Vrasja në burgun e Peqinit, nën akuzë edhe Indrit Shaqja! Dyshohet se bashkëpunoi me Mjacajn në krim! Katër ditë pas ngjarjes iu gjet telefon në qeli

20 Dhjetor 2023, 09:43| Përditesimi: 20 Dhjetor 2023, 13:52

  • Share

TIRANË- Shoku i qelisë së Arben Lleshit, të dënuarit për vrasje që u ekzekutua nga Sokol Mjacaj më 15 dhjetor në burgun e Peqinit, akuzohet nga Prokuroria e Elbasanit si pjesëmarrës në ngjarje. Prokuroria ka ngritur akuzë për të dënuarin e dytë Indrit Shaqja, me dyshimet se është përfshirë në krim, bashkë me të dënuarin përjetë Sokol Mjacaj, autori direkt i ekzekutimit të dyshuar si hakmarrje brenda qelive.

Burime nga organi akuzës konfirmuan për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi, se ka dyshime se Indrit Shaqja që mbeti i plagosur edhe vetë nga të shtënat me armë zjarri në Burg, ka bashkëpunuar me autorin me të cilin ka qenë në të njëjtin burg kohë më parë para se të transferohej në Peqin. Për këtë arsye, Prokuroria kërkon në gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest në burg për të dënuarin përjetë Indrit Shaqja, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Arben Lleshit teksa po verifikohen rrethanat e implikimit të tij.

Kontrolli në qelinë ku mbaheshin Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja, katër ditë pas vrasjes, ka zbuluar një celular që mbahej fshehurazi. Në datën 19 dhjetor 2023 është rikqyrur vendi i ngjarjes, vendi ku është vrarë i dënuari Arben Lleshi, në dhomën e të dënuarit Indrit Shaqja në burgun e Peqinit.

Nga këqyrja e imtësishme në një arke druri, është sekuestruar një telefon celular që i përket të dënuarit Indrit Shaqja. Gjatë pyetjes së tij ai ka pranuar pronësinë e sendit telefon celular dhe në këto rrethana është marrë ndaj tij masa e re e arrestit nga policia gjyqësore e Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve.

Në dosjen e prokurorisë për ngjarjen, thuhet se Indrit Shaqja lajmëroi Lleshin se po e kërkonin tek dritarja e qelisë kur Mjacaj qëlloi ndaj tij me armë. Ndërkohë policët e burgut kanë dëshmuar se Shaqja e ka ndjekur Mjacajn deri në korridor pas vrasjes duke i thënë pse më vrave shokun.

Në dëshminë e tij pas ngjarjes, Indrit Shaqja s’ka pranuar se ka pasur oferta anonime për të ndihmuar vrasjen e Arben Lleshit me të cilin qëndronte në qeli. Sipas tij, gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur letra të shkruara me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje se do të paguhej 200 mijë euro, do t’i sigurohej dhe helmi që do t’i hidhte Arben Lleshit, dhe i kërkohej që nëse ishte dakord në të dyja rastet të kthente përgjigje me letër.

Indrit Shaqja ka pretenduar se nuk u bë pjesë e planit por ia tregoi letrat Arben Lleshit. Po kështu, sipas Shaqes, një person anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma duke i thënë se për kokën e tij po paguajnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro për t’i vrarë. Xheladin Kruja është dënuar me 16 vite e 8 muaj burg për vrasjen e dy vëllezërve Eliton dhe Enton Grezda, 20 dhe 18 vjeç në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër më 3 maj të vitit 2001. Ndërsa vuante dënimin në burgun e Shën Kollit, më 3 qershor 2021 Kruja tentoi të vrasë ish- kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja, të cilin e goditi në qafë me një tub të modifikuar si thikë.

Ora 10:29
Vrasja në burgun e Peqinit, katër ditë pas ngjarjes Indrit Shaqjes iu gjet telefon në qeli, pranoi se ishte i tij

1702722574_indritshaqja.PNG

Katër ditë pas vrasjes së Arben Lleshit në burgun e Peqinit, shokut të dhomës, Indrit Shaqja i është gjetur një telefon. Vrasja ka ndodhur më 15 dhjetor, dhe më pas në datë 19 dhjetor është rikëqyrur sërish vendi i ngjarjes dhe Report Tv mëson se në qeli është gjetur një arkë druri brenda së cilës kishte një telefon celular që i përkiste Indrit Shaqjes.

Celulari është sekuestruar, ndërsa Shaqja ka pranuar pronësinë e tij. Shaqja dyshohet se ka bashkëpunuar me Sokol Mjacajn për vrasjen e Arben Lleshit. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gripi: 20/12/2023 13:19

    Prokurise nuk i duhet fare deshmia e ketij vrasesi serial nga dukagjini per te zbardhur te plote ngjarjen. Policia duhej ta ekzekutonte menjehere. Cdo denim apo mase tjeter izolimi eshte e pavlere tani. Ne kete menyre keto lloj ngjarjesh do te vazhdojne.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?