Marshimi i palestinezëve duke u kthyer në qytetin e Gazës pas armëpushimit

Bota

Gaza, armëpushimi hyn në fuqi! Trump të hënën në Izrael/ Nis afati për lirimin e pengjeve, palestinezët rikthehen në shtëpitë e tyre

10 Tetor, 07:10| Përditesimi: 10 Tetor, 18:17

  • Share

Pas dakordësisë me Hamasin, qeveria izraelite ka miratuar fazën e parë të marrëveshjes për planin e paqes në Gaza, që përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë dhe arritjen e një armëpushimi, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi, siç përcaktohet në dokumentin e nënshkruar në Egjipt.

IDF do të tërhiqet në Vijën e Verdhë të treguar në hartat e marrëveshjes brenda 24 orëve të ardhshme, pas së cilës Hamasi duhet të dorëzojë të gjithë pengjet brenda 72 orëve ( 20 të gjallë dhe 28 të vdekur). Në këmbim të pengjeve, do të lirohen edhe rreth 2 mijë palestinezë të burgosur nga Izraeli. Pra, "e hënë ose e martë", siç njoftoi Trump i gëzuar në mbledhjen e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Armëpushimi do të monitorohet nga një Task Forcë e përbashkët dhe personeli ushtarak nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. SHBA do të dërgojë 200 trupa si pjesë e këtij plani. Trupat do të jenë në Izrael. Për më tepër, Komanda Qendrore e SHBA-së do të krijojë një "qendër koordinimi civil-ushtarak" në Izrael që do të ndihmojë në lehtësimin e rrjedhës së ndihmës humanitare, si dhe ndihmën logjistike dhe të sigurisë në Gaza.

Dakordësia për fazën e parë të planit të paqes u arrit vonë të mërkurën ndërsa bisedimet për fazën e dytë do të nisin menjëherë pas dorëzimit të të gjithë pengjeve. Ndërkohë, presidenti i SHBA njoftoi se të dielën mund të vizitojë Lindjen e Mesme pas negociatave të suksesshme mbi këtë fazë të parë.

"Pengjet do të kthehen të hënën ose të martën. Unë ndoshta do të jem atje. Shpresoj të jem atje. Dhe ne planifikojmë të largohemi të dielën dhe mezi pres ta bëjmë këtë", u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.

Ndërkohë, palestinezët kanë nisur marshimin për t’u kthyer në qytetin e Gazës për hyrjes në fuqi të armëpushimit.

 

/Lajm në përditësim…

Ora 16:39
Trump të hënën në Tel Aviv, e konfirmon policia Izraelite, mijëra oficerë të dislokuar

1760107253_trumpizrael.JPG

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të vizitojë Izraelin të hënën, ka deklaruar policia izraelite në një njoftim që përshkruan masat e sigurisë që do të merren gjatë vizitës, pas spekulimeve të mëparshme që kishin raportuar për ardhjen e presidentit amerikan në vend.

Mijëra oficerë policie, pjesëtarë të policisë kufitare dhe vullnetarë do të dislokohen gjatë vizitës së Trump në vend, ka thënë zëdhënësi i policisë. Rrugët do të mbyllen dhe fluturimi i avionëve, përfshirë dronët, do të ndalohet mbi aeroportin Ben Gurion dhe Jerusalemin.

Trump deklaroi dje se do të “përpiqej të bënte një udhëtim” në rajon për të festuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza, çka, sipas tij, do të ndodhë të hënën ose të martën.

 

Ora 14:13
Palestinezët kthehen drejt qytetit të Gazës pas tërheqjes së ushtrisë izraelite (VIDEO)

Pas tërheqjes së forcave izraelite nga zona jugore e Gazës, palestinezët kanë nisur të lëvizin në drejtim të qytetit të Gazës. Pamjet filmike tregojnë mijëra njerëz që ecin drejt veriut përgjatë rrugës bregdetare.

Më parë, ushtria izraelite kishte hapur zjarr në disa segmente të caktuara përgjatë rrugës për të penguar njerëzit që tentonin të ktheheshin në qytetin e Gazës, përpara se trupat izraelite të tërhiqeshin në linja të reja brenda Gazës, një nga pikat kryesore të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA dhe palë të tjera.

