Barcelona dhe Inter barazuan 3-3 në Spanjë për aktin e parë gjysmëfinal të Champions League. Përballja në fushë ishte spektakolare, ndërsa dueli u komentua edhe nga Simone Inzaghi. Trajneri i Interit vlerësoi Lamine Yamal, 18-vjeçarin e Barçës që është një gjeni. Ndërkohë që Interi merr lajme të këqija për kapitenin Lautaro Martinez.
"Ndjesitë pas barazimit…
Ka kënaqësi të madhe, bëmë një ndeshje të madhe, pastaj erdhi dy herë avantazhi dhe goli i anuluar (Mkhitaryan) që ende nuk e kuptoj pse. Ka keqardhje, por edhe vetëdije se kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer kundër ekipit më të mirë në botë. Episodet mund të bëjnë diferencën, por nuk ndryshon asgjë në vlerësimin mbi performancën e këtyre djemve që ishin fantastikë.
Çfarë ndodhi në pushimin e ndeshjes?
U përpoqëm të rregullonim disa gjëra, nga ana tjetër ishte një lojtar që nuk e kisha parë prej 8-9 vitesh. Yamal krijoi probleme të mëdha për ne, pastaj qartësisht që ra pak. Në pjesën e dytë luajtëm me cilësi të madhe.
A e përgatitët kështu për të goditur mbrojtjen e lartë të Barcelonës?
Po, e njohim Barcelonën, e dimë që ata e përdorin këtë taktikë që ia vlen, është e rrezikshme, por ata kanë shënuar 150 gola këtë sezon. Ne luajtëm një ndeshje shumë të organizuar.
Si është Lautaro?
Fatkeqësisht ai pati një problem, por vinte nga tetë ndeshje radhazi, në këto ndeshje nuk e kisha Thuram në dispozicion. Taremi pati disa probleme, por sot (dje) ai u rikthye shumë mirë. Duke luajtur tetë ndeshje me këtë ritëm ka njëfarë rreziku, shpresojmë të mos e humbasim, por kam dyshime. Do të jetë shumë e vështirë të rikuperojmë Lautaron për ndeshjen e kthimit. Të martën ndoshta do të luajmë pa kapitenin tonë dhe kjo do të jetë tashmë një finale për ne.
A do ta kishe firmosur para ndeshjes për këtë 3-3?
E bëmë edhe tre vjet më parë, jam i lumtur për tifozët tanë dhe për atë që na dedikuan të dielën pas një humbjeje që na dhembi. E marta do të jetë një finale, e dimë që kushdo që fiton do të luajë një tjetër dhe kushdo që humbet do të shkojë në shtëpi.
A ishin vendimtare rikuperimet e Dumfries dhe Thuram?
Thuram dhe Dumfries janë lojtarë shumë të rëndësishëm, të cilët na kanë munguar në periudhën e fundit, Thuram ishte jashtë për 15 ditë dhe mendoj se ai nuk bëri ndonjë gjuajtje në portë as gjatë nxehmjes. Të gjithë janë lojtarë të rëndësishëm që na kanë munguar", tha Simone Inzaghi.
Goli i anuluar i Henrikh Mkhitaryan
Nëse Henrikh Mkhitaryan do e kishte këmbën një numër më të vogël, me siguri Interi do gëzonte fitoren kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e Champions League.
Në minutën e 75-të armeni shënoi golin e katërt për zikaltërit, por VAR nuk gaboi dhe e anuloi për pozicion jashtë loje, që në fakt ishte milimetrik. Vetëm maja e këmbës së Henrikh Mkhitaryan ishte më përpara se mbrojtësi i Barcelonës, teksa ndeshja në fund u mbyll 3-3.
Komente
