Juventus rrezikon përjashtimin nga Serie A dhe Kupat e Europës, bardhezinjtë kundër auditit të pavarur: Gjetjet në pasqyrat financiare s'janë të sakta

6 Dhjetor 2022, 16:49| Përditesimi: 6 Dhjetor 2022, 20:53

  • Share

Juventus është nën furtunën e raporteve financiare dhe bilanceve jo të sakta të deklaruara në organet tatimore për sezonet 2019-2021. Klubi i Serie A ka reaguar me një komunikim zyrtar në lidhje me shkeljet e gjetura nga kompania e pavarur audituese (Deloitte) paraqitur dje për kontrollin e 30 qershorit 2022. Juventus kundërshton konkluzionet e firmës audituese, duke siguruar bashkëpunimin me autoritetet mbikëqyrëse tatimore. Në 21 dhjetor Juventus ka një seancë dëgjimore në Gjykatë, duke dalë kundër pretendimeve të Prokurorit Publik për vendimin e sekuestrimit të mbi 400 mijë eurove.

Në raportin e auditit privat, Deloitte bën me dije se ka dyshime për manovrat e pagave dhe 3 milionë euro borxh që nuk janë të pasqyruara.

"Dokumentacioni i vënë në dispozicion për ne përfshin, ndër të tjera, referenca për marrëdhëniet ekzistuese midis Juventus Football Club  dhe një ekipi tjetër futbolli (Atalanta). Kemi marrë një përgjigje për kërkesat tona për informacion të përcjella në këtë kompani. Përgjigjia tregon hyrjet e shumave për faturat që do t'i lëshohen Juventus Football Club për 3 milionë euro, të cilat nuk janë të regjistruara në regjistrat kontabël", thuhet në raportin e Deloitte.

Nëse faktet e auditit privat vërtetohen nga Gjykata, Juventus rrezikon përjashtimin nga Serie A dhe Kupat e Europës, bën me dije "La Repubblica". Për këtë ka reaguar edhe Juventus.

"Gjetjet e auditorëve të pavarur bazohen në interpretime dhe aplikime të rregullave të kontabilitetit dhe gjykimeve dhe vlerësimeve që Juventus nuk i ndan, duke marrë gjithashtu parasysh studimet shtesë ligjore dhe kontabël të kryera nga kompania në bazë të opinioneve të lëshuara nga ekspertë të pavarur", thuhet fillimisht në njoftimin e Zonjës.

Juventus vijon më tej duke treguar se do bashkëpunojë me autoritetet në lidhje me pretendimet e tyre për pasqyrat e parregullta financiare.

"Juventusi do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet mbikëqyrëse dhe tatimore, pa paragjykuar mbrojtjen e të drejtave të saj në lidhje me mosmarrëveshjet e ngritura kundër pasqyrave financiare të kompanisë dhe deklaratave për shtyp nga Consob dhe Zyra e Prokurorit Publik”, thuhet në njoftimin e klubit të Serie A.

Bardhezinjtë mendohet se kanë fshehur TVSH dhe kanë bërë manovra me plusvalencat e shitjeve të lojtarëve dhe kontratave të majme, një ndër to edhe një shumë prej 19 milionë eurosh për Ronaldon. Juventus njofton se në 21 dhjetor do ketë një seancë dëgjimore në Gjykatë me dyer të mbyllura, teksa Prokurori Publik kërkon që Juventusit t'i sekuestrohen 437,403 euro si fillim, në lidhje me shkeljet e supozuara, me Zonjën që kërkon të mbrohet.

"Seanca dëgjimore me dyer të mbyllura është caktuar për datën 21 dhjetor 2022 për diskutimin e ankimit kundër urdhrit në Gjykatën e Torinos, lidhur me kërkesën e Prokurorit Publik për sekuestrimin e shumës prej 437,403 euro nga Juventus", thuhet në njoftim.

Nëse Juventus del se është në shkelje të rregullave të fair-play financiar, klubi rrezikon mos luajë në Serie A dhe të përjashtohet nga Kupat e Europës. Kujtojmë se para një jave presidenti i Juventus, Andrea Agnelli dhe bordi i drejtorëve dhanë dorëheqjen pë t'i hapur rrugë një drejtimi të ri te bardhezinjtë, ndërsa UEFA ka hapur një hetim kundër klubit të Serie A për fair-play financiar të supozuar si në shkelje. 

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?