Muajin e kaluar, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) urdhëruan evakuimin e qytetit të Gazës, i cili atëherë kishte një popullsi prej rreth 1 milion banorësh, pasi filloi një ofensivë të re tokësore.

Me hyrjen në fuqi të armëpushimit në orën 12:00, sipas orës lokale, një zëdhënës i ushtrisë izraelite postoi në rrjetin social X se “lëvizja nga jugu në veri të Rripit të Gazës lejohet përmes Rrugës Al-Rashid dhe Rrugës Salah al-Din.”

Ora 13:39
Netanyahu: Do të kthehem te përdorimi i forcës nëse Hamasi nuk çarmatoset

1758472152_benjaminnetanyahu.JPG
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërcënon se do të rikthehet te përdorimi i forcës nëse kërkesat e planit të Trump nuk përmbushen nga Hamasi "në mënyrën më të thjeshtë". 

Qëllimi është çarmatosja e Hamasit dhe demilitarizimi i Rripit të Gazës, tha Netanyahu në një deklaratë për mediant. 

"Nëse ky qëllim arrihet në mënyrën më të thjeshtë, do të jetë fantastike. Përndryshe, do të arrihet në mënyrën më të vështirë", tha ai.

Ora 13:38
Hamasi: Nuk do t'i japim Izraelit pretekst për të rinisur luftën

1759986722_gaza.webp

Në një intervistë me Al Arabiya, zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, shprehu angazhimin e plotë të lëvizjes për të zbatuar fazën e parë të planit të paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar: 

"Ne nuk do t'i japim Izraelit asnjë pretekst për të rinisur luftën".

Faza e parë përfshin një armëpushim në Rripin e Gazës dhe shkëmbimin e penngjeve dhe burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit. Armëpushimi hyri në fuqi sot, pasi ushtria izraelite u tërhoq përgjatë vijës së rënë dakord, duke ruajtur në mënyrë efektive kontrollin e afërsisht 53% të enklavës palestineze.

Ora 12:26
Ushtria izrelite: Hyn në fuqi zyrtarisht armëpushimi në Gaza

1759842240_gaza.ëebp

"Marrëveshja e Armëpushimit hyri në fuqi në orën 12:00," njoftoi Ushtria e Izraelit në një postim në rrjetin social X. "Që nga ora 12:00, trupat e IDF filluan të pozicionoheshin përgjatë vijave të azhurnuara të vendosjes në përgatitje për marrëveshjen e armëpushimit dhe kthimin e pengjeve. Trupat e IDF në Komandën Jugore janë vendosur në zonë dhe do të vazhdojnë të largojnë çdo kërcënim të menjëhershëm."

The Ceasefire Agreement Came Into Effect at 12:00

Since 12:00, IDF troops began positioning themselves along the updated deployment lines in preparation for the ceasefire agreement and the return of hostages.

IDF troops in the Southern Command are deployed in the area and ëill…

— Israel Defense Forces (@IDF) October 10, 2025

 

Ora 10:05
Merz: Do të ofrojmë 29 milionë euro ndihmë humanitare për Gazën

1758140095_friedrichmerz.avif

Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për zbatim të shpejtë të marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit. 

"Pengjet, përfshirë disa qytetarë gjermanë, duhet më në fund t'u kthehen familjeve të tyre. Armëpushimi duhet të hyjë në fuqi dhe të stabilizohet gjatë javëve të ardhshme", deklaroi Merz. 

Për më tepër, ai tha se ndihma humanitare duhet të arrijë shpejt tek popullsia e Gazës. 

"Nëse këto hapa të parë të rëndësishëm drejt paqes janë të suksesshëm, do të jetë një arritje e madhe. Ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë", vazhdoi kancelari gjerman, duke shtuar se është e nevojshme të sqarohet se si të sigurohet siguria dhe qeverisja e qëndrueshme e enklavës. 

Merz shtoi se duhet të organizohet "çarmatimi dhe tërheqja e Hamasit". Lidhur me ndihmën humanitare për popullsinë civile dhe rindërtimin e territoreve palestineze, Merz dhe ministri i Jashtëm Johann Wadephul tha se janë në kontakt të ngushtë me partnerët e tyre.

Theksoi se qeveria gjermane do të ndajë menjëherë fonde shtesë për ndihmë humanitare me një total prej 29 milionë eurosh.

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?