Drejtuesi i GJKKO, Erion Bani bëri homazhe në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, të vrarë brenda sallës së gjyqit në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Në një prononcim për mediat, ai tha se 99% të gjykatave nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë dhe që kjo të garantohet duhen ndërtuar godina të reja.
“Në 99% të gjykatave, nuk plotësohen kushtet e sigurisë. Asnjë gjykatë si plotëson kushtet e sigurisë pasi duhen ndërtuar nga filimi. Të kuptojmë se pa siguri të gjykatave nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit, pasi një gjyqtar nëse nuk është i qetë në marrjen e vendimit, nuk mund të jepet drejtësi. Kur flitet për sigurinë e gjykatave, nuk flitet vetëm për sigurinë e gjyqtarit, por është prokurori, avokat, i poandehuri, gazetari që merr pjesë në seancë, paditësi etj. Është moment reflektimi për të gjithë që nëse nuk ekziston siguria në gjykatë, edhe qytetari më i thjeshtë ndihet i rrezikuar me jetën e tij”, u shpreh Bani.
I pyetur se çfarë duhet bërë për të forcuar sigurinë në instituconet e sigurisë, Bani theksoi nevojën e godinave të reja. Bani tha se është në dijeni të kërkesave të vazhdueshme për godina të reja, ndërsa shtoi se në mbledhjen e nesërme të të gjithë gjyqtarëve të vendit, do të adresojnë problematikat.
"Së pari të gjitha gjykatat duhen ndërtuar nga e para. Dhe në dijeninë time, kërkesat kanë qenë të vazhdueshme për të pasur godina të reja. Ata që e kanë përgjegjësinë pëtr të siguruar godinat dhe financiamit, erdhi koha që nuk mund të lihen gjykatat në këtë situatë. Nesër do të ketë mbledhje të të gjithë gjyqtarëve dhe do të nxirren të gjitha analizat dhe do adresojmë problematikat në organet kompetente. Kushdo organ që se ka përmbushur detyrën do të merren masa të mëtejshme. Secili prej aktorëve, edhe gjykatat duhet të bëjnë detyrën e vet dhe më pas të kërkojnë llogari për të gjitha institucionet që se kanë përmvbushur detyrën e tyre.”, shtoi drejtuesi i GJKKO.
Një ditë më parë KLGJ akuzoi policinë se nuk ruan sallat e gjyqeve edhe pse sipas saj e ka detyrim, por është mjaftuar me një efektiv në hyrjen kryesore. I pyetur për këtë, Bani iu referua VKM-së së vitit 2010, sikurse KLGJ, teksa tha se në sallat e gjyqit duhet të ketë prezencë të policisë. Se pse nuk është respektuar një gjë e tillë, Bani tha se do ta adresojnë në mbledhjen e nesërme dhe do të kenë një reagim.
“KLGJ përcakton politikat e përgjithshme. Ato që i zbatojnë politikat janë organet e rendit që domethënë sipas kuadrit ligjor në fuqi, që të gjitha sallat e gjykimit, që nga 2010 e pas, aktet ligjore thonë se sallat e gjykimit duhet të kenë praninë e forcave të policisë që të garantohet siguria. Ky është fakt, arsyeja pse nuk janë përcaktuar, do t’i diskutojmë dhe do të ketë reagim nga ana e organeve që kanë kompetencë për të mbikëqyrur mënyrën e zbatimit të sigurisë në gjykata.”, shtoi Bani.
Pasi vrasjes së gjyqtarit, pati një reagim nga KLGJ se Policia e Shtetit nuk garanton sigurinë në sallat e gjyqeve edhe pse ia kishte kërkuar. Por, sipas një VKM të vitit 2020 del që roli i KLGJ është vendimtar për hartimin e politikave të sigurisë në gjykata. Në VKM thuhet se siguria garantohet nga punonjës të sigurisë, të cilët janë në varësi të gjykatave.
