Milani është jashtë Kupës së Italisë. Kuqezinjtë e Stefano Piolit humbën 1-2 në shtëpi kundër Atalantës, në ndeshjen çerekfinale të këtij eventi. Dueli në "San Siro" ishte me raste, gola, kartona dhe përmbysje, ndërsa paraqitje të mirë për Atalantën zhvilloi edhe Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares.
Ndeshja nisi keq për miqtë e Atalantës, që pas minutës së 38-të e panë veten pa trajnerin Gasperini, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në të 45 minutë ishte Leao që zhbllokoi ndeshjen, teksa avantazhi i Milanit zgjati vetëm dy minuta, pasi Koopmeiners i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes në ekuilibrin 1-1.
Në pjesën e dytë ishte sërish Koopmeiners që me dopietën e tij (penallti 59') i dha fitoren Atalantës. Në sekondat e fundit të duelit, Milani pretendoi për një penallti pas prekjes së topit me dorë në zonë, por kryesori Di Bello edhe pas ndërhyrjes së VAR mbylli ndeshjen duke e cilësuar gjithçka si të rregullt.
Kësisoj, Milani është jashtë Kupës së Italisë, jashtë Champions League dhe larg nga gara për titullin e Serie A. Në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, Atalanta do përballet me Fiorentinën, me ndeshjet që janë me sistemin vajtje-ardhje.
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ishte një nga pikat më të forta për Atalantën në fitoren 1-2 kundër Milanit. Bergamaskët kaluan në fazën gjymsëfinale të Kupës së Italisë, kjo pasi eliminuan kuqezinjtë. Me notën 7-të dhe më i miri në prapavijën e Atalantës ishte Berat Gjimshiti, që mori një vlerësim edhe nga mediet tej Adriatikut.
"Gjimshiti ishte një ‘mur’ i vërtetë mbrojtës, duke mbyllur hapësirat qendrore me ndërhyrje vendimtare dhe shpeshherë në limite. Sa i guximshëm po aq edhe efektiv. Kreu disa mbyllje dhe ndërhyrje të ndaluara për njerëzit me zemër të dobët, si ajo ndaj Leoas kur u nis furishëm drejt portës së Atalantës. Guximi dhe saktësia e tij ua bënë jetën të vështirë kundërshtarëve si Calabria dhe Jovic. Më pas i dha të njëjtin trajtim edhe Giroud kur u fut në fushë", thuhet në vlerësimin e medieve italiane.
Milani u mund 1-2 nga Atalanta dhe është jashtë Kupës së Italisë. Në çerekfinalen e këtij eventi, kuqezinjtë pretendojnë për një penallti të padhënë në fundin e ndeshjes. Një prekje e topit me dorë në zonë, kjo pas goditjes së lojtarit të Milanit, ka 'tërbuar' kuqezinjtë. VAR-i ndërhyri në këtë rast, ndërsa pas konfirmimit se gjithçka ishte e rregullt, kryesori Di Bello mbylli ndeshjen pasi gjithçka kishte mbaruar.