Dorian Bajrami është një nga 25 mijë shqiptarët e Gjermanisë që u regjistruan në KQZ për të votuar përmes postës.
Ai tashmë ka marrë zarfin zgjedhor dhe do të plotësojë së shpejti për ta kthyer në atdhe.
Në një rrëfim për Report TV, Doriani tregon se si kompania postare e kontaktoi përmes një mesazhi në telefon, për ta njoftuar se kur do të trokiste në shtëpinë e tij.
“Më dërguan mesazh se kur do të vinin. Erdhën dhe nuk më gjetën në shtëpi sepse isha në punë. Më kishin dërguar adresën e degës së DHL ku mund të shkoja të tërhiqja zarfin. Shkova atje, ju tregova mesazhin, por më kërkuan mjet identifikimi për të ma dhënë, pastaj e mora”, tregon Doriani.
Doriani, që është një votues i qarkut Elbasan, tregon se e ka mjaft të qartë procedurën si duhet të votojë dhe është i emocionuar që vendos vetë për fatin e vendit të tij.
“Është një zarf i parapaguar. Është emocion i madh të votosh nga emigracioni. Do ta plotësoj fletën e votimit dhe do ta fus në zarfin A, pastaj në zarfin B, dhe pastaj në zarfin plastik të kthimit”, thotë emigranti.
Edhe pse votuesit në diasporë nuk kanë nevojë të dalin nga shtëpia, por mund t’i kërkojnë korrierit të vijë ta tërheqë zarfin, Doriani do të veprojë ndryshe.
“Do tu sugjerojë të gjithëve të fitojnë kohë. Ne këtu në Gjermani kemi në çdo lagje degë të kësaj poste. Ta dorëzojë atje se është më shkurt se sa të telefonojnë korrierin dhe të humbasin kohë për të lënë një takim”, tregon ai.
Në fakt, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë të pranueshme të dyja variantet, si nëse kërkon korrierin të vijë në shtëpi të marrë zarfin me votën brenda, si dhe kur e dorëzon personalisht në postë.
“Zoti u ruajt të gjithë shqiptarët në emigracion”, thotë ai i emocionuar.
Komente

Qenka eksituar keq ky
Përgjigju