Politikë

Gongu ra! Fushata u mbyll, sot heshtje zgjedhore! Nesër 3,7 milionë shqiptarë i drejtohen kutive të votimit! Për herë të parë vendos edhe diaspora

10 Maj, 07:21| Përditesimi: 10 Maj, 16:46

  • Share

Gongu i fushatës elektorale ra mesnatën e djeshme (9 maj) dhe dita e sotme, e shtunë 10 maj, është heshtje zgjedhore.

11 subjekte apo koalicione politike garojnë për të fituar shumicën e 140 ulëseve në Parlament, në një formulë të re zgjedhore, me lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Të dielën e 11 majit, mbi 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës për Kuvendin e ri. Për herë të parë, voton edhe diaspora, me 245 935 emigrantë shqiptarë të regjistruar, po ku problematikat nuk kanë munguar në postimin apo kthimin e zarfave të emigrantëve, kryesisht në Greqi. Sot është edhe afati i fundit i dërgimit të tyre nga vendi fqinj. 

Nisja e procesit të votimit bëhet nesër (11 maj), ora 07:00 dhe qendrat mbyllen në orën 19:00. Sipas KQZ dhe Kodit Zgjedhor, ato qëndrojnë të hapura edhe përtej orarit vetëm në raste të fluksit të votuesve në qendrën e votimit dhe mbyllen vetëm pasi të ketë ushtruar të drejtën edhe zgjedhësi i fundit që ndodhet aty.

Mbrëmjen e djeshme partitë mbyllën fushatën elektorale, ku PS e finalizoi në Parkun Olimpik dhe PD-ADSHM në Bulevardin e Ri, të dyja në Tiranë.

Fushata u karakterizua përgjithësisht nga një klimë e qetë politike, një 'skenografi' ndryshe nga ajo e rasteve të mëparshme, ku krerët e partive të mëdha ishin përqendruar më shumë tek batutat politike, ironitë, rrjetet sociale, video-mesazhet e mbushura me sarkazëm dhe 'thumbime' ndaj kundërshtarëve, ku nuk munguan edhe videot e animuara me nota humori dhe 'shigjetime' të kundërshtarëve. Madje ato u përdorën edhe si motive për spote elektorale nga dy partitë e mëdha.

Kryesocialisti Edi Rama kërkon një mandat të katërt qeverisës, ndërsa opozita, e përbërë nga PD dhe aleatët e saj (mes tyre Partia e Lirisë), kërkon qeverisjen për 4 vitet e ardhshme. Për herë të parë, partitë e reja ‘kërcënojnë’ binomin PS-PD dhe kërkojnë vende në Kuvend.

Kreu i PL, Ilir Meta, kërkon mandatin e deputetit nga qelia e paraburgimit, ku qëndron prej arrestimit më 21 tetor 2024, me tre akuza nga SPAK dhe masë nga GJKKO.

KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në të gjitha qarqet për ngritjen e qendrave të votimit, të cilat tashmë janë caktuar. Gjithashtu partitë kanë caktuar komisionerët dhe vëzhguesit e tyre, teksa këto zgjedhje do monitorohen nga afër edhe prej misionit OSBE-ODIHR dhe faktorit ndërkombëtar.

Prokuroria ka ngritur edhe një Task-Forcë për hetimin e krimeve zgjedhore, ku deri tani janë depozituar mbi 50 denoncime. Ky grup përbëhet nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe KQZ.

Gjatë muajit të fushatës, PS e ka përqendruar fokusin te integrimi evropian. Kryesocialisti Edi Rama deklaron se vetëm me PS, rrugëtimi evropian do të bëhet i mundur. Nga ana tjetër, kreu i PD Berisha flet për ndryshim, ndërsa drejtuesit e partive të tjera të reja kërkojnë votën e shqiptarëve për të larguar klasën e vjetër politike. 

Gjatë fushatës nuk kanë munguar edhe incidentet episodike dhe akuzat për ndërhyrje, presione apo blerje vote nga subjektet politike të të gjitha krahëve, të cilat janë nën verifikim të Task-Forcës.

A.Q/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E DREJTA: 10/05/2025 11:58

    55555555555555555555555555555555555555555555555555555555555555

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?