HIMARË-Pas riaktivizimit të zjarrit mëngjesin e sotëm, që përfshiu një ditë më parë kodrat me ullinj të Pilurit në Himarë, duket se situata vijon të jetë ende e paneturalizuar. Zjarri vijon në një pyll me pemë të dendura sipas raportimit të gazetarit të Vlorës për Report Tv Armand Xhelili.
Flakët kanë avancuar në fshatin Kudhës, ku rrezikohet nga zjarri një banesë. Aty janë pozicionuar dy nga tre mjetet zjarrfikëse që janë në dispozicion të situatës bashkë me prefektin e Vlorës i cili ndodhet në zonë.
Nga mëngjesi i ditës së sotme dhe në vijim mësohet se për shkak të terrenit të vështirë ka pasur disa ndërhyrje nga ajri me helikopter.
Zjarri, i favorizuar edhe nga era, është përhapur edhe më tej duke djegur shkurre, por edhe pemë që ndodhen në atë zonë, duke u ngjitur edhe më lart në mal.
Nga mesdita e djeshme dhe në vijim, rreth 15 forca të zjarrfikëses së Himarës, punonjës të policisë së komisariatit dhe bashkisë së Himarës, por edhe emergjencat civile, po luftojnë për ta shuar zjarrin.
Komente
