TIRANË- Humbin betejën me COVID-19, dy mjekë në vendin tonë! Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare një nga neuropsikiatrët më të njohur shqiptarë prof. dr. Hiqmet Shqerra dhe mjeku Rustem Keko, i cili i shërbeu me devotshmëri Përmetit.
Shqerra ishte i shtruar në spitalin COVID 3, por nuk ka mundur të fitojë betejën duke u ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ai lindi në Elbasan dhe studioi në Fakultetin e Mjeksisë. Ai u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta dhe më pas mori titujt akademikë.
Gjatë eksperiencës së tij 56-vjeçare si mjek neuropsikiatër, doktor Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor. Mjeku ka punuar vite të tëra dhe ne terrene të vështira të fshatrave të Elbasanit ku i është gjendur pranë familjeve në problemet e tyre shëndetësore. Për 20 vite drejtoi Spitalin psikiatrik të Elbasanit ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale.
Ndërsa lajmin për vdekjen e mjekut përmetar e ka bërë me dije deputetja Fatjona Dhimitri.
"Edhe ju se fituat dot betejën me armikun e padukshëm Doktor! I shtrenjti Doktor Rustemi, mjeku që i shërbeu me devotshmëri Përmetit, njeriu i mirë, kurajozi që me mençurinë e këshillave të tij na jepte kurajo të gjithëve, miku më i mirë i tim eti! Të qoftë dheu i lehtë Doktor Rustemi, përmetari ynë i mirë! Mirënjohje përjetë për kontributin e paçmuar që ju i dhatë qytetarëve të Përmetit dhe mjekësisë shqiptare", shkruan Dhimitri.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë një mesazh për vdekjen e mjekut pneumolog Rustem Keko, i cili humbi jetën për shkak të COVID-19.
Përmes një postimi në Facebook, Manastirliu shkruan se Keko i dedikoi jetën spitalit të Përmetit klu shërbeu për 50 vite dhe la në boshllëk të pazëvendësueshëm për spitalin e këtij qyteti.
Mesazhi i ministres Manastirliu:
Dr. Rustem Keko i dedikoi jetën spitalit të #Përmetit, ku shërbeu për 50 vite, deri pak ditë më parë kur u shtrua në spitalin infektiv si pasojë e COVID19. Virusi i pabesë nuk e kurseu mjekun pneumolog, megjithë kujdesin e stafit mjekësor të spitalit #COVID1, duke lënë një dhimbje të madhe për familjen e dr. Rustemit dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm për spitalin e Përmetit e për përmetarët, të cilëve u shërbeu me përkushtim. U prehsh në paqe dr. Rustemi
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e mjekut Rusten Keko dhe pedagogut Luis Seiti të cilët humbën jetën si pasojë e COVID-19.
Ai shkruan se sot përsëri ka humbje jetësh në Qarkun e Gjirokastrës, i cili është edhe një nga më të goditurit nga kjo pandemi.
“Dy figura të nderuara nuk janë më midis nesh:
Dr. Rustem Keko, koleg, mjek pneumolog ne Përmet, “luftëtar” i pa kursyer ne mbrojtje te shëndetit të njerëzve dhe të parimeve të demokracisë.
Pedagogu i aftë dhe i mirë i Universitetit te Gjirokastrës, Luis Seiti.
Fatkeqësisht kjo “liste” humbjesh tashmë është bërë e gjatë!”, shkruan ai.
“Duke i kujtuar ata jo vetëm i respektojmë apo tentojmë të zbusim dhimbjen e humbjes, por dhe bëhemi më koshient sa e çmuar është jeta e sa shumë duhet te bëjmë për ta mbrojtur atë.”, shkruan Shehu në fund.
Një pedagog ka humbur jetën në moshë të re si pasojë e COVID-19 në Universitetin e Gjirokastrës.
Pedagogu Luis Seiti nuk ka mundur që ta fitojë dot betejën me virusin COVID-19. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të pedagogut e ka bërë me dije ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo.
"Me keqardhje të madhe mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Luis Seiti, pedagog në Universitetin e Gjirokastrës. Ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve dhe të afërmve.
Covid-19 po u merr jetën edhe moshave të reja. Pandemia po merr përmasa edhe më të frikshme. Mjaft me fjalë boshe duhet strategji për të mbrojtur sa më shumë jetë.
Nuk mund të lihet situata në rënie të lirë. Siguroni vaksina. Kufizimi i orarit dhe maskat nuk mjaftojnë.
Janë në rrezik jetë njerëzish dhe shëndeti publik. Për 11 muaj nuk vutë në zbatim asnjë strategji. Lini propagandën dhe krijoni urgjentisht një strategji efektive që të mos dëgjojmë lajme të tilla humbje jete që na trishtojnë e pikëllojnë të gjithëve'- shkruan Tavo.
Lajmi kryesor:
COVID-19 në Shqipëri/ 1105 raste të reja dhe 14 viktima në 24 orët e fundit! Shuhet gazetarja Zenepe Luka, ndërrojnë jetë dy mjekë të njohur
//ReportTv.al
O edi merr vaksinat se po na ikin mjeket kot se koti...
Përgjigju