta. Zjarri kishte një konfiguracion të tillë dhe një përhapje të tillë që ishte shumë e vështirë t'i afroheshe dhe aty domethënë edhe ndjejmë keqardhje se një pjesë e atij terreni ishin disa pisha që na vinte keq që ne po thuajse e shikonim veten të pafuqishëm për të kontribuar ashtu siç dëshironim” thotë piloti.
Në misione thotë se ekipet ndihen të vetëm. Do donte të kishin në krah edhe kontributin sado modest të vetë qytetarëve.
“Do kisha dëshirë domethënë të shikonim një prezencë më të madhe të qytetarëve që ju kërcënohet prona e tyre. Ne jemi kontributorë për ta shpëtuar atë, po besoj që duhet të ketë një qasje më pozitive nga ata sepse na motivon më tepër që të angazhohemi”, apelon piloti.
Vështirësitë e një dite të gjatë mes flakëve e rrezikut për jetën, e marrin shpërblimin në mbrëmje.
“Kur babai kthehet në shtëpi është diçka që realisht ndihem mirë sepse e shoh në një farë mënyre edhe gëzimin në sytë e tyre”, përfundon Bedri Kaloshi, pilot i Forcës Ajrore.
Komente
